X

BIRN: Socialistët miratojnë dënim me burg për vrasje me virus


Vrasje me atentat me virus! Mund të ngjajë si fantashkencë por nuk është tamam kështu. Komisioni Parlamentar i Ligjeve i dominuar nga deputetët e Partisë Socialiste debatoi në një grup chati me video gjatë ditës së martë një numër propozimesh të prezantuara fillimisht nga Kryeministri Edi Rama, e më pas të materializuara nga propozime të deputetes Edlira Bode, përmes të cilave, shkelja e rregullave të distancimit social të vendosura nga qeveria duke shkaktuar përhapjen e sëmundjeve infektive, dënohet me gjobë, ose me burg dhe, nëse ka shkaktuar viktima, pra vdekje nga sëmundja infektive, dënohet me deri 15 vjet burg.

Propozimi i miratuar
Neni 293
(dh
Moszbatimi i masave të autoriteteve shtetërore gjatë epidemisë ose gjendjes së fatkeqësisë natyrore
Moszbatimi ose kryerja e veprimeve në kundërshtim me urdhrat, vendimet e nxjerra nga organet shtetërore gjatë epidemisë ose gjendjes së fatkeqësisë natyrore, të ndryshme nga ato të parashikuara nga paragrafi i dytë i këtij neni, kur është dhënë më parë masa administrative, përbën kundravajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim deri në një vit. Moszbatimi i urdhrit të dhënë nga organet kompetente për karantinimin, vetëkarantinimin ose izolimin apo shkelja e rregullave të karantinës, vetëkarantinës ose izolimit nga personi bartës ose jo i sëmundjes infektive, dënohet me burgim nga 2 deri në 3 vjet.
(e
Përhapja e sëmundjeve infektive
Moszbatimi ose kryerja e veprimeve në kundërshtim me urdhrat, vendimet e nxjerra nga organet shtetërore që kanë të bëjnë me parandalimin apo luftimin e sëmundjeve infektive, kur ka shkaktuar përhapjen e sëmundjes infektive me rrezikshmëri të lartë për shëndetin e njerëzve dënohet me burgim nga dy deri në pesë vjet. Po kjo vepër, kur ka shkaktuar pasoja të rënda për shëndetin ose jetën e njerëzve dënohet me burgim nga 3 deri në 10 vjet. Kur kjo vepër, ka shkaktuar vdekjen e një ose më shumë personave, dënohet me burgim nga pesë deri në 15 vjet.

Masat ligjore, të dënuara nga një numër organizatash të shoqërisë civile si ‘johumane’, kaluan në një proces të gjatë korrigjimi në Komisionin e Ligjeve, ku anëtarët juristë të komisionit u përpoqën të saktësonin teknikën ligjvënëse mbi propozimet e deputetes Bode, propozime që u quajtën të gabuara nga pikëpamja formale. Dy propozime, njëra nga deputetet Gjermeni dhe Bushka dhe një tjetër, nga deputeti Alket Hyseni, u ballafaquan jo aq shumë për sa i përket përmbajtjes, por sa i përket saktësisë së teknikës ligjvënëse dhe propozimi i Hysenit u miratua si më i suksesshëm.

Propozimi parashikon krijimin e disa veprave të reja penale në Shqipëri, të cilat do të zbatohen vetëm në rastet e pandemive apo fatkeqësive natyrore dhe do të dënojë shkelësit me gjobë ose me burg deri në pesëmbëdhjetë vjet. Propozimi fillestar i hedhur nga kryeministri Edi Rama, u dënua nga organizatat e shoqërisë civile si një propozim i pavend, që bie ndesh me frymën e humanizmit që mbart Kodi Penal dhe cenon dinjitetin njerëzor.

Propozimi ka shkaktuar gjithashtu shqetësim për shkeljen e parimeve të ligjvënies përmes një procesi të rregullt konsultativ, ndërsa kryetari Ulsi Manja, nga njëra anë pranoi se propozimet kanë mbërritur formalisht në Kuvend në datë 8 Prill ndërsa nga ana tjetër theksoi se deri në datën e miratimit në Komision, 14 Prilli, janë konsultuar me grupime të ndryshme, përfshirë edhe studentët e masterit të fakulteteve të drejtësisë.

Propozimi vjen gjithashtu në një kohë kur Shqipëria ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme ndërsa nga pikëpamja praktike, duke qenë se ndryshime të tilla ligjore normalisht do të hyjnë në fuqi pas disa muajve, d.m.th. pas përfundimit të gjendjes së jashtëzakonshme aktuale dhe që për rrjedhojë, nga pikëpamja praktike, mund të presin deri sa vendi të kthehet në normalitet. Por deputetët socialistë u shprehën veçanërisht të etur që jo vetëm t’i miratonin propozimet, por t’i miratonin ato shpejt.

Pas një debati mbi vendndodhjen e propozimeve në Kodin Penal, u përcaktua që këto vepra penale të shtohen pas nenit ekzistues 293 pas germës d, në kreun VIII, “Krime kundër autoritetit të shtetit”.

Kryetari Manja pati vështirësi për të identifikuar në alfabet germën pasuese të germës D. Ai ia hodhi fajin lodhjes.

Propozimi i miratuar parashikon mes të tjerash që, në rast se një person i infektuar me një sëmundje infektive, shkel urdhrat e qeverisë për mbyllje në shtëpi apo vetëkarantimin, apo karantinim, dhe nëse kjo shkelje shkakton pasoja në vdekjen e personave të tjerë, atëherë personi dënohet me deri 15 vjet heqje lirie. Me pak fjalë, nëse një bartës i koronavirusit del në rrugë në kundërshtim me urdhrin e qeverisë, pavarësisht nëse është apo jo në dijeni se është mbartës i virusit duhet të dënohet, por vetëm pasi të vërtetohet se akti i tij në shkelje të urdhrit ka shkaktuar infektime të tjera. Dhe në rast se këto infektime të tjera kanë shkaktuar vdekje, atëherë dënimi rritet.

Për shkak se Kodi Penal është konceptuar për t’u ndryshuar vetëm pas proceseve të gjata konsultative që zgjasin me vite, kryetari Manja duket se pranoi se ndryshimet e miratuara të Martën në fakt nuk kanë rëndësi praktike për pandeminë aktuale. Por ai u shpreh i bindur se këto propozime do të kenë vlerë në të ardhmen.

“Këto amendamente do t’i rezistojnë kohës,” deklaroi ai. “Sot kemi Covid-19, nesër mund të vijë një epidemi apo pandemi tjetër,” tha Manja.

Gjergj Erebara/BIRN

* Për më shume bashkohuni në grupin tonë: https://www.facebook.com/groups/tpz.al/
More in FLASH, KRYESORE, LAJME, NË FOKUS
Rama i përgjigjet Berishës: E turpshme, romët po përdoren si mish për top për të inskenuar shfaqje të rrezikshme

Kryeministri Edi Rama e konsideron të turpshëm nxitjen e komunitetit rom sipas tij për të inskenuar shfaqje të rrezikshme. Reagimi...

Close