X

Video/ FSHF: Sot mjekët janë Kombëtarja jonë, faleminderit për sakrificën

Në një kohë kur bota po lufton me armikun e quajtur Covid-19, të gjithë janë solidarizuar me bluzat e bardha, të cilat janë në linjën e parë të frontit kundër sëmundjes së rrezikshme.

Këtë gjë ka bërë edhe Federata Shqiptare e Futbollit, e cila u ka kushtuar një mesazh sensibilizues të gjithë mjekëve, duke shpalosur një falenderim për ta në tapetin e “Air Albania Stadium”, ku nuk mungonin fanelat e 459 mjekëve, infermierëve dhe kujtdo tjetër që po lufton përballë me epideminë.

Njoftimi i FSHF-së:

Federata Shqiptare e Futbollit vlerëson maksimalisht punën, mundin dhe sakrificën e mjekëve, infermierëve, sanitarëve, shoferëve të ambulancave dhe të gjithë punonjësve në sistemin e shëndetësisë që në vijën e parë po përballen me guxim me virusin vdekjeprurës Covid-19.

Në këtë kohë të vështirë, jemi shpirtërisht pranë tyre dhe familjeve të tyre. Federata e Futbollit, shpall simbolikisht 459 mjekët, infermierët, sanitarët, shoferët e ambulancave dhe të gjithë personelin e përfshirë si Kombëtaren tonë që po përballet me një “ndeshje” të vështirë, të pabarabartë e të padrejtë për jetën njerëzore. Emrat e tyre u shkruan për secilin në një fanelë të kombëtares shqiptare të futbollit dhe do u dhurohen këtyre heronjve të heshtur në shenjë vlerësimi, mbështetjeje dhe solidarizimi. Sot në Ditën Botërore të Shëndetit, fanelat e punonjësve tanë të shëndetësisë, mbushën fushën e stadiumit kombëtar Air Albania me mesazhin: MJEKËT KOMBËTARJA JONË!

Emrat e tyre do të qëndrojnë në faqen zyrtare të Federatës së Futbollit si një kujtesë për sakrificën e tyre! Gjithashtu, Federata e Futbollit duke menduar fëmijët e tyre, do të shpërndajë edhe 459 topa që vogëlushët të mund të luajnë futboll në kushtet e shtëpisë.

Ne sërish bëjmë thirrje që të qëndrojmë në shtëpitë tona, si përpjekja më e mirë për të ndaluar përhapjen e virusit. Kjo është mbështetja më e madhe që mund tu japim mjekëve tanë, që kanë lënë familjet e tyre dhe ditë e natë po rrezikojnë jetën për ne duke u ndeshur me virusin!

Ne krenohemi me ta. Ne besojmë se shumë shpejt, të gjithë sëbashku do ta fitojmë këtë “ndeshje”!

#MjekëtKombëtarjaJonë #Mirënjohje #WorldHealthDay #RriNëShtëpi #FSHF

* Për më shume bashkohuni në grupin tonë: https://www.facebook.com/groups/tpz.al/
More in LAJME, SPORT
Merr fund sfilitja, 27 shqiptarët e ngecur në Kapshticë strehohen në hotelin karantinë, Këshilli Kordinues i Diasporës u paguan fjetjen dhe ushqimin

Njëzet e shtatë shqiptarët, të cilët prej katër ditësh ndodhen në të ftohtë në doganën e Kapshticës janë strehuar në...

Close