X

Dëshmia e rrallë e korrierit: Si i mbajtëm në shtëpi për tre vite Qemal Stafën bashkë me familjen pas amanetit që iu la babit tim


Nga Dashnor Kaloçi/

Dëshmia e rrallë e korrierit: Si i mbajtëm në shtëpi për tre vite Qemal Stafën bashkë me familjen pas amanetit që iu la babit tim

“Por miqësia jonë me familjen e Qemal Stafës, u shtua akoma dhe më tepër pas vitit 1935, kur pak kohë para vdekjes, babai i tij, kolonel Hasan Stafa, e la me amanet që baba jonë Xan Xhepa, të kujdesej për fëmijët e tij. Nisur nga kjo miqësi e madhe që ne kishim me atë familje, në 6 prillin e vitit 1939 kur pritej të zbarkonte Italia fashiste dhe u shpërthyen burgjet, Qemal Stafa i palgosur erdhi dhe u strehua në shtëpinë tonë Aty vinte vazhdimisht për ta mjekuar, daja i tij, Dr. Qemal Sejdini.

Nga shtëpia jonë, Qemal Stafa u largua vetëm dhjetë ditë para se të vritej, pasi Prefekti i Tiranës, Qazim Mulleti, i cili ishte shok i babës sonë, Xanit, i dërgoi fjalë atij me anë të Shefit të Policisë së Tiranës, Man Kukaleshit e dy oficerëve të tij, Xhelal Pezës e Gëzim Latifit, duke i thënë që ta largonte Qemalin nga shtëpia e ta niste për në Pezë, pasi shokët e tij e kishin spiunuar atë në Kuesturë dhe ai kërkohej me qiri.

Pas kësaj baba mezi ia mushi menjen Qemalit, që të largohej nga shtëpia jonë dhe ai iku e u vendos në një bazë tjetër, tek shtëpia e L.D., ku dhe u rrethua e u vra më datën 5 maj 1942. Sapo mësoi për vrasjen e Qemalit, baba ynë Xani, shkoi në dyqanin “Flora” dhe i tha Enver Hoxhës: ‘Gjakun e Qemalit e kërkoj vetëm tek ty”.

Kështu e kujtonte një nga historitë më të përfolura që nga periudha e Luftës e deri në shëmbjen e regjimit komunist, por edhe më pas, Beqir Ramazan Xhepa, ish-korrieri i Qemal Stafës, i cili na rrëfente të gjithë misteret e asaj ngjarje të bujshme të ndodhur në 5 majin e largët të vitit 1942, ngjarje që tronditi jo vetëm komunistët shqiptarë, por dhe mbarë qytetin e Tiranës.

Po kush është Beqir Xhepa, cila është e kaluara e tij, çfarë lidhjesh kishte ai me Qemal Stafën dhe çfarë detyrash iu ngarkuan në atë kohë kur ai shërbente si korrier i tij personal? Përse Prefekti i Tiranës, Qazim Mulleti, i kishte thënë Ramazan Xhepës, për Enver Hoxhën: “Ky është i yni”?

Kush i’a shtyu Qemal Stafës udhëtimin e tij për në Vlorë me datat 4 e 5 maj të vitit 1942, dhe në çfarë rrethanash u rrethua dhe u vra Qemali në shtëpinë që beqir Minxhozi kishte marrë me qera?

Përse shoqëruesi personal i Qemalit, Vançi Bajraktari, apo siç njihej ndryshe me pseudonimin “Hekuri”, më datën 4 maj u nis me “shërbim” për në qytetin e Shkodrës, cili ishte debati i ashpër që ai bëri me Enver Hoxhën në dyqanin “Flora” të nesërmen e vrasjes së Qemalit dhe përse që nga ajo ditë ai u tërhoq nga Lufta e nga Partia?

Kush ishte Jani Kristo, personi që spiunonte Qemalin në Kuesturë dhe si e vrau atë me atentat, Kajo Karafili, pasi ia nxorri në vëndin e caktuar, Shefi i Policisë së Tiranës, Man Kukaleshi? Përse në mbrëmjen e asaj dite që u vra Qemali, Ramazan Xhepa, shkoi në dyqanin “Flora” dhe i tha Enver Hoxhës: “Gjakun e Qemalit e kërkoj tek ty”?

Si u shfajësua Enveri pas akuzave të Xan Xhepës e Vançi Bajraktarit dhe cilin nga komunistët akuzoi ai si spiunin e Qemal Stafës dhe si urdhëroi ekzekutimin e tij pas daljes nga burgu i Tiranës? Cilat ishin marrëdhëniet e familjes së Qemal Stafës me Enver Hoxhën pas Luftës dhe përse nëna e motrat e tija refuzuan ta prisnin Enver Hoxhën në shtëpinë e tyre me rastin e 5 majit? Si i eleminoi Enver Hoxha, duke i ekzekutuar të katër personat që e akuzuan atë për vrasjen e Qemalit dhe si i burgosi, internoi apo ekzekutoi edhe të gjithë ata persona që u rrethuan në shtëpinë ku u vra Qemali ditën e 5 majit 1942?

Përse e masakroi Enver Hoxha të gjithë familjen e Xhepa-ve, duke i burgosur, torturuar dhe ekzekutuar e përse vetë Beqir Xhepa, ish-korrieri i Qemal Stafës i cili kishte vuajtur në kampin nazist të Mat’hauzen-it, u burgos katër herë duke vuajtur vite të tëra në burgjet dhe spitalet psiqiatrike të regjimit komunist, prej nga doli vetëm në vitin 1988?

Përse ngjarja e vrasjes së Qemal Stafës bashkë me atë të Këshilltarëve të Hekalit, ishin dy ngjarjet e vetme të periudhës së Luftës që regjimi komunist i vazhdoi hetimet deri në mesin e viteve ’70-të dhe kush ishin personat që u dënuan për to?

Për të gjitha këto mistere dhe plot fakte të tjera rreth një prej historive më të përfolura që nga periudha e Luftës, na njeh dëshmia ekskluzive e Beqir Xhepës, i cili gjithashtu na vuri në dispozicion edhe shumë, letra, foto, dokumenta dhe sende personale të heroit të famshëm, Qemal Stafa (që po i publikojmë në këtë shkrim), ku ditëvdekja e të cilit u përdor nga regjimi komunist si dita simbol për përkujtimin e të gjithë dëshmorëve të Shqipërisë.

Zoti Beqir, cila është origjina e familjes suaj dhe ku keni banuar ju në qytetin e Tiranës?

Origjina e familjes sonë, Xhepa, është autoktone tiranase dhe të paktën që nga fundi i shekullit të XVIII, shtëpia jonë ka qenë diku prapa ish-kafe “Flora”, në mes Rrugës së Durrësit dhe asaj “Mine Peza”. Ajo ka qenë një shtëpi e vjetër tiranase një katëshe prej qerpiçi dhe familja jonë ka banuar aty që nga periudha e Monarkisë së Zogut, e më pas gjatë viteve të regjimit komunist të Enver Hoxhës. Ajo shtëpi tani nuk ekziston më, pasi është prishur dhe aty janë ndërtuar pallate, siç është edhe ky apartament ku jetoj unë.

Cilat ishin lidhjet e familjes Xhepa me familjen e Qemal Stafës?

Lidhjet e familjes sonë me familjen e Qemal Stafës, e kanë zanafillën diku aty nga viti 1922, kur xhaja jonë, Bahri Xhepa, ishte ushtarë në qytetin e Shkodrës dhe shërbente si ordinancë e kapiten, Hasan Stafës, babait të Qemalit. Duke qenë se Hasan Stafa kishte krijuar një konsideratë mjaft të mirë për Bahriun, pas lirimit të tij nga ushtria, Hasani mor si ordinacë babën tonë, Ramazanin. Si xhajën ashtu dhe babën tonë, Hasan Stafa i konsideronte dhe i trajtonte jo si ordinanca, por njëlloj si të gjithë fëmijët e tij.

Vetëm kjo gjë u bë sebep që familja juaj të ruante një miqësi të gjatë me familjen e Hasan Stafës?

Jo vetëm kjo gjë, por miqësia e familjes sonë me familjen e Hasan Stafës, u shtua akoma dhe më tepër pas vitit 1935, kur pak kohë para vdekjes, Hasani e la me gojë që babai ynë, Xani, të kujdesej për familjen e tij. Në atë kohë që vdiq Hasan Stafa, i cili mbante gradën e Kolonelit dhe shërbente në detyrën e Kryetarit të Zyrës së Rekrutimit të Qarkut të Shkodrës, familja e babait tonë shkoi për të marrë pjesë në varrimin e tij dhe aty nëna e Qemalit, Tabja, (Sabria) i tha Xanit, që Hasani, ia kishte lënë amanet që të kujdesej për fëmijët e tij.

Çfarë bëri babai juaj pas kësaj?

Pas varrimit të Hasan Stafës, baba, Xani, shkoi përsëri në qytetin e Shkodrës dhe i tha nënës së Qemalit, se ai nuk kishte mundësi që të kujdesej për familjen e saj në atë qytet dhe për atë arsye kishte vendosur që t’i tërhiqte të gjithë në Tiranë. Atë vendim që kishte marrë baba, nëna e Qemalit e aprovoi dhe kështu ata erdhën familjarisht në Tiranë.

Kjo ishte arsyeja që familja e Qemal Stafës erdhi në Tiranë?

Po, vetëm për këtë arsye ata erdhën në Tiranë.

Ku u vendos familja e Qemal Stafës kur erdhi në Tiranë?

Duke qenë se shtëpia jonë ishte shumë e vogël dhe familja e Hasan Stafës përbëhej nga shumë frymë, baba, Xani, i sistemoi ata si fillim tek shtëpia e Hoç Këllezit (babait të Abdyl Këllezit, ish-zv / kryeministrit që u pushkatua më pas nga Enver Hoxha) të cilin baba e kishte mik të vjetër si tiranas autokton që ishin. Pasi qëndruan për disa kohë në atë shtëpi ku ishin shumë ngushtë, baba i hoqi prej aty dhe i rregulloi në një shtëpi tjetër në Rrugën e Kavajës, tek Llagamët. Edhe pas vendosjes në atë shtëpi, baba jonë, Xani, shkonte vazhdimisht dhe interesohej për ta, për çfardolloj problemi që të kishin.

Po ju, a e mbani mënd Qemalin në ato vite dhe kur e keni njohur atë për herë të parë?

Kur erdhën Stafa-jt në Tiranë, unë kam qenë rreth tetë vjeç dhe e kam parasysh Qemalin që ishte rreth shtatë-tetë vjeç më i madh se unë, por për ta fiksuar e pata fiksuar në vitin 1938, kur ai doli në gjyq si komunist bashkë me Vasil Shanton, Zef Malën e shumë të tjerë. Gjyqi ndaj tyre, në mos gaboj u zhvillua aty nga shtatori i vitit 1938 në Bashkinë e Tiranës dhe baba jonë, Xani, i gjeti Qemalit dy avokatë për të mbrojtur atë në gjyq.

Cilët ishin ata dy avokatë?

Dy avokatët që zgjodhi baba për Qemalin, me sa më kujtohet ishin Spiro Stringa dhe Vasil Dilo, por Qemali nuk pranoi të mbrohej me avokat dhe deshi të mbrohej vetë.

Babai juaj, Ramazani, a mori pjesë në ndonjë seancë të atij gjyqi?

Nuk e di, por mua më kujtohet se në një nga seancat e atij gjyqi, baba më kishte marrë edhe mua me vete dhe kur po dilte Qemali nga Bashkia për t’u futur në makinë i shoqëruar me xhandarë, ai ia bëri Xanit me dorë. Në atë moment, baba më tha mua se ai djali me syze që na bëri me dorë, ishte Qemali.

Po pas asaj kohe kur e patë përsëri Qemalin?

Qemal Stafën unë e pashë përsëri aty nga fundi i marsit i vitit 1939. Atë kohë ndërsa Qemali vuante dënimin në burgun e Beratit, atij i vdiq vëllai, Veliu, i cili ishte shtruar për t’u kuruar në një spital të Parisit. Me të marrë lajmin për vdekjen e tij, baba jonë, Xani, u interesua pranë Mbretit Zog, i cili vendosi që trupi i Veli Stafës të kthehej në Tiranë dhe shteti do t’i paguante gjysmën e shpenzimeve, ndërsa gjysmën tjetër do ta paguante familja e tij.

Si e rregulloi dot babai juaj që qeveria e Zogut t’i paguante familjes Stafa gjysëmën e shpenzimeve të varrimit të vëllait të Qemalit që ishte dënuar si komunist?

Qeveria e Zogut nuk i shikonte shumë ato gjëra, por baba ndërhyri pranë tij meqë ai kishte një miqësi të madhe me Mbretin, pasi gjyshja jonë që ishte një guzhiniere e njohur, thërritej vazhdimisht në Pallatin Mbretëror për të gatuar në ndonjë rast kur jepeshin dreka apo daraka. Por Zogu, jo vetëm që i pagoi gjysmën e shpenzimeve të sjelljes së trupit të Veliut në Shqipëri, por ai i dha leje Qemalit, i cili mori pjesë në varrimin e të vëllait dhe në pritjen e njerëzve për ngushëllime.

Po pas asaj dite kur e patët parë përsëri Qemalin?

Rreth një javë pas varrimit të Veli Stafës, ndodhi pushtimi fashist italian i Shqipërisë dhe më datën 6 prill 1939, Qemal Stafa erdhi përsëri në shtëpinë tonë. Atë ditë u shpërthye burgu i Tiranës, ku ndodhej Qemali pas transferimit nga burgu i Beratit me rastin e vdekjes së vëllait dhe gjatë ikjes së të burgosurve politikë, rojet e burgut kishin qëlluar me armë dhe Qemali kishte mbetur i plagosur prej tyre.

Sa kohë qëndroi Qemali aty në shtëpinë tuaj?

Pasi doli nga burgu i vjetër ashtu i plagosur, Qemali qëndroi për rreth dy muaj në shtëpinë tonë, por edhe pasi u shërua nga mjekimet që i bënte aty tek ne, daja e tij, Dr. Qemal Sejdini, ai vazhdoi të qëndronte përsëri në shtëpinë tonë. Qemali ishte njëlloj si djali i shtëpisë.

A mbani mënd ndonjë bisedë me Qemalin në atë kohë?

Në atë kohë ne dilnim në bahçen e shtëpisë dhe luanim e bisedonim me të. Tamam aty nga pranvera e vitit 1939, Qemali më thirri mua në oborr dhe më tha që të shkoja tek nëna e tij, Sabrija, apo Tabja siç i thërrisnim ne në atë kohë dhe t’i kërkoja asaj revolverin e babait, Hasan Stafës.

A shkuat ju për ta marrë revolverin dhe përse e donte Qemali atë?

Unë shkova menjëherë tek Tabja që asokohe banonte tek Llagamët në Rrugën e Kavajës dhe i thashë për porosinë që më kishte dhënë Qemali. Ajo në fillim nuk pranoi të ma jepte, revolverin, duke më thënë: “Nuk ta jap, ç’e do ai këtë, le të vij vetë po të dojë dhe ia tregoj unë atij. Ne i dhamë shkollë, kurse ai merret me të tilla gjëra”. Por pasi unë nuk lëviza që aty, ajo u detyrua dhe ma dha revolverin e Hasanit, i cili ishte me firmën e Mbretit Zog. Qemali e donte revolverin, pasi ai ishte komunist dhe donte të mbrohej prej atyre që e ndiqnin.

Gjatë asaj kohe që ishte Qemali aty, a vinin komunistë të tjerë për ta takuar atë?

Që nga prilli i vitit 1939 kur Qemali erdhi në shtëpinë tone, e deri në majin e vitit 1942, aty vinin për ta takuar atë shumë komunistë, si: Mustafa Gjinishi, Vasil Shanto, Gogo Nushi, Shyqëri Peza, Kajo Karafili, Enver Hoxha, Hasan Reçi etj. Gjatë atyre tre-katër vjetëve, shtëpia jonë u bë një nga bazat më të rëndësishme të Luftës”.

Po Nexhmije Xhunglini, a vinte aty tek baza juaj?

Jo Nexhmija nuk vinte asnjëherë aty në shtëpinë tonë, por i vëllai i saj, Fehmi Xhunglini, vinte vazhdimisht dhe strehoej aty.

Nga komunistët që vinin asokohe në shtëpinë tuaj, a kishit dijeni ju, apo më saktë a e kishit kuptuar se kush dukej të ishte më i rëndësishmi prej tyre?

Unë në atë kohë nuk mund të merrja pjesë në mbledhjet që bëheshin në shtëpinë tonë nga komunistët, po kështu as baba im, Xani, nuk merrte pjesë në mbledhjet e tyre. Ne vetëm sa kujedeseshim për ta, duke u përgatitur dhomën që bënin mbledhjet, ushqimin që hanin aty, si dhe ruanim jashtë shtëpisë në mënyrë që ata të mos diktoheshin. Por duke qenë se shtëpia jonë ishte për një kohë të gjatë një ndër bazat kryesore të komunistëve, nuk ishte e vështirë ta kuptoje se një nga personat me më të rëndësishëm që vinin tek ne, ishin Qemal Stafa me Mustafa Gjinishin. Qemali ishte i njohur si komunist që në vitin 1938 kur ishte dënuar me gjyq dhe ai e kishte pranuar botërisht para trupit gjykues se ishte komunist. Ajo gjë i kishte dhënë atij një famë dhe autoritet të padiskutueshëm ndër të gjithë komunistët e tjerë. Ndërsa Enver Hoxhën në atë kohë nuk e njihte njeri si komunist. Qemali me Gjinishin ishin dy më kryesorët dhe ajo dukej pasi ata jepnin urdhëra dhe porosi për gjithshka dhe çfarë thonin ata bëhej.

Po Enver Hoxha, çfarë autoriteti kishte në atë kohë ndër ata komunistë që vinin aty në shtëpinë tuaj?

Nga ata komunistë që streoheshin në shtëpinë tonë, Enveri si të thuash ishte ndër të fundit për nga rëndësia. Po t’i marrim një për një emrat e tyre, si Qemal Stafën, Vasil Shanton, Gogo Nushin, Mustafa Gjinishin, Hasan Reçin, apo dhe Kajo Karafilin, të gjithë këta pa dyshim, kishin një autoritet më të madh se Enver Hoxha. Madje deri aty nga pranvera e vitit 1942, Enveri ishte krejt i panjohur, madje atë nuk e njihte fare as Myslym Peza.

Kush e solli për herë të parë Enverin në shtëpinë tuaj dhe përse thoni që Enverin nuk e njihte as Myslym Peza?

Për herë të parë Enver Hoxhën në shtëpië tonë e pati sjellë Qemal Stafa dhe ajo ka ndodhur aty rreth pranverës së vitit 1942. Ndërsa për atë që Myslym Peza, nuk e pati njohur Enver Hoxhën fare deri në pranverën e vitit 1942, mua ma pati thënë vetë Myslym Peza.

Kur ua ka thënë Myslym Peza këtë gjë dhe në ç’rrethana?

Kjo gjë ka ndodhur diku aty nga fundi i pranverës së vitit 1942. Në atë kohë, Esat Dishnica i çoi fjalë babës tim, Xanit, që të shkonte për ta takuar atë në dyqanin “Flora”. Pas kësaj baba shkoi në dyqanin “Flora” dhe takoi Esatin i cili i tha se Enver Hoxha, donte t’i çonte një palë dylbi Myslym Pezës. Xani e mori përsipër që t’ja çonte dylbitë Myslymit dhe atë gjë ma ngarkoi mua. Unë i futa dylbitë në një çantë dhe u nisa e shkova në këmbë në fshatin Pezë e Vogël, ku rrinte Myslym Peza në atë kohë. Lymin e takova në një hije të madhe pemësh ku ai ishte duke pirë raki me meze, me disa nga njerizit e tij. Sapo më pa, ai m’u drejtua: “Ouu, çuni i Xanit, po ç’paske dalë mër babë”?! Pasi më takoi dhe më pyeti për Xanin e njerzit e tjerë të shtëpisë, unë i nxorra dylbitë nga çanta dhe i’a dhashë në dorë, duke i thënë se ato i’a kishte çuar Enver Hoxha. Ndërsa ai filloi t’i shihte dylbitë duke i rrotulluar mbarë e prapë, më tha: “Po kush është ky Enver Hoxha mër babë se nuk e njof”?! Unë i thashë se Enveri ishte ai burri që rrinte tek dyqani “Flora” me Esat Dishnicën. Por edhe pas atij shpjegimi që i dhashë unë, Myslymi nuk kujtohej se kush ishte Enver Hoxha dhe m’u përgjigj: “Vallai se njef baba atë, por këto dylbitë i paska të mira”, dhe i mori ato e i futi në çantën e tij.

Po Enver Hoxha në kujtimet e tij thotë se me Myslym Pezën është njohur që në korrikun e vitit 1939?

Nuk është e vërtetë ajo që ka shkruar Enver Hoxha në kujtimet e tij, sepse në atë kohë Myslymi ka qenë në emigracion në Jugosllavi dhe ai është kthyer në Shqipëri vetëm në dhjetorin e vitit 1939. Këtë gjë unë e di shumë mirë, sepse në atë kohë që u kthye nga Jugosllavia, Myslymi për herë të parë ka ardhur në shtëpinë tonë. Unë e mbaj mënd si tani atë ditë dhjetori të vitit 1939, sepse në atë kohë kishte filluar Lufta italo-greke dhe baba jonë na kishte nisë ne fëmijët tek një miku i tij në fshatrat e Tiranës. Kur u ktheva unë në shtëpi, pashë tek dera shumë opinga fshatarësh dhe kur pyeta se kush kishte ardhë, nëna më tha se ishte kthyer Myslym Peza nga Jugosllavia dhe aty në shtëpinë tonë kishin ardhur për ta pritur disa fshatarë pezakë që i kryesonte Dyl Çelmeta, miku i ngushtë i Myslymit.

Po vetë Qemali me çfarë detyrash të ngarkonte ty në atë kohë?

Që pas vitit 1941, Qemali më ngarkoi mua me detyrën e korrierit kryesor të tij. Ai më jepte vazhdimisht dhe më besonte mua çfardolloj porosie që të kishte. Ato porosi ai m’i jepte herë me letra dhe herë me gojë, për t’i çuar në baza të ndryshme si në dyqanin “Flora”, apo tek Shtëpia e Bretkosave, e cila ishte një bazë e rëndësishme e komunistëve që ndodhej diku aty ku sot është Agjensia Telegrafike Shqiptare. Ajo shtëpi ndodhej buzë Lumit të Lanës dhe nga që gjithë natën dëgjoheshin zhurmat e bretkosave, asaj shtëpie i mbeti “Shtëpia e Bretkosave”. Aq shumë më donte dhe më respektonte Qemali, saqë shpesh tek njerëz që nuk na njihnin, ai u thoshte se: ‘Beqiri është vëllai im i vogël’. Tre muaj para se të vritej, Qemali më dhuroi revolverin e tij bashkë me këtë fotografi që shikoni, ku nga pas ka shkruar: “Në shenjë kujtimi bashkë me rrevolverin Baretë, djaloshit më të vogël të rrevolucjonit dhe të Partisë dhe vëllaut tem të vogël, Beqirit. 10 mars 1943. Qemal Stafa”

Thatë më sipër se Qemal Stafa me Mustafa Gjinishin ishin ndër komunistët më kryesorë nga të gjithë ata që vinin e streoheshin aty në shtëpinë tuaj dhe çfarë thoshte Qemali bëhej. Si e shpjegoni këtë, a keni ndonjë fakt konkret…?

Ka shumë fakte që mund t’ju them rreth kësaj, por po ju jap vetëm një shembull. Në fundin e tetorit të vitit 1941, Enver Hoxha donte që mbledhja themeluese e Partisë Komuniste Shqiptare të bëhej në shtëpinë tonë, por Qemal Stafa me Gjinishin nuk ishin dakort dhe u bë ashtu si thanë ata.

Përse nuk deshi Qemali që të bëhej aty ajo mbledhje?

Qemali nuk pranoi, sepse shtëpia jonë ndodhej fare pranë ndërtesës së Xhandarmërisë, e cila ishte në Rrugën e Durrësit atje ku ka qenë Gjykata e Tiranës dhe sot janë zyrat e avokatëve. Nga ajo mbledhje që do të bëhej aty, shtëpia jonë edhe mund të binte në sy të spiunëve dhe mund të dekonspirohej si bazë, prandaj nuk deshi Qemali. Ai donte ta ruante shtëpinë tonë si një bazë kryesore të komunistëve./Memorie.al

* Për më shume bashkohuni në grupin tonë: https://www.facebook.com/groups/tpz.al/
More in Magazine
Temperatura deri në 24 °C, moti për çdo qytet

Shërbimi Meteorologjik Ushtarak bën me dije se moti për ditën e sotme parashikohet i kthjellët me vranësira në mbrëmje dhe...

Close