X

Kryekryetari i Koronavirusit mbledh Komitetin e Ekspertëve, pa Piperon dhe pyet: A ka patur virus në Janar? 

Sot paradite, Edi Rama, në cilësinë e kryetarit të vërtetë të Komitetit të Ekspertëve të koronavirusit shqiptar, njëkohësisht drejtori i luftës, shtet-rrethimit dhe OSBE-së bashkë, mblodhi për herë të parë Komitetin e Ekspertëve të koronavirusit shqiptar dhe zhvilloi me ta, një video konferencë, shumë të rëndësishme.

Në këtë video konferencë, u vu re mungesa e doktorit legjendar, Pëllumb Pipero, i cili ka ushqyer deri më sot botën shqiptare, me informacionin më të bollshëm dhe më të rëndësishëm për koronavirusin. Duket që ky përjashtim i padrejtë i doktor Piperos, vjen për shkak të xhelozisë së përjetshme, që ka karakterizuar Edi Ramën, për çdo njeri që merr rëndësi të posaçme dhe audiencë, sidomos në kohë krizash.

Korespodenti i rubrikës tonë satirike “Tej e Këtej”, që vdes për ngjarje të tilla, e ndoqi video konferencën nga fillimi në fund.

Në bashkëbisedim morën pjesë:

Kryekryetari: Edi Rama

Ministrja: Ogerta Manastirliu

Zëvendësministrja: Mira Rakacolli

Drejtorët: Albana Fico dhe Skënder Brataj

Zonja shumë e rëndësishme: Silva Bino

Profesori i shëndetshëm dhe mikrobiolog: Andi Koraqi

Doktorët: Tritan Kalo dhe Najada Çomo

Ja biseda që mundi të transkriptonte korespodenti ynë:

Edi Rama: Përshëndetje të gjithëve! Ju kam mbledhur sot, për të biseduar për koronavirusin. Për masat që kemi marrë dhe do të marrim. Po e bëjmë këtë prezantim të Komitetit të Ekspertëve, sepse, siç e dini, janë ngritur akuza, sikur unë i bëj vetë vendimet për koronavirusin. Ju të gjithë e dini që kjo gjë nuk ndodh. Apo jo? (tundje e madhe kokash lart e poshtë, poshtë e lart).
Së pari po ju bëj një pyetje rutinë, si të thuash pyetje kot, nga ato që bëhen në fillim, por që edhe ato kanë rëndësinë e vet. Si mendoni, si e kemi përballuar koronavirusin deri tani?

Silva Bino: Shkëlqyer, nuk kam fjalë tjetër! Ju i keni marrë të gjitha masat, mbyllja ka qenë fantastike! Shpëtuat jetë të panumërta. Tani nuk duket, se njerëzit janë gjallë, por nëse ju nuk do të kishit bërë këtë mbyllje, do të ishte katastrofë. Mijëra të vdekur…

Skënder Brataj: Nuk kam fjalë, zoti kryeministër! Mua më kapi që në fillim dhe të gjithë mu gjendën pranë. Ky qenka një virus shumë i pabesë, që prek edhe ekspertët. Me gjithë këtë mbyllje që na ke bërë, kur mbërriti deri tek unë… Merre me mend!

Najada Çomo: Me këtë që bëtë ju zoti kryeministër edhe skeptikët më të mëdhenj, kanë mbetur pa gojë…

Mira Rakacolli: Siç ju kemi thënë dhe siç po ju themi, që dje që më caktuat kryetare, ju keni bërë të pamundurën. Kur mendon se çfarë fatkeqësie do të kishim, siç ju kemi thënë…

Edi Rama: Ok, ok. Tani dua t’ju pyes për një gjë të rëndësishme, që ka filluar të përflitet shumë. Jo vetëm këtu, por edhe të huajt.  Thonë që virusi, ka qenë i pranishëm më herët, se kur e kapëm ne. Që në dhjetor, janar, shkurt, thonë. Ju si mendoni? Ka patur raste më përpara, apo jo?

Ogerta Manastirliu: Zoti kryeministër, ja të flasë profesor Koraqi i pari. Ai është edhe mikrobiolog dhe është shumë i qartë për kohën kur ka ardhur koronavirusi.

Edi Rama: Po, po, le të flasë!

Andi Koraqi: Zoti kryeministër, në dhjetor, janar, shkurt, nuk ka patur koronavirus! Nuk ka mundësi të ketë patur. Po të kishte patur, mua do të më kishte kapur të parin. Çdo grip që kalon, më kap të parin. Jam i bindur, që koronavirusi erdhi tek ne, ditët që ju mbyllët kufijtë! Atëherë më kapi dhe mua. Fqinjët e kanë sjellë. Kjo është e sigurtë…

Edi Rama: Të kuptova profesor! Po ju, ç’mendoni doktor Kalo? Ka qenë koronavirusi në janar?

Doktor Kalo: Duhet të mësojmë se si të bashkëpunojmë me koronavirusin. Në vjeshtë nuk do të ketë një rikthim të valës së dytë të Covid-19, por ai do të përzihet edhe me viruse të tjera. Në opinionin tim, duhet të evidentojmë shtatë elementë. Për sa kohë nuk kemi një anti-viral, ose një vaksinë, do të jetë infeksioni, që do të bëjë imunizimin dhe më pas, popullata do të bëjë shkëputjen e zinxhirit. Them se jemi në momente oportune…

Edi Rama: E kuptova doktor, momente oportune the, e kuptova… Albana ke ndonjë gjë ti?

Albana Fico: Jo zoti kryeministër. Ç’kam patur, ti kam thënë të gjitha. Ajo puna e janarit është qesharake. Ne s’kemi patur asnjë shenjë. Kemi patur disa pacientë me simptoma të pakuptueshme, por…

Edi Rama: Por edhe mjekë këtu, nga brenda, e mbështesin këtë gjë.

Albana Fico: Nuk bën sens. Do ta kishim kuptuar nëse virusi do të ishte këtu që në janar.

Profesor Koraqi: Rri pa merak zoti Rama. Të garantoj që nuk ka patur koronavirus në janar!

Silva Bino: Edhe këtu nga brenda, e thotë ndonjëri që ngatërron ngjyrën blu me të tjerat…

Edi Rama: Faleminderit për kohën. Tani jam shumë i qartë. Se kishim edhe atë Piperon që ngatërronte botën. S’linte gjë evazive pa thënë. As pikturën banale të Ilir Metës, nuk e hoqi, por e mban mbrapa shpine, sa herë del në televizor. Më plasi shpirtin! Sikur më del Ilir Meta përpara.
Tani jam i qartë, ju shpjeguat që koha e ardhjes së koronavirusit, përkon me kohën kur ne, morëm masat dhe vendosëm mbylljen dhe jo me janarin dhe përralla të tjera.
Edhe njëherë faleminderit të gjithëve! Ogerta, ti mos e shkëput lidhjen.

Pas shkëputjes së lidhjes.

Ogerta Manastirliu: Po zoti kryeministër, kishit ndonjë gjë të rëndësishme?

Edi Rama: Jo, jo, vetëm të pyes, si t’u duk kjo video konferencë?

Ogerta Manastirliu: Shumë mirë, vetëm se sikur u zgjat pak kjo ideja e koronavirusit në dhjetor dhe janar?

Edi Rama: E bëra qëllimisht, i pyeta me rradhë, që të thoshin të gjithë, se në janar nuk ka patur koronavirus. Sepse edhe unë kam këmbëngulur fort, që koronavirusi fillon kur ne u mbyllëm, pra në mars. Dhe nëse del, që ka patur edhe në dhjetor dhe janar, unë s’di gjë, ekspertët e kanë thënë, unë nuk jam doktor! Vetëm ai doktor Kalo nuk e hëngri! Tjetër e pyeta, tjetër u përgjigj.

Ogerta Manastirliu: Sa mirë të ka shkuar mendja! Edhe unë nuk jam doktoreshë. Kam thënë ç’ke thënë ti, por unë nuk jam eksperte. Sa mirë zoti kryeministër!

Edi Rama: Mbylle tani Ogerta, të vazhdojë puna!

/TPZ.al/ Tej e këtej/

* Për më shume bashkohuni në grupin tonë: https://www.facebook.com/groups/tpz.al/
More in TEJ E KETEJ
Ilir Meta zbulon në Kolonjë një virus të tmerrshëm. Lajmëron Ramën, që të struket edhe më shumë në bunkerin e Surrelit!

Presidenti i Republikës, Ilir Meta, gjatë vizitës së tij të stërgjatur në juglindje të vendit, ka zbuluar në pyjet e...

Close