X

Analistët shqiptarë të ndajnë mendjen: Jemi apo jo shtet autokrat?!

Nga Ergys Mërtiri

Akti barbar i shkatërrimit të Teatrit Kombëtar, si dhe sjellja brutale ndaj protestuesve e ka nxjerrë zbuluar qeverinë. Këmbëngulja e Kryeministrit për të çuar deri në fund një tekë personale, pa pyetur për ligjet, rregullat dhe procedurat me të cilat funksionon shteti, pa pyetur për reagimin e madh qytetar, e madje as për institucione prestigjioze ndërkombëtare të kulturës, tregon se shteti nuk ekziston më si i tillë. Ngjarja nxori në dritë të diellit faktin se ky pushtet ka kapur tashmë jo vetëm institucionet, mediat dhe shoqërinë civile, por edhe komunitetin e artistëve, të cilët, të varur për rrogë, nuk patën kurajë (përveç disa përjashtimeve) të ngrihen në nivelin e dinjitetit të figurës së tyre për të kundërshtuar një akt kaq flagrant sa ky.

Teatri davariti çdo dyshim se Shqipëria po shkon drejt instalimit të një shteti autokratik. Tashmë është e qartë se vendi ndodhet përballë rrezikut të një regjimi ku shteti, institucionet, politika personalizohen prej një njeriu të vetëm, duke u shndërruar në zgjatime të vullnetit, interesave apo edhe tekave të tij. Por jo vetëm kaq, duke kapur çdo institucion, ky pushtet bëhet i parrëzueshëm, të paktën me mjete politike konvencionale. Kjo do të thotë se demokracia tashmë po shembet.

Megjithatë, ndonëse teza e rrëshqitjes së vendit drejt autokracisë po artikulohet gjithnjë e më shumë, ka një mospërputhje të madhe mbi mënyrën sesi shumë aktorë publikë e komentojnë realitetin. Pavarësisht se e pranojnë këtë, shumë gazetarë, analistë e aktivistë të shoqërisë civile i sheh të vijojnë të flasin nga pozita asnjanëse, ku të gjitha palët konsiderohen njëlloj fajtorë dhe “klasa politike shqiptare” akuzohet në bllok, si produkt i një shkatërrimi të organizuar të 30 viteve tranzicion, duke vijuar me të njëjtën retorikë, gjithashtu 30-vjeçare, të zhgënjimit me establishmentin politik.

Sigurisht, tri dekada demokraci kanë qenë një dështim në shumë aspekte. Korrupsioni i lartë, mosfunksionimi i institucioneve, vjedhja e pronës e shumë e shumë paudhësi të këtij lloji, janë tregues fatalë të dështimit të përpjekjeve të vendit për demokratizim. Vetë fakti i rikthimit të fantazmave të një diktature të re, tri dekada pas rrëzimit të një regjimi të tmerrshëm si ai që kaluam, tregon pikërisht këtë dështim. Por, nëse flasim për një rrezik të demokracisë, nuk ka asnjë kuptim që qeverisjen e sotme ta trajtojmë në vazhdën e qeverisjeve të mëparshme, në kontekstin e një zhgënjimi 30-vjeçar.

Qeverisjet e deritanishme kanë qenë, kush më shumë e kush më pak, të korruptuara, nepotike dhe të paafta për të zhvilluar vendin në ritmet e duhura, por nuk kanë qenë kurrë në gjendje të instalojnë një regjim të tillë kapjeje. Gjithashtu, ato nuk kanë prodhuar kurrë një partneritet të tillë të shtetit me krimin, të shfaqur në mbjelljen e vendit me drogë, fuqizimin e mafies shqiptare në nivel ndërkombëtar, si dhe përfshirjen e organizuar të krimit dhe parave të tij në zgjedhje. Kemi të bëjmë me një autokraci të integruar me një shtet paralel, ku krimi i organizuar, oligarkët, media dhe pushteti politik kanë prodhuar një superstrukturë të frikshme.

Në këto kushte, nuk ka më pikë kuptimi të flasim me gjuhën normale dhe klishetë e zakonshme të asnjanësisë politike që neutralizojnë dallimet dhe relativizojnë problematikën në emër të denoncimit të asaj që quhet rëndom “klasë politike” apo “tranzicion”. Vetë Rama, autori i gjithë kësaj, flet gjithashtu herë pas here me të njëjtën gjuhë për degjenerimin e kësaj klase politike, si dhe për shkatërrimin 30-vjeçar të vendit, siç bëri në mënyrë agresive sidomos gjatë protestës së studentëve dhe kjo nuk e dëmton aspak.

Përkundrazi, atij i intereson që pakënaqësia dhe mllefi kolektiv i njerëzve të shpërndahet në sa më shumë faktorë. E vetmja mënyrë sesi Rama mund të mbijetojë është duke u parë si një e keqe si gjithë të tjerat. E pikërisht, fakti se ai nuk është një e keqe si gjithë të tjerat, do të duhej të përbënte thelbin mbi të cilin duhet mbështetur çdo qëndrim mbi politikën shqiptare.

Analistët shqiptarë duhet të ndajnë mendjen: Ose nuk jemi drejt instalimit të një shteti autokratik, ose, nëse jemi, gjuha e paanshmërisë nuk ka kuptim. Nëse një Kryeministër shfuqizon rendin kushtetues, merr në kontroll dhe monopolizon gjykatat, institucionet e pavarura, median, biznesin, shoqërinë civile, krímin e organizuar dhe qeveris me “WhatsApp” sipas trilleve personale, shoqëria duhet t’i përqendrojë të gjitha energjitë e veta në largimin e tij.

Studimet mjekësore tregojnë se kur qeliza kërcënohet nga një sulm që vë në rrezik jetën e saj, ajo aktivizon një mekanizëm mbrojtës për mbijetesë, i cili bën të mundur ndërprerjen e të gjitha funksioneve jojetësore, për të ruajtur energjinë qelizore në luftimin e çrregullimit. Ky proces quhet autofagi (vetëngrënie) dhe është një mënyrë adaptive e qelizës për të mbrojtur organizmin nga kanceri, parkinsoni apo diabeti. Të njëjtën gjë, trupi ynë e bën në raste traumash apo sëmundjesh, me gjendjen e të fikëtit apo të komës. Për të ruajtur energjitë, organizmi ynë fik të gjitha proceset që nuk janë të domosdoshme, duke i dhënë mundësi vetes të përqendrohet te rreziku.

Shoqëria funksionon shpesh si organizëm dhe në raste traumash të thella vepron në të njëjtën mënyrë. Falë një propagande agresive, qeveria shqiptare ka arritur ta pengojë këtë proces, duke prodhuar një tjetër fenomen reagimi ndaj traumave: amputimin. Ky proces aktivizohet për të mpirë sistemin tonë nervor ndaj dhimbjeve, në mënyrë që trauma të kalohet pa efekte shkatërrimtare.

Kjo ka vrarë reagimin publik, duke e bërë shoqërinë të mos e perceptojë siç duhet rrezikun dhe të mos jetë e kthjellët për të prodhuar reagimet e duhura. Politika e spektaklit që Rama ushtron çdo ditë, përfshi këtu edhe atë të tērrorit pandemik, kanë shërbyer pikërisht për këtë qëllim. Është detyrë e inteligjencës të zgjojë sensibilitetet e duhura për të prodhuar një situatë adaptive efikase, duke kaluar nëpërmjet një procesi autofagie, ndërprerjesh të të gjitha funksioneve jothelbësore, që shpërqendrojnë sistemin nervor të shoqërisë nga kërcënimi.

* Për më shume bashkohuni në grupin tonë: https://www.facebook.com/groups/tpz.al/
More in IDE, LAJME
266 të sëmurë aktivë me koronavirus, këto janë zonat problematike në Shqipëri

Instituti i Shëndetit Publik konfirmoi 13 raste të reja me koronavirus gjatë ditës së sotme duke e çuar në 1...

Close