X

Karolina e Veriut me kufizime nga koronavirusi, Trump paralajmëron se do ta zhvendosë konventën e partisë në shtet tjetër

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, paralajmëroi se mund ta zhvendosë konventën e Partisë së tij Republikane nga Karolina e Veriut, për shkak të kufizimeve nga koronavirusi atje.

Karolina e Veriut është ende në fazën e dytë të rihapjes dhe tubimet e mëdha i ka të ndaluara. Konventa e Partisë Republikane është parashikuar të mbahet në muajin gusht.

Pandemia e koronavirusit ka bërë që Trump dhe kandidati i pritshëm demokrat për president të Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, t’i anulojnë tubimet e fushatave.
Disa kanë shprehur shqetësimet se konventat e partive, që zakonisht janë të mbushura me delegatë, mund të nxjerrin probleme për shëndetin.

Përmes një postimi në “Twitter”, Trump tha se nëse guvernatori demokrat i Karolinës së Veriut, Roy Cooper, nuk përgjigjet menjëherë “nëse do ta lejojë ose jo mbushjen e hapësirës [me njerëz]”, atëherë partia e tij do të gjejë një vend tjetër për mbajtjen e konventës.

Zyra e guvernatorit Cooper nuk iu përgjigj menjëherë kërkesave të mediave për komente. Konventa e Partisë Republikane është parashikuar të nisë më 24 gusht, ndërsa ajo e Partisë Demokratike më 17 gusht në Uiskonsin.

Në këto konventa konfirmohen kandidatët e dy partive për president. Zgjedhjet në SHBA pritet të mbahen në nëntor, ndërsa Trump do të garojë për rizgjidhje.
Shtetet e Bashkuara kanë numrin më të madh të të prekurve me koronavirus: mbi 1.6 milion të infektuar dhe mbi 97,000 të vdekur.

* Për më shume bashkohuni në grupin tonë: https://www.facebook.com/groups/tpz.al/
More in BOTA, LAJME
Bashkia Tiranë mban akoma si ‘Atraksion në Tiranë’ Teatrin Kombëtar

Teatri Kombëtar që sot është një gërmadhë në mes të Tiranës, qëndron ende në këmbë në uebsitin e Bashkisë që...

Close