X

Si u bë i famshëm doktor Pipero dhe si u kthye, sa hap e mbyll sytë, në Tan Hoxha i koronavirusit!

Në këtë kohë të tmerrshme koronavirusi, korespondenti i rubrikës tonë “Tej e këtej”, zhvilloi sot në mesditë, një intervistë me njeriun e famshëm, që tani është rikrijuar edhe në formë pice, doktor Pëllumb Piperon.

Gazetari: Doktor Pipero mirëdita. Faleminderit, që ekziston në këto ditë të zeza, faleminderit për të gjitha! Pyetja e parë që unë kam është, sa të prekur me koronavirus u zbuluan sot?

Doktor Pipero: Nuk e di, pak ishin, nuk ishin shumë. Kemi patur më shumë në ditët e mëparshme. Sot nuk e di saktësisht, por ishin më pak. Më pyeti edhe Arjan Çani dje, sa të infektuar janë? Nuk janë shumë, i thashë.

Gazetari: Si po shkon kurba, po ngrihet ndopak apo po ulet?

Doktor Pipero: Kurba edhe do të ngrihet edhe do të ulet, nuk ka ku shkon! Tani në çdo vend të botës po ngrihet dhe s’ka si të rrijë poshtë në Shqipëri.

Gazetari: Si mendoni, kur mund të kemi shpresë, kur do të fillojë ulja?

Doktor Pipero: Ulja do të fillojë. Unë jam i sigurt, që do të fillojë nga fundi i javës tjetër, ose nga fillimi i tjetrës. Por edhe mund të mos fillojë në këtë kohë, por në fund të prillit dhe në fillim të majit, por kjo mund të ndodhë edhe në qershor…

Gazetari: Doktor Pipero, si ndodhi që u bëtë i famshëm, në një kohë kaq të shkurtër, sa hap e mbyll sytë?

Doktor Pipero: Nuk u bëra vetë. Në këtë vend, nuk bëhesh dot vetë i famshëm. Duhet të të bëjë dikush tjetër. Mua më bëri të famshëm Blendi Fevziu. Sapo filloi koronavirusi, Blendi i pa të gjitha fytyrat e mjekëve të Infektivit dhe më zgjodhi mua. Pëllumb, më duhet një njeri i zoti, më tha, dua një njeri si Tan Hoxha i krimit, për koronavirusin. Vetë Tanin nuk e përdorim dot, se nuk kupton fare nga puna e infektimit. Vetëm ti mund të ma bësh këtë punë, – më tha. Kështu nisi…

Gazetari: Po mirë zoti Pipero, si të lë Fevziu të shkosh në televizione të tjerë, se ai kurrë nuk i lejon shpikjet e veta, t’i përdorin të tjerët.

Doktor Pipero: Ndoshta ky koronavirus, i ka shkaktuar mutacion edhe vetë Fevziut. Vazhdo Piperio, më tha, dil tek të gjithë, mos lër ekran pa dalë!  Më çuditi Fevziu me këtë lloj liberalizimi!

Gazetari: Po mirë zoti Pipero, si mendon ti, përse të respektojnë kaq shumë moderatorët e televizioneve?

Doktor Pipero: Kjo ndodh sepse unë ju përgjigjem sa herë ata duan, ditën dhe natën. Në spital më kanë dhënë leje. Rri nëpër televizione, më thanë, nuk ka problem, jemi ne këtu!

Gazetari: Po mirë zoti Pipero, si i di gjithë ato gjëra që thua?! Flet për çdo gjë, jo vetëm për mjekësinë, por edhe për fusha të tjera?!

Doktor Pipero: Nuk është se i di, por unë flas me logjikë, duke përdorur edhe të gjithë llojet e  tolerancave, sidomos atë në kohë…

Gazetari: Pra, me sa kuptoj unë, ju nuk lini, apo jepni një kohë të caktuar, për atë që do të ndodhë?

Doktor Pipero: Ekzakt. E shtyj tolerancën me muaj të tërë. Nuk jap përgjigje të prera. Përdor zakonisht togfjalëshin “mund të ndodhë” por edhe “mund të mos ndodhë”…

Gazetari: Bravo! Zoti Pipero, tani në fund tre pyetje të shkurtëra, që duan përgjigje po kaq të shkurtëra. E para, a përhapet koronavirusi në shi?

Doktor Pipero: Ndoshta shiu kur është i fortë, e zbret virusin në tokë dhe ti mund ta marrësh me anë të shkeljes.

Gazetari: Dhe tani zoti Pipero, dy pyetje në një pyetje. A është i mbrojtur Edi Rama në Surrel dhe a e lufton vaji i kanabisit koronavirusin?

Doktor Pipero: Po ju përgjigjem dy pyetjeve në një përgjigje. Them se Edi Rama, ka në Surrel mbrojtje të sigurtë dhe vaji i kanabisit e zbut koronavirusin.

Gazetari: Dhe e fundit, a është e mbrojtur Elisa Spiropali nga koronavirusi, apo jo?

Doktor Pipero: Plotësisht e mbrojtur. Ka njerëz që koronavirusi sapo i sheh, ngordh në vend.

Gazetari: Faleminderit zoti Pipero, mezi pres t’ju intervistoj përsëri!

Doktor Pipero: Kur të duash, ku të duash, këtu më ke.

/TPZ.al/Tej e këtej/

* Për më shume bashkohuni në grupin tonë: https://www.facebook.com/groups/tpz.al/
More in TEJ E KETEJ
Shpërthen avokati i ditur: Bjerini këmbës, nuk ka shkatërrim, na mbrojnë malet dhe deti Adriatik! 

Ky koronavirus vazhdon të transformojë me një shpejtësi të jashtëzakonshme, avokatin tonë shumë të ditur, Spartak Ngjela. Nga zëdhënës i...

Close