X

Hoti kthehet në Kosovë, nuk merr pjesë në takimin e 27 qershorit në Uashington


Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka njoftuar se nuk do të marrë pjesë në takimin e datës 27 qershor në Shtëpinë e Bardhë.

Hoti përmes një postimi në Facebook, i cili tha se për shkak të zhvillimeve të reja në Prishtinë, i duhet të kthehet që të merret me situatën.

“Për shkak të zhvillimeve të reja në Prishtinë si rezultat i akuzave të dorëzuara nga Zyra e Prokurorit të Specializuar, më duhet të kthehem në Prishtinë për tu marrë me situatën. E kam njoftuar Ambasadorin Grenell se nuk mund të marrë pjesë në takimin e datës 27 qershor në Shtëpinë e Bardhë”, shkruan Hoti.

Ndërkohë një ditë më parë Prokuroria e Hagës ka ngritur zyrtarisht një sërë akuzash për presidentin e Kosovës Hashim Thaçi dhe kryetarin e PDK Kadri Veselin, raportojnë mediat në Kosovë.

Dy drejtuesit e PDK-asë akuzohen për krime lufte, vrasje e paligjshme, zhdukje e detyruar e personave, përndjekje dhe tortura.

Ndërkohë në reagimin e saj qeveria e Kosovës ka theksuar se askush nuk mund të cilësohet fajtor pa vendim përfundimtar të gjykatës.

Njoftimi i plotë:

Qeveria e Republikës së Kosovës, si edhe të gjithë qytetarët e Kosovës, është njoftuar sot nëpërmjet një deklarate për shtyp, se Zyra e Prokurorit Special ka deponuar pranë Dhomave të Specializuara të Gjykatës Speciale një aktakuzë ndaj Presidentit të Republikës së Kosovës, z. Hashim Thaçi dhe Kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, z. Kadri Veseli.

Qeveria e Republikës së Kosovës konsideron se askush nuk mund cilësohet fajtor pa vendim përfundimtar të gjykatës.

Qeveria e Republikës së Kosovës fton të gjithë qytetarët të tregojnë qetësi. Qeveria beson se lufta e popullit të Kosovës dhe Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishte e drejtë dhe çlirimtare dhe, si e tillë, do të mbetet si një nga periudhat më të rëndësishme të historisë së vendit.

* Për më shume bashkohuni në grupin tonë: https://www.facebook.com/groups/tpz.al/