X

Mirëmëngjes talebanë, ju barbarë qe vrātë teatrin!


Nga Koloreto Cukali

Dje ishte dita e parë e diktaturës. Dje, ishte një ditë e bukur me diell. Për ata që mund të mos e mbajnë mend, në diktaturën e para ’90-s kishte gjithashtu ditë të bukura me diell. Kishte dhe pikniqe, dhe njerëz që shëtisnin të qeshur me kalamajtë.

Dje, mund të ketë qenë për disa një ditë e zakonshme, me postime gazmore në FB, me meme, shakara, e ndoshta dhe për të kthyer një gotë verë.

Por dje ishte dhe dita e parë e diktaturës. Ata që e menduan dhe e besojnë se ishte ditë e zakonshme, nuk e dinë ose nuk dëshirojnë ta dinë që diktaturat nuk vinë brenda një dite të vetme. Diktatuat instalohen nga pak ditë pas dite, madje edhe Hitleri erdhi në pushtet me votë.

Por pak nga pak, ditë pas dite, ai që erdhi në pushtet me votë fillon e mendon që pushteti është e drejtë e përjetshme, herën e dytë i fabrikon votat, bëhet i pasur bashkë me klanin e vet sepse votat duhen dhe blerë, pastaj bën ligje për t’u mbyllur gojën mediave kritike, pastaj mbyll ca media, ndërkohë që fuqizon makinerinë e propagandës për të krijuar iluzionin e lirisë e të demokracisë, pastaj shtie në dorë, intimidon ose paralizon gjyqësorin, pastaj fillon e bën ligje anti-kushtetuese që grabisin pronën ose kufizojnë liritë bazë të njeriut, derisa shkel dhe ligjet që ka bërë vetë sepse, siç thoshte Mbreti Diell, “ligji jam unë”. Dhe në fund fare, nëse pas tërë këtyre ka akoma qytetarë që guxojnë të kërkojnë shtet ligjor, tregon grushtin dhe tregon forcën e vet në mënyrë të shproporcionuar për të mbjellë frikë.

Dje, pavarësisht se shumë njerëz mund të mos e kenë kuptuar akoma, ishte dita e parë e diktaturës.

Ajo që ndodhi nuk ka lidhje me Teatrin si ndërtesë, por me faktin që në këtë shtet ligji nuk mbron dot asgjë e askënd, që “ligji” është vullneti i më të fortit dhe më i forti sulmoi 20 artistë e profesorë me FNSH e me RENEA, me automatikë e gaz lotësjellës.

Dje ishte 21 janari i Edi Ramës. Vetëm se në vend të 4 njerëzve, vrāu ndërtesa. Pas 2 Teatrove e ka rradhën Teatri i Kukullave, Galeria e Arteve dhe Muzeu.

Mbreti Diell dhe satelitët

Diktaturat nuk bëhen dot nga një njeri i vetëm. Diktaturat kanë dhe një kope me oborrtarë, gazetarë, artistë, analistë e specialistë që i japin jo vetëm “një dorë” por edhe një fytyrë justifikimit të asaj që po ndodh në emër “të progresit”. Edhe Gëbelsi ishte amator i madh i filmit,vazhdimisht i shoqëruar me yjet e kinemasë së Rajhut, një pjesë shumë të talentuar.Gëbelsi ishte dhe mjeshtër për t’i përdorur ato yje për propagandën e vet naziste, një mjeshtëri që ua trashëgoi brezave.

Çdo diktaturë, ka nevojë për fytyra, këmbë e krahë për të përmirësuar imazhin e vet dhe për të çuar përpara propagandën e vet.

Të shembësh Teatrin, sipas fjalëve të z.Rama në vitin 2010 kur ishte në opozitë është talebanizëm, sepse, e citoj, “nuk e pranoj dot talebanizmin në raport me objektet, sepse i çfarëdo kohe qoftë dhe me çfarëdo arsye u motivoftë është talebanizëm”. Besoj, ka dashur të bëjë paralelizëm me shembjen 2 statuajve të Budës nga Talibanët para nja 20 e kusur vitesh, njësoj si 2 Teatrot që u shembën sot. Edhe talebanët kanë pasur argumentet e veta për shembjen, shoqëruar dhe nga kori i mbështetësve.

Që të shembje Teatrin duhej të kishe ca barbarizëm brenda vetes, apo duke cituar z. Rama, dhe shumë talebanizëm.

Me shumë të drejtë, z. Rama kërkoi që këtë barbarizëm ta ndante bashkë me ca të tjerë. Në këtë rast, çdo diktaturë e ka dhe një kryeqehaja.

Duke e kuptuar shumë drejt situatën edhe Kryetari i Bashkisë, z. Veliaj, vendosi që talebanizmin ta ndante me ca të tjerë.

Specialistët e Shqipërisë

Të parët në rradhën për të ngrënë goditjet u nxorën specialistëte Institutit të Ndërtimit, një institut i varur nga Qeveria. Ata që në 2018-n dhanë një akt-ekspertizë që është hartuar në rrethana të dyshimta e pa oponencë teknike. Sikur të mos mjaftonte kjo, pa ardhur fare në Teatër, në 2020-n firmoset një akt-ekspertizë e re nga po një grup specialistësh nga ky Institut.Bashkia ua kërkon ekspertizën në datën 11 maj, ata e dorëzojnë në datën 13 maj, që Bashkia të marrë vendim për ta shembur në datën 14 maj. Janë 5 firma, ku 3 prej atyre që firmosin nuk kanë shkelur fare në Teatër. Këta specialistë kanë arritur në përfundim prishjeje duke u mbështetur në një akt ekspertize të paplotë teknike dhe pa respektuar proçedurat ligjore për të marrë këtë vendim.

Në rrethana të tjera, ndoshta në një shtet tjetër (e thënë ndryshe në një shtet-shtet e jo shtet Facebook-u) ata mund të ishin profesionistë që bëjnë punën e tyre me seriozitet dhe respektohen për integritetin e tyre. Por jo në Shqipëri. Në Shqipëri, ata janë të detyruar t’i vënë firmën personale një akti të dyshimtë me pasoja edhe ligjore.

5 firma për të rrafshuar një ndërtesë të çertifikuar si Trashëgimi Kulturore Europiane. Këta të 5-të, janë: Agron Hysenlliu, Afrim Cenga, Artur Hasantare, Olsi Nunaj,  Elbarina Kola.

Ata nuk janë të vetmit. Shqipëria është plot me specialistë që për t’i bërë hyzmetin vendit të punës shpesh detyrohen edhe të firmosin akte që janë kundër ndërgjegjes apo profesionalizmit të tyre. Grabitja e shkatërrimi i vendit është bërë nga babëzia e atyre qeverisin, po shkresat janë firmosur nga “specialistët”.

Shqipëria tjetër nuk mund të ndërtohet nëse ligji nuk nis të ndëshkojë së pari mashat e pushtetit, të cilët shkatërrojnë me firmën e “specialistit”.

Kukullat e Bashkisë

Teatri i Kukullave është në radhë për të t’u bërë kurban. Më pas Galeria e Arteve e më pas Muzeu.

Ata që janë në majë të pushtetit, e dinë se çfarë po bëjnë.Për të shmangur mundësitë e një burgu nesër, gjithmonë gjejnë bedelë që të vënë firmën pa u menduar dy herë poshtë akteve anti-ligjore e vendimeve të dyshimta. Edhe pse promotori i krīmīt, z. Rama nuk ka asnjë firmë në asnjë dokument që ta inkriminojë nesër, dhe kur ka qenë i detyruar ka vendosur zëvendësministren të firmosë për të.

Ky proces, është senidizimi i shtetit. Shkohet me idenë që nuk na gjen gjë, po në rast se do vihet ndonjëherë shtet ligjor, le ta hanë “senidat”.

Shembja e TK, si një akt ilegjitim u është lënë në derë 60 kukullave të dala nga palo-zgjedhjet vendore, në krye të të cilëve njëfarë Toni Gogu, me sa duket Kryetar i Këshillit të Kukullave.

Një nga problemet pak të diskutuar mbi zgjedhjet vendore është që krejt debati zhvendoset te Kryetari i Bashkisë, ndërkohë që Këshilli Bashkiak është një forcë e jashtëzakonshme vendim-marrëse. Qytetarët shqiptarë nisen me idenë që po votojnë një person, Kryetarin, por nuk janë të informuar që ai vjen me një listë kukullash që quhen këshilltarë bashkiakë. Këto kukulla, dhe në zgjedhje normale shumë-partiake janë anonimë që nuk përfaqësojnë askënd, imagjino sa “përfaqësues” janë kur kanë dalë nga zgjedhjet mono-partiake ku mezi votuan 15% e popullsisë, shumica punëtorë administrate të detyruar për të treguar gishtin me bojë.

60 kukullat anonime kanë vënë emrin mbi një akt të paligjshëm që shkatërroi brenda natës një Trashëgimi Kulturore Europiane, të çertifikuar nga Europa Nostra.

Ndoshta shkojnë me idenë që duke qenë turmë anonimësh nuk do merret njeri kurrë me ta. Ndoshta burgu u duket probabilitet i ulët. Kostoja e tyre për të hyrë në politikë është kjo: të jenë talebanët këmbësorë të një kauze kriminale.

Lista e artistëve

Për të shpërndarë dhe më tej talebanizmin mbi Teatrin, Bashkia nxori listën e radhës.

Në të gjithë botën, artisti është në princip kundër sistemit, kundër qeverisë. Sepse arti, është përherë revoltë. Në të gjithë botën, arti ngrihet duke respektuar atë që ka qenë, traditën dhe kujtesën. Artisti, në thelb është qenie anti-rruspë.

Por jo artistët jo të lirë të diktaturave.

Në të njëjtën kohë kur talebanët hidhnin në erë 2 statujat e Budës, Kryetari i Bashkisë i 2002-shit donte ta shembte Teatrin e ta bënte pallat. Z. Rama i asaj kohe u tha aktorëve që propozuan që ndërtesa të bëhej muze: “Ç’e doni, të varni brekët e Violeta Manushit? Brekët e kuqe të Violeta Manushit nuk janë brekët e Greta Garbos.” Ajo fjali përmblidhte tërë përbuzjen, cinizmine përdhosjene artistëve që mbartëte brenda vetes Kryetari biznesmen i asaj kohe. U desh guximi i të madhit Luftar Paja që t’ia kthente mbrapsht: “Brekët e Violeta Manushit, janë brekë të arta”.

Ai Kryetar është akoma në pushtet, por njerëz me kurajë si Luftar Paja kanë mbetur pak.

Teatri u shemb edhe në emër të shumë artistëve. Bashkia u përpoq të bënte një listë sa më të gjatë. Ndoshta, dikush nga ata mund dhe të jetë penduar. Edhe pse, psikologët thonë që njeriu kur sheh që ka bërë një zgjedhje të gabuar do të vazhdojë ta mbrojë me ngulm zgjedhjen e vet.Por dhe nëse do duan ta harrojnë, nuk do munden. Mbreti Diell do e risjellë vazhdimisht atë listë në qarkullim, sa herë të ketë nevojë të justifikohet që ai nuk është talebani i vetëm, dhe se ky vend ka aq shumë talebanë sa ne të tjerët bëjmë mirë të mbyllim gojën.

Por, unë mund t’ju garantoj që shumë më tepër artistë, gazetarë e specialistë kanë qarë në dhimbje dje duke parë lajmet sesa mund të gjeni në listat e talebanëve.

* Për më shume bashkohuni në grupin tonë: https://www.facebook.com/groups/tpz.al/
More in IDE
Lindja e ndyrë e një diktatori koronavirusi

Nga Vincent W.J. van Gerven Oei Qysh para pandemisë, ishte e qartë se qeveria e Kryeministrit Rama kujdesej fare pak për...

Close