X

Qeveria i përjashtoi nga paketa e ndihmës, biznesmenët e mëdhenj ndihen të rrezikuar

Nga kjo pandemi globale, padyshim që një goditje të fortë ka përjetuar edhe sektori i turizmit. Të gjitha rezervimet e turistëve të huaj në vendin tonë, sipas operatorëve turistik, janë anuluar, dhe kjo rrezikon të sjell humbje me vlerë 1 miliard euro. Gjatë vitit 2019, me gjithë tërmetin e 26 nëntorit, turizmi ishte industria numër një e vendit, duke sjellë 1.7 miliardë euro në prodhimin kombëtar.

Tashmë që aktiviteti turistik është i bllokuar prej shumë ditësh nga masat kufizuese, bizneset ndodhen përballë pamundësisë për të paguar punonjësit. Ndërkohë, qeveria në paketën financiare nuk ka parashikuar asnjë ndihmë për këto biznese përveç garancisë sovrane prej 100 milionë euro, që u jep mundësinë për të marrë kredi.

Mirjana Kuka, administratore e hotel “Diplomat”, që funksionon që prej vitit 1993, tregon se për muajin mars ka shlyer të gjitha detyrimet, ndërkohë që për muajin prill e ka të pamundur të bëjë një gjë të tillë. Ajo tregon se janë aktualisht në kredi, dhe marrja e një tjetër kredie do t’i vinte në vështirësi të mëdha. “Hoteleria është një tipologji që kërkon në mënyrë të rregullt për të ndjekur ritmin dhe kërkesat e kohës dhe të klientit. Prandaj vazhdimisht bëjmë investime”, shprehet znj. Kuka.

Stefan Pinguli, sipërmarrës i “Birra Stela”, thotë se, me qëndrimin që po mbajnë zyrtarët e lartë të shtetit dhe institucionet, po i vendosin në një situatë të vështirë përballë punonjësve. “Përveç investimeve, është dhe një fakt se kemi mbi 110 punonjës dhe jemi në një moment blackout dhe nuk kemi as njëlloj mundësie për pagesë sepse nuk kemi asnjë orë punë, asnjë turist, asnjë klient. asnjë të ardhur. Do të isha i çuditur që zv.kryeministri na vendos në një pozicion të vështirë dhe përballë punëtorëve. E kemi të vështirë të marrim kredi tjetër, përveç atyre kredive që kemi”, deklaron z. Pinguli duke bërë thirrje që shtetit t’u krijojë lehtësira.

Rexhep Kasmi, kryetar i shoqatës së turoperatorëve turistikë nga ana tjetër thotë se, deri tani nuk kanë arritur që të gjejnë dialog me qeverinë për të diskutuar mbi këtë situatë. “Nuk kemi arritur të gjejmë dialog me instancat e qeverisë për të diskutuar mbi këtë situatë që ka përfshirë turizmin. në situatën e tërmetit u treguam solidarizues, nuk kërkuam asgjë në fillim. Deri tani nuk ka asnjë ndihmë dhe asnjë preukopim nga instancat”, shprehet z. Kasmi duke shtuar se, turizmi është bllokuar në nëntor për shkak të tërmetit dhe tani në mars nga coronavirus.

Mirjana Kuka thotë se përveç sforcimit që ka bërë për pagesat e muajit mars, tashmë kërkon ndihmën e shtetit për të paguar punonjësit. “E deklaroj hapur se kam zero mundësi ndaj çdo punonjësi që e dua fort. Duhet të ndjehemi në ortakëri me qeverinë dhe besoj se nga ky këndvështrim, të dy palët kemi detyrimet tona. Jemi ata që e mbushim edhe më mirë arkën e shtetit se sa bizneset e vogla. Të dy bashkë duhet të ulemi të bisedojmë me qeverinë. E kemi krejt të pamundur që të paguajmë punëtorët nga prilli e më pas. Të ardhurat i kemi zero. Unë nuk e shoh veten në luftë me shtetin dhe as shteti nuk duhet të më shikojë në luftë me të”, shprehet ajo.

Sipërmarrësi Pinguli kërkon nga qeveria që të respektojë Kushtetutën, në rastet e fatkeqësisë natyrore, madje i bën dhe thirrje Presidentit që të dalë në mbrojte të dokumentit themeltar të shtetit. “Meqë jemi shtet ligjor, hajde veprojmë sipas ligjit dhe neni 41 i Kushtetutës flet qartë për fatkeqësinë natyrore ku shtetit merr përgjegjësitë. I bëj thirrje Presidentit që të jetë i vëmendshëm dhe për çështjet ekonomike. Le të shohin te Kosova dhe te Maqedonia se çfarë po bëhet për këtë punë. Kosova ka dhënë 170 euro për çdo punonjës”, tha ai.

Rexhep Kasmi nënvizon se shtetit përveç se nuk po ofron ndihmë, ka krijuar dhe një konflikt të panevojshëm mes biznesit dhe punonjësve. “Në konsultimet që kemi pasur askush nuk e quan një ndihmë, përkundrazi shteti me këtë ka krijuar një konflikt të panevojshëm. duke thënë si shtet që biznesi të shkojë të marrë kredi për të paguar punonjësit, kjo krijon tension të panevojshëm mes palëve. Edhe sikur kjo kredi të jetë me zero përqindje nuk ka logjikë biznesi që të shkojmë të marri kredi për punonjësit. Punonjësi quhet punonjës për sa kohë punon”, deklaroi z. Kasmi./Euronews Albania/

* Për më shume bashkohuni në grupin tonë: https://www.facebook.com/groups/tpz.al/
More in FLASH, KRYESORE, LAJME
Numri i viktimave më shumë se gashtë mijë, Shtëpia e Bardhë gati të rekomandojë përdorimin e maskave nga qytetarët në publik

Shtëpia e Bardhë pritet të këshillojë amerikanët në vatrat e nxehta të koronavirusit që të veshin maska ​​ose shalle në...

Close