X

Xhovani Falkone dhe Paolo Borselino; Guximi për të qenë heronj


Papritmas ia behu Ferri. Një e shtunë e nxehtë maji, në orën 5:56 të pasdites, një shpërthim çan autostradën që lidh aeroportin Punta Raisi me qytetin e Palermos, afër daljes për në Kapaçi:500 kg tritol shkatërrojnë 100 metra rrugë të asfaltuar dhe fluturojnë në ajër 2 makina të blinduara. Xhovani Falkone, gjykatësi simbol i luftës antimafia ndërron jetë.

Ishte 23 maji i vitit 1992. 19 korrik, 57 ditë më vonë. Magjistrati Paolo Borselino, i angazhuar bashkë me Falkonen në luftën kundër bandave, po shkonte të vizitonte nënën e tij në rrugën Mariano D’Amelio, në Palermo. Në orën 4:58 të pasdites, ndodh një tjetër shpërthim i jashtëzakonshëm:këtë herë brenda në qytet.

Skena me të cilën u përballën zjarrfikësit ishte e tmerrshnme. Pasojnë ditë plot tension. Familja Borselino, përplaset me autoritetet, dhe nuk pranon një funeral shtetëror. Ajo nuk e dëshiron paradën rituale të politikanëve. Edhe për varrimin e truprojave të tij, krerët e institucioneve u përballën me reagime të ashpra.

Presidenti i ri i Republikës, Oskar Luixhi Skalfaro, dëbohet nga Katedralja e Palermos, teksa shefi i policisë Vinçenzo Parizi e mbrojti nga zemërimi i turmës. Me kalimin e viteve, zhvillime të reja kanë hedhur dritë mbi ato ngjarje, mbi të cilat nuk ka ende një qartësi të plotë. Po kush ishin dy magjistratët symbol, që e sakrifikuan jetën e tyre në shërbim të shtetit? Dhe pse u vranë në një mënyrë aq brutale?

Jetë të ndërlidhura që në fillim

Jetët e Falkones dhe Borselinos ishin të lidhura që në fillim. Që të dy lindën në Palermo: Xhovani më 20 maj 1939, Paolo 8 muaj më vonë, më 19 Janar 1940. Dhe që të dy u rritën në Kalsa, një lagje palermitane me origjinë arabe, një zonë e profesorëve, tregtarëve dhe eksponentëve të klasës së mesme.

Ata e kishin shtëpinë disa dhjetëra metra larg-njërit, dhe ishin miq që fëmijë. Në jetën e Xhovanit të vogël kishte vetëm shkollë, shkuarje në Kishë dhe pak dëfrime. Për babanë e tij të rreptë, udhëtimet dhe pushimet nuk ekzistonin.

“Babai im qëndronte thuajse përherë i mbyllur në shtëpi. Ai krenohej që nuk ishte ulur kurrë për të pirë kafe në një bar”- do shprehej Xhovani më vonë. Edhe e ëma e tij ishte një grua energjike dhe autoritare. Nga ana tjetër në shtëpinë e Borselinos, atmosfera ishte disi ishte më e gjallë.

Aty vinin shpesh miq të familjes, dhe diskutohej shpesh mbi librat dhe filozofinë. Në shkollë Paolo ishte i shkëlqyer. Ngrihej që në orën 5 të mëngjesit për të studiuar, dhe kujtesa e tij fenomenale bëri pjesën tjetër. Prindërit e tij kishin një farmaci në rrugën Vetreria, dhe për këtë arsye i atij ishte një autoritet në lagje.

Xhovani dhe Paolo ndoqën që të dy gjimnazin klasik. I pari falë profesorit të tij të historisë dhe filozofisë, Franko Salvo, mësoi të shpëtonte nga dogmat fetare dhe të kultivonte dyshimet ndaj Kishës, ndërsa braktisi edhe ritualin e shkuarjes në meshën e së Dielës.

Pas diplomimit hyri në Akademinë Ushtarake të Livornos, por më pas ndërroi mendje dhe nisi të studiojë për drejtësi. Ndërkohë Borselino zgjodhi menjëherë studimet për drejtësi, por sapo nisi universitetin, i ati vdiq dhe kushtet ekonomike të familjes së tij u përkeqësuan.

Megjithë vështirësitë, në moshën 22-vjeçare ai u diplomua me notat maksimale. Edhe Falkone u diplomua me nota të larta. Një vit më pas ai u njoh me Ritën:ishte një dashuri në shikim të parë, që u pasua nga martesa. Falkone e nisi karrierën në Lentini si gjykatës i zonës, dhe më pas u transferua në Trapani në vitin 1966, ku qëndroi mbeti për 12 vjet.

Aty nisi të binte në kontakt me realitetin e mafies. Ndërkohë, Paolo kishte nisur karrierën e tij në gjykatën civile të Enës. Në vitin 1967 u emërua magjistrat në Mazara del Vallo të Trapanit, dhe në dhjetor 1968 u martua me Anjeze Leton, me të cilin do të ketë 3 fëmijë. Në vitin 1969 u transferua në Monreale, afër Palermos, ku punoi përkrah kapitenit të karabinierëve Emanuele Bazile, i vrarë nga mafia në vitin 1980.

“Më vranë një vëlla”- do të shprehej Borselino, teksa nisi të hetojë mbi autorët e vrasjes. Ndërkohë, edhe Falkone ishte transferuar në Palermo, ku u mor me gjykimin e sipërmarrësit Rozario Spatola, i akuzuar për lidhje me mafian. Në këtë mënyrë 2 miqtë e vjetër rilidhën kontaktet, dhe filluan shkëmbimin e informacionit në lidhje me hetimet.

“Fshatarët” e Korleones

Por situata në Palermo po ndryshonte me shpejtësi. Falkone kishte vërejtur se të dyshuarit dhe anëtarët e bandave nën hetim, po vriteshin ose zhdukeshin gjithnjë e më shpesh në mënyrë misterioze. Arsyeja? Kishte nisur një luftë mafioze, e cila në muajt e fundit të vitit 1981 dhe në fillimin e 1982-it, shkaktoi 1 të vdekur çdo 3 ditë në kryeqytetin e Siçilisë.

Në fund viktimat ishin rreth 1.200, një shifër e ngjashme me një luftë civile, kryesisht nga radhët e bandave mafioze armike të “bosit të bosëve”, Toto Rina. U zbulua se pas vrasjeve qëndronin  “i viddani” (fshatarët) e Korleones, rreth 70 persona nga qyteza pranë Palermos. Dhe shefi i tyre ishte Rina.

“Lufta” përfundoi në vitin 1983. Por dhuna e korleonezëve ishte kthyer kundër shtetit. Ata vranë shumë zyrtarëve, mes të cilëve edhe gjeneralin e karabinierëve Karlo Alberto Dala Kieza, hero i luftës kundër terrorizmit të Brigadave të Kuqe.

Trupa anti-mafia

Vrasja e gjeneralit Dala Kieza ishte vetëm një ndër hapat në strategjinë e Toto Rinës, që dëshironte një përballje frontale me shtetin italian. Më 29 korrik 1983, një makinë bombë vrau Roko Kiniçin, kreun e Zyrës së Antimafias në Palermo. Për ta zëvendësuar atë, Këshilli i Lartë i Gjyqësorit zgjodhi Antonino Kaponeton.

Ai kuptoi nevojën për krijimin e një grupi magjistratësh, për të pasur një vizion të përbashkët mbi fenomenin e mafias. I pari që u zgjodh në këtë grupim ishte Falkone, që tashmë ishte në një protagonist i luftës kundër “Cosa Nostra”. Me këshillën e Falkones, në të u zgjodh edhe Borselino. Ky grup nisi të funksionojë me një ritëm të shpejtë, ndërsa po shtoheshin të penduarit që bashkëpunonin me drejtësinë.

Më i rëndësishmi ishte Tomazo Busheta, “Don Mazino”, që në luftën kundër Toto Rinës kishte humbur 2 fëmijët, 1 vëlla, 1 kunat dhe 4 nipër. Trafikanti i drogës, ishte arratisur në Brazil, ku u arrestua dhe më pas u ekstradua në Itali. Ai donte të bashkëpunonte, por dëshironte të fliste vetëm me numrin 1 të grupit anti-mafia:Xhovani Falkonen.

Falkone e mori për ditë me radhë në pyetje dhe Busheta foli. Rezultati:366 urdhër-arreste u lëshuan vetëm më 29 shtator 1984. Falkone kujton:”Para dëshmisë së Bushetës, ne kishim vetëm një ide sipërfaqësore mbi fenomenin mafioz. Ai na dha konfirmime të shumta mbi strukturën, teknikat e rekrutimit, funksionet e Cosa Nostras. Por mbi të gjitha një vizion global mbi fenomenin”.

Rina kundërpërgjigjet

Ndërkohë, Toto Rina po përgatiste një verë të përgjakshme. Në korrik dhe gusht 1985 u vranë zyrtarët Bepe Montana, dhe Nini Kasara, ky i fundit bashkëpunëtor i ngushtë i Falkones. Frika nga atentatet ishte e fortë. Të dy magjistratët me familjet e tyre përkatëse, u transferuan me nxitim në Azinara, për të përfunduar hetimin paraprak të “Procesit të Madh”, që nisi më 8 nëntor të po atij viti.

Gjyqi me 475 të pandehur, ishte goditja më e madhe ndaj mafies që ka ndodhur ndonjëherë në Itali. Ai përfundoi më 16 dhjetor 1987, me 360 ​​dënime dhe 114 lirime. Kaponeto e konsideroi të mbyllur përvojën e tij në Palermo. Ai ishte i sigurtë se vendin e tij do e zinte Falkone.

Por për shkak të klimës së tensionuar politike në atë post u emërua në vitin 1988 Antonino Meli.

Menjëherë Meli nisi t’u caktojë hetimin e mafiozëve magjistratëve jashtë grupit të famshëm anti-mafia, ndërsa Falkone dhe kolegët e tij nisën të anashkalohen. Përplasja Meli-Falkone arriti kulmin  pas hetimit mbi rrëfimet e penduarit Antonino Kalderone.

Meli donte ta ndante procesin në 12 dosje (sipas juridiksionit territorial), ndërsa Falkone këmbënguli që me këtë çështje të merrej grupi i posaçëm anti-mafia. Sërish në fund triumfoi Meli. Falkone kërkoi që të caktohej në një zyrë tjetër, dhe u emërua ndihmësprokuror në prokurorinë publike.

Më vonë u largua nga Palermo për të marrë drejtimin e çështjeve kriminale në Romë. Por as në kryeqytet, Falkone nuk hoqi dorë nga lufta kundër mafias. Ndërkohë, Paolo Borsellino ishte kthyer në Palermo si ndihmësprokuror, dhe me një rol menaxherial në hetimet mafioze.

Hakmarrja finale

I tërbuar nga dënimi me burgim të përjetshëm në mungesë, Toto Rina donte të hakmerrej. Më 12 mars 1992, u vra Salvo Lima, kreu i rrymës andreotiane të demokristianëve në Siçili. Më pas erdhi Masakra e Kapaçit e 23 majit, ku veç Falkones, dhe gruas së tij Françeska Morvilo me të cilën ai u martua në vitin 1986 pas divorcit nga Rita, humbën jetën edhe 3 truproja.

I vetmuar dhe i lënduar nga vdekja e mikut të tij, Paolo Borselino punoi me intensitet të madh në 2 muaj që pasuan. Vdekja e tij, siç e kanë pranuar disa mafiozë të penduar, ishte e planifikuar prej kohësh. Duke parandjerë tradhëtinë e shtetit italian, Borselino i tha më 13 korrik 1992 gruas së tij Anjeze:”Mafia do të më vrasë kur të vendosin të tjerët!”.

Më 17 korrik, për habinë e të gjithëve, ai përshëndeti kolegët e tij një nga një duke i përqafuar. Më 19 korrik në Palermo bënte shumë vapë. Magjistrati vendosi të vizitojë nënën e tij që banonte në rrugën D’Amelio. Dy minuta para orës 5 të pasdites, shpërthimi i bombe në një makinë të makinë të parkuar aty pranë, që vrau atë dhe 5 truprojat që e shoqëronin, u dëgjua në të gjithë Palermon. “Gjithçka mori fund!”- ishte komenti i Antonino Kaponetos.

Mos hiq dorë asnjëherë

Por vetë Kaponeto, në vitet e fundit të jetës, udhëtoi anembanë Italisë për të rrëfyer në shkolla historinë e dy heronjve, duke deklaruar se “betejat në të cilat njeriu beson, nuk janë asnjëherë beteja të humbura”. Toto Rina vdiq më 17 nëntor 2017 në pavionin e paraburgimit në Spitalin Maxhore të Parmës, ndërsa Bernardo Provencano vdiq ndërsa vuante dënimin e tij të përjetshëm në një burg të sigurisë së lartë. Korleonezët u goditën fort, por beteja kundër mafias është ende e gjatë. “Mjegulla” në Siçili është ende e trashë.

Marrë me shkurtime nga Focus.it –Perktheu: Bota.al

* Për më shume bashkohuni në grupin tonë: https://www.facebook.com/groups/tpz.al/
More in BLOG
Teatri dhe Këshilli Bashkiak, si Kombëtarja “B” e Ramës

Nga Spartak Topollaj Tashmë, askush nuk çuditet më në Shqipëri nga “origjinaliteti” ekzibicionist i Kryeministrit tonë. Duke sunduar si autokrat,...

Close