X

Tuneli në det, qeveria në zjarr


Nga Klodian Tomorri

Këtë muaj, Shqipëria vendosi një rekord absolut botëror duke u ngjitur në podin e ekonomive me investimet më të fuqishme në infrastrukturë. Në harkun kohor të vetëm dy javëve, qeveria e Shqipërisë inauguroi 1 miliardë euro investime publike në infrastrukturë, fillimisht me projektin e hidrocentralit të Skavicës dhe më pas me tunelin e Llogarasë.

Sot për sot, përjashto SHBA-në, ndoshta dhe Kinën, asnjë vend tjetër në botë nuk ka këllqe të inaugurojë 1 miliardë euro investime publike brenda dy javëve.

Ka vetëm një detaj që duhet theksuar. Edhe këtë herë investimet e qeverisë shqiptare ishin 3D.

Në arenën ndërkombëtare, nuk ka vend tjetër në botë, ku Kryeministri i një vendi bën ceremoni pompoze për të lançuar garën për studimin e fizibilitetit apo projektin inxhinjerik të një projekti.

Nëse kjo do të ndodhte, atëherë çdo vend do të kishte nevojë të paktën për 100 kryeministra dhe 100 qeveri, vetëm për të organizuar ceremonitë e garave për harrimin e projekteve të veprave publike. Por le të kthehemi në botën reale.

Për të kuptuar se çfarë inauguroi qeveria me Skavicën dhe tunelin e Llogarasë, vlen të sqarohet se si realizohen investimet publike.

Fillimisht hidhet ideja. Më pas, hartohet një projekt ide. Kryhet studimi i fizibilitetit dhe hartohet projekti inxhinjerik. Të gjitha këto faza janë me kosto minimale dhe zakonisht zënë vetëm 1 ose 2 për qind të kostos totale të një vepre. Pra, mjafton vetëm një fond i vogël në buxhet dhe sigurisht 3D-ja dhe ekipi i propagandës. Por në jetën reale, investimet bëhen ndryshe.

Pas projektit dhe studimit të fizibilitetit, qeveria duhet të gjejë të paktën 300 milionë euro për të financuar ndërtimin e Tunelit dhe minimalisht edhe 600 milionë euro të tjera për ndërtimin e Skavicës. Këtu 3D-ja dhe propaganda të lënë shëndenë.

Shikoni rrugën Tiranë – Durrës. Projekti inxhinjerik dhe studimi i fizibilitetit të saj janë hartuar që në kohën e qeverisë së Sali Berishës. Kostoja për zgjerimin e rrugës, duke shtuar korsi të reja dhe përshtatjen e saj plotësisht me standardet evropiane, është vlerësuar në 100 milionë euro. Por edhe pse kanë kaluar 10 vjet nga përfundimi i projektit dhe studimi i fizibilitetit, rruga është ndërtuar vetëm në 3D.

Tani pyetja është: a mundet qeveria shqiptare të gjejë 1 miliardë euro për të financuar dy investime të reja publike gjatë viteve të ardhshme?

Një gjë është e sigurt. Me borxhin publik tashmë 75 për qind e Prodhimit Kombëtar, edhe nëse Rama do të jetë kryeministër edhe për 10 vite të tjera, sërish projekti i Skavicës dhe tuneli i Llogarasë do të mbeten si ai i rrugës Tiranë – Durrës. Kryevepra 3D-je dhe material propagande.

Vetëm nga investimet në proces, pra ato që janë të hapura, qeveria ka ende edhe 440 miliardë lekë ose 3.7 miliardë euro financime të pambuluara.

Kjo do të thotë se edhe nëse nuk hapet asnjë projekti i ri investimi, fondi i parashikuar i investimeve publike për 6 vitet e ardhshme është sakaq i ezauruar. Por qeverisë i pëlqen të jetojë në ëndrra.

Në vend të propagandës dhe reklamimit të veprave të reja, që do të mbeten në letër edhe për shumë kohë, një qeveri racionale do të duhet të mbyllte investimet ekzistuese, të cilat zvarriten për vite të tëra.

Rruga Qukës – Qafë Plloç ka nisur më herët se sa Rama të bëhej kryeministër. Nuk ka mbaruar dhe nuk ka gjasa të mbarojë edhe për shumë vjet.

Tuneli i Kardhiqit, By Passi i Fierit dhe qershia mbi tortë, Unaza e Tiranës – të gjitha këto projekte ishin aty kur Rama u bë kryeministër.

Dhe në gjasa do të jenë sërish po aty të papërfunduara kur Rama të lërë kolltukun e njeriut më të pushtetshëm në Shqipëri.

Në fund, gjithkush mund t’i bëjë vetes një pyetje: sa është probabiliteti që një qeveri, e cila në 8 vjet nuk përfundoi dot Unazën e Tiranës me gjatësi vetëm 23 kilometër, të ndërtojë Skavicën dhe tunelin e Llogarasë?! Statistikisht zero.

Deri në ditën e fundit të mandatit të saj qeverisës, gjasat janë që kjo maxhorancë të jetë ende duke ardhur rrotull Unazës së Tiranës. Dhe ky është rekordi më i madh i saj.

Do apo nuk do Rama, qeveria e tij do të mbahet mend për faktin se për 8 vjet u soll rreth një Unaze, vetëm 23 kilometër të gjatë.

* Për më shume bashkohuni në grupin tonë: https://www.facebook.com/groups/tpz.al/
More in BLOG, LAJME
Integrimi/ Meta takon kryenegociatorin Mazi: Politika të tregojë vullnet për plotësimin e kushteve

Presidenti Ilir Meta ka pritur sot në presidencë kryenegociatorin Zef Mazi. Ky i fundit do të jetë në krye të...

Close