X

Historia tragjike/ “Gjyshi im, më i pasuri i Kolonjës, ndihmoi Petro Ninin për shkollat shqipe por komunistët na dogjën shtëpinë me njerëz brenda”

Nga Dashnor Kaloçi/

Publikohet historia e panjohur e Nasuf Bej Novoselës, pinjoll i një prej familjeve më të pasura të Kolonjës dhe gjithë Jugut të Shqipërisë, i cili pasi u diplomua në Fakultetin e Drejtësisë në Stamboll dhe u emërua nga Porta e Lartë në postin e Mytesarifit të Kolonjës.

Memorie.al shkruan se ai shërbeu për 30 vite dhe gjatë asaj kohe, pas telegramit që i dërgoi Abdyl Frashëri, ai ndihmoi Petro Nini Luarasin për të hapur shkollat shqipe, si dhe e mbrojti atë nga njerzit e Kishës greke që e ndiqnin dhe e kërkonin për ta vrarë, ngjarje e cila është përshkuar nga shkrimtari dhe politikani i njohur, Sabri Godo, në librin e tij, “Plaku i Butkës”.

Diplomimi në Stamboll për Shkencat Politike i të birit të tij, Hysenit, që kishte marrë mësime private me mësues nga Franca dhe emërimi i tij si Kajmekam i qytetit të Manastirit, ku ai u martua e nuk u kthye më në Kolonjë, deri sa ndërroi jetë. Kujtimet e Sejfi Vllamasit, të botuara në librin e tij, “Ballafaqime politike në Shqipëri”, ku ai flet për Nasuf beun, si një nga njerëzit kryesorë që organizoi mbledhjen në Teqen e Frashërit, ku u nëshkrua Memorandumi që Abdyl Frashëri i’a dërgoi Bismarkut, ministrit të Jashtëm të Gjermanisë.

Vdekja e Nasuf bej Novoselës në vitin 1908, ku ai u varros me nderime të mëdha nga mijra vetë, si dhe persekutimi i familjes së tij nga partizanët që i dogjën shtëpinë, duke pasur të gjithë njerzit brenda dhe gjëndja e mjeruar e asaj familje gjatë periudhës së regjimit komunist të Enver Hoxhës, ku pasi i’u sekuestrua e gjithë pasuria dhe ata u shpallën “kulak e armiq të popullit”, ata vuajtën për bukën e gojës, duke i mbajtur fshati me lëmosha.

“Nasuf Bej Novosela, i cili ka qenë xhaxhai i babait tim, pasi u shkollua në një shkollë fetare myslymane në Follorinë të Greqisë ku punonte babai i tij, Murati, më pas vazhdoi mësimet në kryeqëndrën e Perandorisë Osmane dhe në vitin 1864, u diplomua shkëlqyeshëm në Fakultetin Juridik të Stambollit.

Pas marrjes së diplomës, ai nuk e pranoi ofertën për të punuar në administratën e lartë turke, ku ishte përgatitur emërimi i tij, por u kthye në vëndlindjen e tij, në fshatin Novoselë, ku Porta e Lartë e emëroi si gjykatës në nënprefekturën e Kolonjës. Më pas, Nasuf Bej Novosela u emërua në postin e Mytesarifit të Kolonjës, të cilën e qeverisi për 30 vjet më rradhë, nga 1873-i, deri në 1903-in.

Gjatë asaj periudhe të gjatë 30 vjeçare, që Nasuf Bej Novosela ishte personaliteti numër një i gjithë Kolonjës, ai bëri përpjekje të mëdha dhe me autoritetin e tij ndërhyri deri në Stamboll, që Porta e Lartë të lejonte hapjen e shkollave të para shqipe, gjë e cila u bë e mundur pas ndihmës që ai i dha mësuesit kolonjar, Petro Nini Luarasit, të cilin Nasufi e donte si djalin e tij dhe e mbante gjithmonë pas vetes, duke e mbrojtur nga grekët që e ndiqnin për ta vrarë.

Pas vitit 1944 kur erdhën në pushtet komunistët, familjen tonë Novosela e shpallën reaksionare dhe na quajtën “kulakë e armiq të popullit” dhe si rezultat i kësaj, na dogjën shtëpinë tre katëshe me 22 dhoma, e më pas na e konfiskuan të gjithë pasurinë tonë që shtrihej në gjysmën e qytetit të Ersekës, me gjithë çifliqet që i kishim në disa fshatra të Kolonjës”.

Kështu e kujtonte fillimin e persekutimit të familjes së tyre, Siri Novosela (Duka), nipi i Nasuf Bej Novoselës, që rrëfen të gjithë historinë e gjyshit të tij, Nasuf Beut, i cili pasi u shkollua për Drejtësi në Universitetin e Stambollit, për tridhjet vite, qeverisi Kolonjën si Mytesarif i saj.

Po kush ishte Nasuf Bej Novosela, cila ishte origjina e familjes së tij dhe ku kishin studjuar të parët e saj? Cila ishte pasuria e familjes Novosela, si ishin pasuruar ata dhe deri ku shtriheshin çifligjet e asaj familje që konsiderohej si një nga më të pasurat e Kolonjës?

Si nisi konflikti në mes Nasuf Beut dhe Dalan Bej Qafzezit dhe përse vazhduan aq gjatë kontraditat në mes tyre, të cilat kishin të bënin me hapjen e shkollave të para shqipe në Kolonjë? Cili ishte aktiviteti i Nasuf Bej Novoselës që bëri të mundur hapjen e shkollave të para shqipe në Kolonjë dhe si e mbrojti ai mësuesin Petro Nini Luarasi nga grekët që e ndiqnin për ta vrarë?

Përse Nasuf Beu urdhëroi vrasjen e kajmekamit të Kolonjës dhe si e ngriti në protesta popullin e Ersekës pas ardhjes së Valiut nga Manastiri?

Përse partizanët e Batalionit “Hakmarrje” i dogjën shtëpinë Nasuf Bej Novoselës dhe pse komandanti i tyre, kërkonte që nipin e tij, Mehdiun, ta lidhte dhe ta tërhiqte pas kalit, për ta poshtëruar para fshatit? Si u katandis familja Novosela që ishte më e pasura e Kolonjës, të mbante frymën gjallë me lëmoshën që i’u jepte fshati dhe Ali Vllamasi, që i mbante në mullirin e tij?

Lidhur me këto e ngjarje të tjera të historisë së familjes Novosela, rrëfen Siriu (një nga nipat e Nasuf Beut), i cili gjatë gjithë periudhës së regjimit komunist, e vuajti më shumë hakmarrjen e pushtetit, për të vetmen arsye se gjyshi i tij kishte qenë i pari i Kolonjës.

Familja Novosela, më e pasura e Kolonjës

Nasuf Bej Novosela u lind në vitin 1842 në fshatin Novoselë të Kolonjës, i cili ndodhet në rrëzë të Malit të Radomit, në Jug-Lindje të qytetit të Ersekës dhe të parët e asaj familje kanë jetuar aty në atë fshat prej qindra vjetësh. Lidhur me origjinën e kësaj familje dhe Nasuf Beut, pinjollit të saj që bëri emër të madh, nipi i tij, Siri Novosela (Duka) dëshmonte:

“Nuk dihet me saktësi që kur janë vendosur të parët tanë në atë fshat, por Nasufi, që ishte xhaxhai i babait tim, më tregonte se familja jonë aty kishte jetuar qëmoti. Babai i Nasufit quhej Murat dhe babai i Muratit quhej Diko Novosela dhe me sa kam dëgjuar nga të parët e mi, ai kishte studjuar në Akademinë Ushtarake të Stambollit. Djali i tij, Murati, që ishte babai i Nasufit, nuk kishte bërë ndonjë shkollë, prandaj punonte si rojtar në Follorinë të Greqisë, sepse në atë kohë familja Novosela nuk kishte ndonjë pasuri të madhe.

Nasufi kishte dhe një vëlla tjetër, që quhej Abdurrahman, i cili ishte disa vjet më i vogël se ai. Gjatë asaj periudhe që Murat Novosela punonte në Greqi, ai mori me vete dhe djalin, Nasufin, i cili u shkollua në një nga shkollat fetare myslymane të Follorinës dhe pas mbarimit të asaj shkolle, Murati e dërgoi Nasufin në Stamboll, duke e regjistruar në Fakultetin e Drejtësisë të atij qyteti, ku ai u diplomua me rezultate të larta në vitin 1864. Mbas përfundimit të studimeve, Nasufit i thanë që të qëndronte në Stamboll e të punonte në administratën e lartë të qeverisë osmane, por ai nuk e pranoi ofertën e tyre dhe vendosi të kthehej në fshatin e tij të lindjes në Novoselë.

Gjatë asaj periudhe që Nasufi studjonte në Turqi, ai mori me vete dhe vëllanë e tij, Abdurrahmanin, i cili u shkollua në një Medrese të Stambollit dhe pasi e mbaroi atë u kthye në fshatin tonë Novoselë, ku për shumë vjet shërbeu në xhaminë e fshatit si mulla. Abdurrahmani kishte katër fëmijë:

Galipin, që u diplomua në Stamboll për Drejtësi, Mehdiun, që është babai im, i cili mbaroi shkollën Ruzhdie dhe më pas shërbeu si hoxhë po në xhaminë e fshatit, Fadilin që nuk bëri ndonjë shkollë dhe vajzën Haxhiren, e cila merrej vetëm me punët e shtëpisë. Pasi Nasufi u diplomua në Stamboll dhe u kthye në fshat, atij i erdhi dhe haberi nga Porta e Lartë, që e kishte emëruar të punonte si gjykatës në Gjykatoren e Ersekës, që asokohe ishte qëndra e nënprefekturës së Kolonjës.

Pas ardhjes nga Turqia, Nasufi u martua dhe ai pati vetëm një djalë që quhej Hysen. Për shkollimin e tij, Nasufi paguante një mësues privat nga Franca, i cili i mësonte Hysenit në shtëpi gjuhën frënge dhe mësimet e tjera të shkollës. Më pas Nasufi e dërgoi Hysenin që të studjonte në Turqi dhe pasi ai u diplomua në Universitetin e Stambollit në Shkencat Politike, Porta e Lartë e emëroi kajmekam të qytetit të Manastirit. Hysen Bej Novosela gjatë atyre viteve që punoi si nënprefekt i Manastirit, u martua me vajzën e Riza Bej Manastirit dhe nuk u kthye më në fshatin e tij Novoselë, por punoi atje deri sa vdiq”, kujtonte Siri Novosela, mbi origjinën e të parëve të familjes së tij që ishin shkolluar në Turqi dhe gjyshin Nasuf Beun i cili u diplomua në Fakultetin e Drejtësisë së Stambollit.

Nasufi, Mytesarif i Kolonjës

Lidhur me pasurimin e familjes së Nasuf Bej Novoselës dhe deri ku shtriheshin çifligjet e asaj familje, Siriu tregonte: “Kur Nasuf Beu erdhi nga Turqia dhe u emërua si gjykatës në Gjykatoren e Ersekës, ai u përkrah shumë nga familja Maluka, që asokohe ishte familja më e pasur e Ersekës dhe i pari i saj Rustem Maluka, e mbante afër Nasufin dhe e ndihmonte për çdo gjë.

Aq shumë e donin Nasufin malukallarët, saqë Rustem Beu e qunte si djalin e shtëpisë dhe më pas, ai i dhuroi pjesë nga pasuria dhe pronat e familjes së tij që shtriheshin në disa çifligje të mëdha. Nga pronat që i dhuruan malukallarët Nasufit, ai fitoi të drejtën e pronësisë, duke u bërë pronar i disa çifligjeve që shtriheshin në fshatrat Shanovë të Korçës ku Nasufi u bë ortak me Alo Dishnicën, si dhe ato në fshatrat Kagjinaas dhe Sanjollas të Kolonjës, pa përmendur ato që i kishte të sajat në fshatin Novoselë.

Për administrimin e kësaj pasurie të madhe dhe çifligjeve që kishte nëpër fshatra, Nasuf Beu kishte pajtuar disa qehallarë, si: Tefik Ajazi, Hodo Kreshova etj., që s’më kujtohen, të cilët kujdeseshin për administrimin e tyre. Gjatë asaj kohe, përveç miqësisë së madhe që Nasuf Beu kishte me malukallarët, të cilët dhe e ndihmuan duke e bërë mjaft të pasur, ai kishte një miqësi të ngushtë dhe përkrahej edhe nga Mustafa Pashë Taçi, i cili kishte mbaruar Akademinë Ushtarake në Stamboll dhe nga luftrat që kishte bërë te Pesë Puset në Janinë, mbante gradën e gjeneralit në pension.

Po kështu Nasuf Beu kishte miqësi të ngushtë dhe me patriotin e madh Sali Butka, me familjen e të cilit ishin lidhur tre herë me anë të krushqisë, si dhe me disa familje të tjera bejlerësh, si Mehmet Bej Helmësin etj, të cilët e respektonin shumë atë. Pasi Nasuf Beu u fuqizua ekonomikisht dhe nga autoriteti i madh që ai gëzonte, si në popullin e Kolonjës ashtu dhe në administratën e Stambollit, Porta e Lartë e emëroi atë si Mytesarif (nënprefekt) të Kolonjës, që asokohe varej nga Prefektura e Korçës” kujtonte Siri Novosela, lidhur me emërimin e Nasuf Beut si Mytesarif i Kolonjës dhe se si u pasurua ai nga malukallarët që asokohe ishin familja më e pasur e Ersekës.

Armiqësia me Dalan Bej Qafzezin

Si rrodhën ngjarjet për Nasuf Bej Novoselën pasi ai u emërua si Mytesarif i Kolonjës?

Lidhur me këtë, Siriu tregonte: “Zgjedhja e Nasuf Beut si Mytesarif i Kolonjës, asokohe zgjoi xhelozitë dhe cmirën e disa bejlerëve të tjerë turkoshakë, që kishin synimet e tyre për të qeverisur Kolonjën. Kështu njeri prejt tyre ishte dhe Dalan Bej Qafzezi, familja e të cilit në atë kohë ishte ndër të parat e bejlerëve kolonjarë.

Një ndër arsyet kryesore që i nxiti më shumë kontraditat dhe armiqësinë ndërmjet Nasuf Bej Novoselës dhe Dalan Bej Qafzezit, ishte se Dalan Beu, asokohe po bëhej pengesë e madhe për hapjen e shkollës shqipe në Kolonjë, gjë të cilën e bënte nga që ishte filoturk dhe për t’ju servilosur qeverisë osmane, në synimet e tija për të ardhur në krye të pushtetit në Kolonjë.

Asokohe që këto kontradita ndërmjet tyre u acaruan shumë, Nasuf Beu i kishte pozitat më të forta, jo vetëm pse ishte Mytesarif i Kolonjës, por në punën e tij ai gëzonte dhe një autoritet të padiskutueshëm si në popull, ashtu dhe në Portën e Lartë në Stamboll, që e respektonte si administrator të ndershëm dhe korrekt. Nisur nga kjo, Dalan Bej Qafzezi duke paguar njerzit e tij në Turqi, arriti që të sillte një komision nga Stambolli në Kolonjë, për ta kontrolluar punën e Nasuf Beut me qëllim që ta shkarkonte atë nga funksioni i Mytesarifit. Komisioni i administratës së lartë turke u vendos në zyrat e nënprefekturës së Ersekës dhe për dy ditë me rradhë filloi kontrollin e dokumenteve të administratës së asaj nënprefekture, me qëllim që t’i raportonte Stambollit për punën e dobët të Mytesarifit, Nasuf Bej Novosela.

Ardhja e atij komisioni nga Turqia asokohe u muar vesh pothuaj në të gjithë nënprefekturën, ku ishte hapur fjala se do shkarkohej Nasuf Beu. Në atë kohë, këto fjalë i dëgjoi dhe Mustafa Pash Taçi, gjenerali në pension që asokohe ishte i sëmurë në shtrat në fshatin e tij. Aq shumë e donte ai Nasuf Beun, saqë ashtu siç ishte i sëmurë, u ngrit veshi rrobat e gjeneralit me gjithë grada dhe vajti në Ersekë për të takuar Komisionin që kishte ardhur aty.

Mustafa Pasha i takoi ata dhe i’u bëri presion, duke u thënë se: në rast se ata do të ndërhynin për shkarkimin e Nasuf Beut, ai do të shkonte në Stamboll tek Sulltani dhe do të protestonte se ata po merrnin në mbrojtje Dalan Beun, që ishte një njeri hajdut dhe vrasës. Pas ndërhyrjes së Mustafa Pashës, komisioni i administratës turke nuk mundi që ta shkarkonte dot Nasuf Beun, megjithse në atë kohë Dalan Bej Qafzezin, e përkrahu dhe kejmekami turk i Kolonjës.

Pasi komisioni turk u kthe në Stamboll, Nasuf Beu për t’u hakmarrë ndaj kejmekamit turk, i cili me pa të drejtë e mori në mbrojtje Dalan bej Qafzezin, organizoi vrasjen e kajmekamit, duke i’a ngarkuar atë punë Nexhip Gostnishtit”.

Vrasja e nënprefektit turk

Po si ndodhi vrasja e nënprefektit turk të Kolonjës dhe si rrodhën ngjarjet më pas? Lidhur me këtë, Siriu tregonte: “Sipas porosisë që Nasuf Beu i dha njeriut të tij, Nexhip Gostivishtit, ai e zbatoi atë duke e vrarë me thika nëprefektin turk, vrasje të cilën e kreu në fshehtësi, në mënyrë që të mos zbulohej se ai ishte autori i saj. Pasi ndodhi vrasja e cila bëri një bujë të madhe deri në Stamboll, Porta e Lartë ngarkoi Valiun e Manastirit, që të vinte në Kolonjë dhe të zbulonte e dënonte vrasësit e nënprefektit.

Pasi Valiu turk i Manastirit erdhi në Kolonjë, ai mblodhi në zyrat e nënprefekturës të gjithë parinë e kazasë së Ersekës, me në krye Nasuf Beun dhe i’u kërkoi atyre që me çdo kusht të merrnin masa e të kapnin vrasësin e nënprefektit. Në atë kohë që në zyrat e Mytesarifit zhvillohej mbledhja me Valiun e Manastririt, turma të mëdha njerzish u grumbulluan në të katër anët, duke e rrethuar godinën ku ishin mbledhur paria, të cilët thërrisnin që të gjendej vrasësi i nënprefektit.

Më pas, një përfaqësi e tyre dërgoi një njeri që të takohej me parinë dhe ai u dorzoi atyre një ultimatum, ku thuhej: Në rast se nuk gjendet vrasëi i vërtetë i kajmekamit turk, asnjë nga paria nuk do të dalë i gjallë nga ajo godinë”.

Këtë ultimatum, Nasuf Beu i’a tregoi Valiut të Manastirit, i cili u tremb shumë dhe menjëherë i kërkoi atij që ta nxirrte sa më shpejt nga ajo mbledhje dhe ta përcillte deri jashtë kazasë, pa pastaj të bënin ç’të donin me vrasësin e kajmekamit. Pas kësaj, Nasuf Beu e nxorri Valiun turk nga godina e nënprefekturës dhe me njerzit e tij, e përcolli deri jashtë kazasë, pa pasur asnjë problem me popullin që kishte dalë për të protestuar për vrasjen e kajmekamit turk.

Kështu u mbyll problemi i vrasjes së kajmekamit, pa u gjetur se kush ishte vrasësi i vërtetë dhe të gjitha ato protesta i kishte organizuar vetë Nasuf Beu, për të mbuluar gjurmët e asaj vrasje, në mënyrë që të mos kishte probleme me Stambollin”, rrëfente Siri Novosela, mbi të vërtetën e vrasjes së kajmekamit turk të Kolonjës, nga xhaxhai i babait të tij, Nasuf Beu.

Ndihmon Petro Ninin për shkollat shqipe

Gjatë atyre viteve që Nasuf Bej Novosela ishte në funksionin gjykatës-hetuesit të Kolonjës, ai dha një kontribut mjaft të madh në hapjen e të parave shkollave shqipe në atë krahinë (të parat shkolla shqipe që u hapën në Shqipëri), duke ndihmuar përveç të tjerave dhe mësuesin, Petro Nini Luarasi (të cilin e donte si djalin e tij), nga ndjekjet e grekërve që e kërkonin për ta vrarë.

Lidhur me këtë kontribut të Nasuf Beut, ka shkruar gjatë në kujtimet e tija dhe intelektuali dhe politikani i njohur Sejfi Vllamasi, në librin e tij “Ballafaqime Politike 1897-1942”, ku midis të tjerash citon fjalët e patriotit të madh Sali Butka, i cili i ka thënë: ‘Sikur të mos ishte forca e mikut tonë të ngushtë, Nasuf Bej Novoselës, që për 30 vjet drejtoi pushtetin në Kolonjë e Korçë kundër Kishës dhe rebelëve turq me në krye Dalan Bej Qafëzezin që na ndiqte mua dhe Petro Ninin, në krahinën e Kolonjës dhe në gjithë Jugun e Shqipërisë, nuk do të ndiheshin fare as pushka ime, as pena e Petro Nini Luarasit, të cilat gjëmuan si jehonë patriotike paralel, vetëm në sajë të mbrojtjes së madhe që u bëri Patrioti, Nasuf Bej Novosela, i cili disiplinoj Kishën, theri kajmekamin dhe shkatërroj fizikisht me gjyq dhe i dogji kullën Dalan bej Qafëzezit, këtij turkomani të fëlliqur’.

Po në atë ato kujtime, Sejfi Vllamasi ka dhënë dhe konsideratat e tija për Nasuf Beun, ku midis të tjerash shkruan:

‘Petro Nini, i cili në atë kohë ndiqej si nga kisha greke dhe ashtu nga Dalan Bej Qafëzezi, që ishte vegël e qeverisë turke, ndoëse vetë ishte trim i madh dhe shëtiste me pushke në krah, ka patur dhe miq të fuqishëm, si Nasuf Bej Efendi Novoselën, i cili në atë kohë ka qenë Gjykatës dhe hetues i Kolonjës, që kishte mbaruar për Drejtësi në Stamboll. Nasuf Beu ishte njeri tepër guximtar, autoritar i madh dhe arriti të vërë rend e rregull në Kolonjë, e ta dominojë situatën. Nasuf Beu me inteligjencien e tij të mprehtë, e kishte kuptuar më mirë se kushdo tjetër rëndësinë e përhapjes së gjuhës Kombëtare dhe përkrahu Petron, në përpjekjet e tija patriotike.

Kështu shkollat Kombëtare në Kolonjë, qëndronin më këmbë dhe me ndihmën e Nasufit, i cili me influencën, guximin, inteligjencën dhe dinakërinë e tij, diti t’i dilte në krye kësaj pune aq delikate në atë kohë’. Për kontributin e madh në hapjen e mbajtjen e shkollave shqipe në atë kohë, Nasuf Beut, i dërgoi një letër falenderimi dhe Abdyl Frashëri. Lidhur me këtë, në librin “Plaku i Butkës”, shkrimtari dhe politikani i njohur, Sabri Godo, ka shkruar disa nga vargjet popullore, të cilat populli i’a ngriti Nasuf Beut, ku thuhet:

“More Nasuf Efendi

more letër nga Avdyli,

hapi shkollat shpejt tani

Petron ta ruash në gji,

se ta vret Dhespoti

dhe Dalan Qafëzezi me rebelat e tij”.

Vdekja e Nasuf Bej Novoselës

Ashtu siç dëshmonte edhe Sejfi Vllamasi në librin e tij, asokohe Nasuf Beu ishte një nga njerzit kryesorë që u mblodhën në Teqen e Frashërit, ku u nënshkrua Memorandumi, të cilin Abdyl Frashëri, i’a paraqiti Bismarkut gjatë takimit që ai pati me të në Gjermani, ku i parashtroi çështjen shqiptare.

Po kështu Nasuf Beu, sa ishte gjallë e mori nën mbrojtje Petro Ninin dhe vetëm tre muaj pas vdekjes së tij, në mars 1908, grekërit e helmatisën Petron. Pasi Nasuf Bej Novosela kishte qeverisur për tridhjet vjet me rradhë Kolonjën si Mytesarif i saj, ai vdiq në moshën 64 vjeçare, në marsin e vitit 1908. Lidhur me vdekjen e tij, Siri Novosela dëshmonte: “Babai më ka treguar se Nasuf Beut që nga dita që u sëmur e deri në minutën e fundit, i shërbeu për shumë kohë e shoqja e tij, Esma Halim Kagjinasi, që e donte dhe e respektoi pa masë deri në fund të jetës.

Atë ditë që vdiq Nasuf Beu, në shtëpinë tonë erdhën për ngushëllime më shumë nga tre mijë vetë dhe në ceremoninë e varrimit të tij, përveç autoriteteve të administratës së lartë shtetërore të Prefekturës së Korçës, e asaj të nënprefekturës së Kolonjës, erdhën shumë nga miqtë e ngushtë të tij, si:

Zalo Prodani, Lef Nosi, Osman Feka etj.

Po kështu atë ditë në varrimin e tij, nuk munguan as dhe disa nga njerzit me të cilët Nasuf Beu kishte pasur shumë kontradita, siç ishte Dalan Bej Qafëzezi, i cili u përkul mbi trupin e tij dhe duke e puthur tha: Tani nuk ka më Novoselë për mua.

Trupi i Nasuf Beut u varros me nderimet më të mëdha në xhaminë kryesore të Kolonjës dhe në ceremoninë mortore morën pjesë pothuaj i gjithë qyteti. Tre vjet pas vdekjes së Nasuf Beut, aty nga fundi i vitit 1913, andartët grekë si shenjë hakmarrje ndaj Nasufit, i cili i kishte luftuar gjithmonë ata, na i dogjën shtëpitë tona”, tregonte Siri Novosela, mbi vdekjen dhe nderimet që i’u bënë Nasuf Bej Novoselës në marsin e vitit 1908, nga miqtë e tij dhe populli i Kolonjës, të cilën ai e qeverisi për tridhjet vjet me rradhë.

Persekutimi nga komunistët

Po si rrodhën më pas ngjarjet me familjen e Nasuf Bej Novoselës dhe cili qe fati i saj në vitet e Monarkisë së Zogut dhe ato të regjimit komunist të enver Hoxhës?

Lidhur me këtë, Siriu tregonte: “Pas vdekjes së Nasuf Beut, i pari i familjes Novosela mbeti babai im, Mehdi Beu dhe gjatë viteve të Monarkisë, megjithse ne nuk i kishim dhënë ndonjë përkrahje të madhe regjimit zogist, nuk patëm ndonjë problem dhe ajo qeveri nuk na trazoi, pasi ne shikonim punët tona dhe nuk u përziem fare me politikë. Gjatë viteve të pushtimit fashist, (1939-1944) nga familja jonë dolën partizanë vëllai im, Skënderi dhe një nipi jonë i quajtur Gani Feka. Po ashtu shtëpia jonë aty në Novoselë, u bë një nga bazat e Luftës, ku vinin vazhdimisht dhe strehoeshin nga 30-40 partizanë dhe shumë nga krerët e tyre, si Demir Staravecka, Kamber Cerova etj.

Po kështu përveç partizanëve, në shtëpinë tonë kishin gjetur strehë dhe disa nga krerët nacionalistë të krahinës sonë, si Safet Butka, Xhelal Staravecka etj., të cilët ne i prisnim dhe i përcillnim si jo më mirë. Aty nga viti 1944, krerët komunistë të krahinës sonë, vendosën që të na i digjnin shtëpitë, sepse përveç partizanëve, në shtëpinë tonë ne kishim strehuar edhe ballistë. Pas këtij vendimi, disa herë partizanët e Batalionit “Hakmarrje”, erdhën dhe na i rrethuan shtëpinë, duke kërkuar që të arrestonin babanë tim, Mediun.

Siç morëm vesh më vonë, komandanti i atij batalioni, kishte urdhëruar partizanët që: ‘Mediun ta arrestonin me çdo kusht dhe ai do ta lidhte mbas kalit të tij’ për ta tërhequr zvarrë’ që ta turpëronte përpara fshatit’. Pasi ne e mësuam këtë gjë, babai Mediu’ mundi që të largohet nga shtëpia për në mal’ pa u kapur nga partizanët’ të cilët na e dogjën shtëpinë tonë tre katëshe’ me 22 dhoma’ ku ata vetë kishin ngrënë bukë dhe kishin fjetur sa e sa herë.

Atë natë që na dogjën shtëpinë, mezi mundëm që të shpëtonim nipin tim të vogël, Samiun, të cilin e morri e ëma, që u fut në mes flakëve dhe e nxorri akoma pa u përzhitur nga zjarri.

Pas mbarimit të Luftës, regjimi komunist që erdhi në fuqi, na shpalli “kulakë e armiq të popullit” dhe familja jonë e cila kishte qenë më e pasura e Kolonjës, u katandis si mos më keq, duke vuajtur për bukën e gojës.

I vetmi njeri që na u gjend dhe na strehoi në mullirin e tij, ishte Ali Vllamasi, i cili disa herë ndërmori dhe fushata ndihmash nëpër fshat, duke mbledhur misër e grurë për familjen tone, që të mbanim frymën gjallë”, përfundonte rrëfimin e tij, Siri Novosela, duke dëshmuar për kushtet e vështira në të cilat jetuan gjatë viteve të regjimit komunist pasardhësit e Nasuf Bej Novoselës, njeriut që për 30 vjet me rradhë kishte qeverisur Kolonjën dhe kishte ndihmuar në hapjen e shkollave të para shqipe, të cilit nuk i dihet as varri, pasi në vitin 1967, atë i’a prishën bashkë me xhaminë e Kolonjës.

/Memorie.al

* Për më shume bashkohuni në grupin tonë: https://www.facebook.com/groups/tpz.al/
More in Magazine
Kthjellime dhe vranësira në mesditë, moti për çdo qytet

Moti sot parashikohet i kthjellët me vranësira kalimtare në orët e mesditës në zonat malore në veri, verilindje. Shërbimi Meteorologjik...

Close