X

Trump kërcënon Twitter-in me mbyllje: Po ndërhyn në zgjedhjet presidenciale 2020 të SHBA

Presidenti Trump kërcënoi të mërkurën se do të marrë masa për rregullimin ose mbylljen e kompanive të caktuara të mediave sociale.

Kërcënimi vjen një ditë pasi kompania Twitter Inc për herë të parë u shtoi një paralajmërim disa prej tweet-eve të Presidentit, duke i shtyrë lexuesit të kontrollonin me fakte disa nga pohimet e tij.

Twitter paralajmëron se pretendimet e presidentit për dërgimin e votave me postë ishin të pavërteta dhe të kundërshtuara nga faktet.

Presidenti kishte thënë përmes një postimi se votat e dërguara me postë do të bëheshin shkak për “manipulime të konsiderueshme” duke sjellë zgjedhje të manipuluara.

Sot në mëngjes Presidenti shkroi në Twitter se “Republikanët ndiejnë se platformat e mediave sociale i lënë në heshtje të plotë zërat konservatore. Ne do t’i rregullojmë ato fuqishëm, ose do t’i mbyllim para se të lejojmë që kjo të ndodhë”.

PARALAJMËRIMI I TWITTER

Të martën kompania Twitter për herë të parë paralajmëroi përdoruesit të kontrollojnë faktet në postimet që vë Presidenti Trump në Twitter. Kompania paralajmëron se pretendimet e presidentit për dërgimin e votave me postë ishin fallso dhe ishin kundërshtuar nga faktet.

Një pikëçuditëse ngjyrë blu nxit përdoruesit të “kontrollojnë faktet për votat” dhe i drejtonte lexuesit që klikonin mbi të në një faqe me artikuj lidhur me këtë temë.

“Presidenti Trump ngre pretendime të pabaza se fletëvotimet e dërguara me postë do të çojnë në falsifikime votash” shkruante një faqe pasuar me shpjegime për ato që i cilësonte si pretendime fallso.

Presidenti kishte thënë përmes postimit në Twitter se votat e dërguara me postë do të sillnin “manipulime të konsiderueshme” duke sjellë zgjedhje të manipuluara. Ai veçoi guvernatorin e Kalifornisë lidhur me këtë temë, megjithëse ky nuk është shteti i vetëm që lejon vota me postë.

“Unë, si President, nuk do të lejoj që kjo të ndodhë,” tha ai.

Kalifornia po planifikon t’i dërgojë çdo votuesi të regjistruar një fletëvotim me postë për zgjedhjet e 3 nëntorit. Ky plan bëri që Komiteti Kombëtar Republikan të padisë guvernatorin e Kalifornisë, Gavin Newsom.

Sekretari i shtetit i Kalifornisë Alex Padilla tha se hapi i ndërmarrë nga Twitter-i për t’u shtuar shenjën e paralajmërimit tweet-eve të Presidentit Trump “është një hap i vogël në drejtimin e duhur. Por ne të gjithë mund të bëjmë pjesën tonë për të ekspozuar gënjeshtrat.” “Presidenti, – tha ai, – po përhap me qëllim informacione të rreme për votimin me postë, duke u përpjekur haptazi të shtypë votën.”

Twitter pohoi se kjo ishte hera e parë që vendoste një paralajmërim lidhur me një postim të presidentit, që lidhet me politikën e re të kësaj kompanie të vënë në funksionim në fillim të muajit për të luftuar dizinformimin.

/VOA

* Për më shume bashkohuni në grupin tonë: https://www.facebook.com/groups/tpz.al/
More in BOTA, LAJME
Meta: Platforma që propozova mbron Reformën në Drejtësi. Qëllimi i vetëm, zbatimi i Kushtetutës dhe 15 kushteve të BE

Presidenti Ilir Meta sqaron plaftormën e tij me 14 pika për realizimin e Reformës në Drejtësi dhe integrimin e Shqipërisë...

Close