X

Calavera, shefja e ONM-së, kërkon të kthejë faktin e turpshëm në triumf të drejtësisë


Nga Vincent W.J. van Gerven Oei

Është një pamje për t’u soditur. Tani, gati katër vjet pas miratimit të Reformës në Drejtësi, shefja e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit (ONM), Genoveva Ruiz Calavera, ja doli të marrë lapsin dhe të shkruajë një editorial për t’u patur zili, që u përqafua menjëherë me krenari nga Ambasadori i BE-së Luigi Soreca në llogarinë e tij në Twitter.

Arsyeja e këtij shkrimi të rëndësishëm në lëminë e argumentimit nuk ishte emërimi antikushtetues i një prokuroreje të përgjithshme, as ngërçi midis Presidentit dhe Këshillit të Emërimeve të Drejtësisë për kandidatët e Gjykatës Kushtetuese, e as që mund të mendohej të ishte për përpjekjen e qeverisë për të marrë nën kontroll Prokurorinë e Posaçme Kundër Korrupsionit (SPAK).

Jo, Calavera shkruajti një artikull për të shfajësuar ONM-në e saj—dhe për rrjedhojë Komisionin Evropian—nga çdo faj për një rast që ka tronditur themelet e Reformës në Drejtësi: pezullimin e gjyqtarit të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, Luan Daci.

Përballë dëmit të pashmangshëm që pezullimi i Dacit dhe dënimi i mundshëm penal i tij do t’i shkaktojë besueshmërisë së vetingut dhe rrjedhimisht Reformës në Drejtësi, Calavera kërkon ta kthejë këtë fakt të turpshëm në një triumf të drejtësisë.

Duke argumentuar se hetimi i Dacit “nuk duhet të jetë justifikim për të sulmuar reformën në drejtësi,” Calavera pretendon se “përkundrazi duhet parë si prova më konkrete që sistemi ka filluar të funksionojë në mënyrë efikase”.

Më lejoni ta sëqaroj. Jo, hetimi i Dacit nuk jep asnjë provë se sistemi i drejtësisë “ka filluar të funksionojë në mënyrë efikase”.

Problemet me përmbushjen e kritereva nga Daci ishin të njohura të paktën që nga ankesa fillestare, në shkurt të 2019, e ish-anëtares së Këshillit të Lartë të Prokurorisë (KLP) Antoneta Sevdari. Por ankesa e saj u refuzua nga KPA. U refuzua me delikatesë edhe nga ONM-ja. Ndaj, Sevdari i është drejtuar Strasburgut.

Akuzat e saj u pranuan më në fund nga SPAK, vetëm kur ish kolegu i saj, Besnik Cani, bëri kallëzim penal pranë këtij organi të sapokrijuar.

Në fakt, hetimi i Dacit  është dëshmi se sistemi i drejtësisë funksionon pavarësisht vetë sistemit. Në asnjë moment Kalavera apo dikush tjetër nga BE nuk kërkuan hetim mbi të kaluarën e Dacit, qoftë edhe vetëm për të larguar dyshimet. Në asnjë moment Sevdari nuk mori mbështetje për ankesat e saj në lidhje me cilësinë e gjyqtarëve në komisionet e vetingut.

Vetëm, tani, kur Daci u pezullua dhe ka mundësi të vërtetë që ai të dënohet, Kalavera brohoret suksesin e reformës “së saj”.

Përkundrazi, Kalavera do të bënte mirë të reflektone nëse ONM-ja e saj ka bërë vërtet punë të mirë.

ONM-ja  ka qenë e përfshirë në vlerësimin e kandidatëve për institucionet e vetingut dhe në konfirmimin e Dacit si gjyqtar i KPA-së.

Aneksi Kushtetuese shprehet qartë (neni C.7) se “një komision i përbërë nga të paktën tre përfaqësues të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit do t’i vlerësojë kandidatët, në përputhje me ligjin”.

Por, ky vlerësim, të paktën në rastin e Dacit, duket se ka qenë mediokër, në rastin më të mirë. Në një deklaratë të fundit publike, ONM-ja u përpoq të mbrohej, duke pretenduar se kishte vetëm dy javë kohë për të vlerësuar të gjitha dosjet:

Vëzhguesit e ONM-së kishin një periudhë prej katërmbëdhjetë ditësh për të shqyrtuar të gjithë dokumentacionin e paraqitur nga kandidatët dhe më pas nxorën vlerësimin dhe rekomandimet e tyre të arsyetuara (sipas Nenit 7, paragrafi 7 i Ligjit 84/2016)

Por ligji nuk tregon realitetin.

Më 17 shkurt 2017, Avokati i Popullit publikoi listën e kandidatëve të kualifikuar për institucionet e vetingut. Luan Daci nuk ishte në këtë listë të parë, por dosja e tij, së bashku me të gjithë të tjerët, ju përcoll ONM-së për vlerësim.

Meqë kishte vetëm 29 kandidatë të kualifikuar, Gramoz Ruçi i kërkoi Avokatit të Popullit—pa asnjë bazë ligjore— të rihapë aplikimet në mënyrë që aplikantët të kenë  kohë më shumë për të paraqitur dokumentet përkatëse.

ONM-ja i rimori dosjet e aplikantëve më 30 mars. Kësaj rradhe Avokati i Popullit kishte dhënë vlerësim pozitiv për Dacin. Nuk dihet se cilat ishin dokumentet shtesë që ai dorëzoi për të vërtetuar kualifikimet e tij.

ONM-ja i dërgoi rekomandimet përfundimtare Avokatit të Popullit më 6 prill. Në atë kohë, ONM kishte pasur kohë për verifikimin e dosjes së Daci për më shumë se 6 javë, por nuk qe në gjendje të kuptonte se Daci ishte pushuar nga puna.

Në mbrojtje të vetes, ONM-ja u justifikua para dy ditësh:

Për çështjen specifike që lidhet me mosveprimin e pretenduar të Z. Daci për t’iu nënshtruar një veprimi disiplinor gjatë kohës që shërbente si gjyqtar, ONM-ja vëren se në dokumentacionin dhe jetëshkrimin e dorëzuar nga aplikanti në vitin 2017, dhe që u është vënë në dispozicion vëzhguesve në atë kohë, kishte vetëm referencë për përvojën e tij profesionale si avokat dhe nuk kishte të dhëna për mandatin e tij të mëparshëm si gjyqtar.

Mbrojtja që i bën vetes me këtë argument është një rreth vicioz: nuk e dinim që ai u pushua nga puna sepse nuk ishte në CV-në e tij! Dhe këta njerëz ishin ngarkaur për të “vlerësuar” kandidatët për një nga institucionet më të rëndësishme të Reformës në Drejtësi…

Kalavera pretendon se Reforma në Drejtësi ka “themele të forta”, por si duhet të besojmë se ONM është me të vërtetë në gjendje të vlerësojë me kompetencë dosjet e qindra gjyqtarëve dhe prokurorëve kur ata nuk ishin në gjendje, gjatë fazës thelbësore e fillestare të Reformës në Drejtësi , për të vërejtur një largim të thjeshtë në një CV?

Si duhet të besojmë në këto “themele të forta” kur është e qartë se Kushtetuta dhe kuadri ligjor përkatës janë plot boshllëqe, kontradikta dhe paqartësi?

Themelet e Reformës në Drejtësi janë të dobëta, dhe Kalavera po përpiqet ta mbulojë këtë realitet duke na nxitur të ecim “përpara, për të mirën e qytetarëve shqiptarë!”

Nëse ka një të vërtetë ajo është se veprimi i Calaverës zbulon edhe një herë qëndrimin thellësisht kolonial të burokratëve të BE-së që bredhin në rrugët e Bllokut – aspak të gatshëm dhe të paaftë për t’u përballur me gabimet e tyre, ata fshihen pas retorikës së zbrazët për “më shumë vendosmëri dhe angazhim”.

Opinioni i Calaveras nuk kishte as shenjë vendosmërie dhe as angazhimi. Kjo tregon se BE-ja akoma mendon se ata mund t’ja hedhin mediokritetit të tyre pa mbajtur përgjegjësi për pasojat e tij.

exit.al

* Për më shume bashkohuni në grupin tonë: https://www.facebook.com/groups/tpz.al/
More in IDE
Edi Rama mes Ard Veliut dhe Ard Daullxhiut

Nga Armand Shkullaku Pas skandalit të drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, çeshtja nëse ai do duhej të qëndronte ende në...

Close