X

Ministria e Drejtësisë: Të nisin gjyqet me rregullat anti-covid

Ministria e Drejtësisë me anë të një akti normative, propozon që të nisin gjyqet në vend, me rregullat e Covid-19, sipas një protokolli të përcaktuar higjieno-sanitar.

Kërkesa e ministrisë së Drejtësisë i është përcjellë Këshillit të Ministrave ku kërkohet ndryshimi i aktit normativ.

Ndërkohë, interesimit të Abc News, Këshilli i Lartë Gjyqësor deklaroi se gjyqet jo urgjente do vazhdojnë të jenë të pezulluara deri në fund të gjendjes së jashtëzakonshme.

Vendimi

Në mbështetje të nenit 101 të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Drejtësisë dhe të ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Këshilli i Ministrave.

VENDOSI:

Në aktin normativ nr. 9, datë 25.03.2020 “Për marrjen e masave të veçanta në fushën e veprimtarisë gjyqësore, gjatë kohëzgjatjes së gjendjes së epidemisë së shkaktuar nga COVID-19, bëhen këto ndryshime:

Neni 1

Neni 3, pika 1, ndryshohet si më poshtë vijon:

Gjatë kohëzgjatjes së gjendjes së epidemisë së shkaktuar nga COVID-19 gjykatat zhvillojnë seancat gjyqësore duke zbatuar masa organizative specifike për zhvillimin e proceseve gjyqësore, të nevojshme për të shmangur grumbullimet në ambientet e gjykatave dhe brenda sallave gjyqësore sipas rregullave që miratohen në përputhje me parashikimet e nenit 3, pika 4 të këtij akti normativ.

Neni 3, pika 2 shfuqizohet.

Neni 3, pika 3, shfuqizohet.

Në nenin 3, pika 4, shkronja “ç” fjalia “për çështjet e parashikuara në pikën 3, të këtij neni, në zbatim të pikës 2,të nenit 20, të ligjit nr.49/2012, “Për organizimin dhe funksionimin e
gjykatave administrative dhe gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative”, të nenit 173, të Kodit të Procedurës Civile, ose të nenit340, të Kodit të Procedurës Penale” shfuqizohet.

Neni 2

Neni 4 ndryshohet si më poshtë vijon:

Neni 4

Pjesëmarrja në distancë në seanca gjyqësore

Gjykata mund të vendosë që pjesëmarrja e palëve, ndërhyrësit kryesor, ndërhyrësit dytësor, personit të tretë ose përfaqësuesve të tyre, prokurorit, avokatit të shtetit, dëshmitarëve, ekspertëve, përkthyesve si dhe çdo pjesëmarrësi tjetër të interesuar, në të gjitha seancat gjyqësore të sigurohet nëpërmjet ndërlidhjes audiovizive në distancë, duke përdorur programe kompjuterike të përshtatshme për këtë qëllim. Këshilli i Lartë Gjyqësor, pas marrjes së mendimit të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Prokurorit të Përgjithshëm, Dhomës Kombëtare të Avokatisë dhe Ministrit të Drejtësisë, cakton listën e programeve kompjuterike të përshtatshme për këtë qëllim.

Mënyra e ndërlidhjes në distancë duhet të sigurojë në çdo rast shikueshmërinë e ndërsjellë të personave të pranishëm në të dyja vendet e ndërlidhura dhe mundësinë e dëgjimit nga të gjitha palët. Nëse parashikohet pjesëmarrja e disa palëve ose pjesëmarrësve të tjerë në proces, secili prej tyre duhet të vendoset në kushte që të mund të shikojë dhe të dëgjojë të tjerët.

Në rastet kur seancat gjyqësore zhvillohen në distancë, provat, dokumentet shkresor si dhe çdo akt tjetër procedural i paraqiten gjykatës ose edhe palëve nëpërmjet mjeteve të komunikimit elektronik si dhe dërgohen, brenda të njëjtës ditë, nëpërmjet shërbimit postar, me dërgesë të porositur. Dëftesa e marrjes në dorëzim duhet të ruhet nga palët deri në marrjen e vendimit formë të prerë. Në rast se pala nuk i dërgon aktet, sipas kësaj pike, konsiderohet që ato nuk janë paraqitur.

Neni 3

Aktet nënligjore

Këshillat dhe organet e administrimit gjyqësor të çdo gjykate, miratojnë masa organizative specifike për zhvillimin e proceseve gjyqësore, sipas përcaktimit të pikës 4, të nenit 3, të aktit normativ nr. 9 “Për marrjen e masave të veçanta në fushën e veprimtarisë gjyqësore, gjatë kohëzgjatjes së gjendjes së epidemisë së shkaktuar nga covid-19”,miratuar me ligjin nr. 30/2020, jo më vonë se 5 ditë nga hyrja në fuqi e këtij akti normativ.

Neni 4

Dispozitë tranzitore

Afatet që kishin filluar të ecin por u pezulluan sipas nenit 3, pika 2, të aktit normativ nr. 9 “Për marrjen e masave të veçanta në fushën e veprimtarisë gjyqësore, gjatë kohëzgjatjes së gjendjes së epidemisë së shkaktuar nga covid-19”, fillojnë nga data e hyrjes në fuqi të këtij akti normativ për pjesën e paplotësuar të afatit. Afatet që duhet të fillonin gjatë periudhës së pezullimit, fillojnë nga data e hyrjes së fuqi të këtij akti normativ.

Neni 5

Shfuqizime

Aktit normativ nr. 13, datë 2.4.2020, “Pёr marrjen e masave tё veçanta nё fushën e veprimtarisë sё shërbimit përmbarimor gjyqësor, ndërmjetësimit dhe administrimit tё procedurave tё falimentimit gjatë kohëzgjatjes sё gjendjes sё epidemisë sё shkaktuar nga covid-19”, miratuar me ligjin nr. 34/2020”, shfuqizohet.

* Për më shume bashkohuni në grupin tonë: https://www.facebook.com/groups/tpz.al/
More in AKTUALITET, LAJME
Grabitën çantën me 250 milionë lekë nga makina e biznesmenit, zbardhet dëshmia: Nuk e dinim që kishte aq shumë para, u habitëm dhe ne vetë!

Zbardhet dëshmia e dy autorëve të grabitjes së 250 milionë lekëve të vjetra nga makina tip “Range Rover” e biznesmenit...

Close