X

Gjetja e Ramës, që po humbet mes dajreve të propagandës

Nga Armand Shkullaku

Edi Rama ideoi dhe realizoi një akt të lavdërueshëm duke i ardhur në ndihmë Italisë fqinje dhe për këtë meriton vlerësimin e çdo shqiptari, që u ndje mirë në këto ditë të vështira. Kryeministri shqiptar korri një përshëndetje masive nga mediat italiane e botërore, nga persnalitete politike e publike. Këto përshëndetje nuk ishte nevoja të porositeshin nga spin doktorët e propagandës, sepse aktet e mëdha flasin vetë dhe i përfshijnë të tjerët të flasin për to. Dërgata e 30 mjekëve shqiptarë në zemrën e frontit italian kundër covid 19, ishte një akt i tillë.

Mirëpo, si në shumë raste të tjera ne kemi një problem themelor me çështjen e masës. Nuk dimë ta respektojmë atë, duke e tejkaluar dhe duke rrezikuar kështu ta mbysim aktin e madh human me dajret e propagandës. Në misionin e 30 mjekëve shqiptarë, neve na takonte të flisnim të fundit, për t’u lënë kështu hapësirën e nevojshme të tjerëve për të vlerësuar solidaritetin tonë.

Ndoshta nga servilizmi për të nxjerrë sa më në pah gjenialitetit e Liderit apo për të rënë më shumë në sy në lëvdatat ndaj tij, ndoshta të nxitur nga ankthi që merita t’i shkojë vetëm atij, në Shqipëri shpërtheu një valë euforie banale që kontrastonte fort me sinqeritetin dhe mirënjohjen që po mbërrin çdo ditë nga përtej Adriatikut. Ndjenjën e krenarisë që prodhoi vërtet aksioni i Edi Ramës, po e sposton ajo e bezdisë nga teprimi propagandistik që po i bëhet këtu.

Metafora e hiperbola, krahasime dhe simbolika që shkojnë nga Skënderbeu e deri tek Jezu Krishti, laërtësimi i Liderit dhe kryqëzimi i kundërshtarëve të tij vend e pavend, po e dëmtojnë fisnikërinë e humanizmit shqiptar. Ky humanizëm u dëshmua me një veprim të rrallë, tejkalimi i masës rrezikon ta banalizojë elegancën e tij. Një gjetje e bukur mund të bastardohet fare lehtë nga taborret që nuk dinë të vlerësojnë thelbin, por nxitojnë të brohorasin autorin e saj.

Thelbi i këtij akti ishte vërtet i rëndësishëm për një vend të vogël si Shqipëria. Ai ishte përtej mirënjohjes me fjalë për gjendshmërinë që Italia ndër vite, e së fundi edhe për goditjen nga tërmeti, ka treguar ndaj nesh. Ishte një shenjë e bukur në këto kohëra izolimi, kur po vihet në pikëpyetje solidariteti ndërnjerëzor, se vlerat humane që kemi ndërtuar mes shteteve duhet të mbijetojnë. Një mesazh nga një vend i vogël, që mund t’i vlejë edhe botës, e cila tenton të mbyllet brenda halleve të secilit vend sa herë përballet me kriza të tilla.

Shqipëria, nëse doni edhe falë Edi Ramës, shënjoi një gjurmë në ruajtjen e këtyre vlerave. Le t’i lëmë të tjerët të flasin për ne. Përndryshe do t’u ngjajmë atyre provincialëve që kur qerasin dikë në tavolinë, e merr vesh i gjithë fshati. Lideri duhet të jetë i qetë se aktin do ia vlerësojmë, pa qenë nevoja ta përmendim orë e minutë, pa qenë nevoja për komente si ato që propozojnë të bëhet president i Komisionit Europian apo glorifikime që rrezikojnë ta kthejnë në karikaturë gjestin e madh të 30 mjekëve shqiptarë. Na lini të ndihemi mirë, qoftë edhe një herë të vetme, kur Edi Rama sillet si kryeministër i të gjithë shqiptarëve.

/Lapsi.al/

* Për më shume bashkohuni në grupin tonë: https://www.facebook.com/groups/tpz.al/
More in IDE, LAJME
“Siguri, testim, ndihmë ekonomike”, Basha tregon tre prioritetet nëse do të ishte kryeministër

Siguri, testim, ndihmë ekonomike, janë tre prioritetet që do të ndiqte kryedemokrati Basha, në rast se do të ishte në...

Close