X

Përhapja e frikshme, më shumë se 710 mijë të prekur nga Covid-19 në botë, dhjetëra shtete nën masa të forta izolimi

Në botë janë shënuar më shumë se 710 mijë raste të infektuarish të dielën, me mbi 100 mijë raste të reja që u shtuan brenda pak ditëve. Janë më shumë se 33,500 vdekje dhe mbi 150,000 të shëruar në 199 vende dhe territore që janë prekur nga Sars-cov-2.

Vendin e parë për numrin e infektimeve tashmë e mban SHBA me 135,627 raste, nga të cilat 12,049 janë raste të reja në 24 orët e fundit. Edhe numri i të vdekurve është rritur ndjeshëm, në 2,385 viktima nga të cilat 165 vetëm në 24 orë.

Presidenti Donald Trump tentoi të marrë masa karantinimi në Nju Jork, Nju Xhersei dhe Konektikat, por më pas u tërhoq. Ndërkohë parashikimet janë të frikshme për Shtetet e Bashkuara, se numri i të vdekurve nga kjo pandemi mund të arrijë të marë jetën e mbi 100 mijë njerëzve.

Vendi i dytë më i prekur nga infektimet vazhdon të jetë Italia, e cila është më e goditura në Europë, me 97,689 raste të infektuarisht dhe 10,779 të vdekur, nga të cilat 756 vetëm sot. Italia, ditë pas dite vazhdon të shtrëngojë masat kufizuese për qytetarët në përpjekje të dëshpëruar për të frenuar përhapjen e mëptejshme të kësaj pandemie, e cila duket se nuk është vënë ende nën kontroll.

Kontrollin e situatës në dorë duket se e ka marrë Kina, vendi nga ku nisi pandemia globale më e frikshme e dekadave të fundit. Numri i të infektuarve në Kinë është 81,439 me vetëm 45 raste të shënuara në 24 orëshin e fundit dhe me 3,300 të vdekur, një numër i kuzifuar prej shumë ditësh tashmë. Kina ka nisur lehtësimin e kujdesshëm të masave kufizuese, një shenjë optimizmi global se situata do të përmirësohet edhe në vendet që tani po shkojnë drejt kulmit të epidemisë apo janë në hapat e para të saj.

Në vendin e katërt për numrin e të prekurve është Spanja, vendi i dytë më i goditur në Europë, e cila është në gjendje alarmuese edhe në spitale. Numri i të infektuarve në Spanjë pritet shumë shpejt t’ua kalojë atyre në Kinë. Spanja deri tani ka 78,799 të infektuar, nga të cilët 5,564 në 24 orët e fundit, si dhe 6,606 viktima, ku vetëm sot kishte 624 të vdekur.

Situata në Gjermani është më e mirë, edhe pse ka një numër masiv të infektuarish, sipas qeverisë gjermane për shkak të numrit të lartë të testimeve që po kryhen në vend, por ka një numër të ulët vdekshmërie, gjë që ka kthyer shumë sy ekspertësh nga vendi, për të kuptuar nëse ka ndonjë strategji që nuk po e përdorin vendet e tjera në Europë dhe në botë. Gjermania ka deri tani 60,659 raste të infektuarish, nga të cilët 2,964 janë shtuar vetëm në 24 orë, dhe ka shënuar 482 të vdekur, një diferencë e madhe me vendet e tjera europiane. Në 24 orëshin e fundit janë 49 viktima në të gjithë Gjermaninë.

Situata është kritike për sa i përket vdekshmërisë edhe në Francë. Deri tani zyrtarisht janë 2,606 të vdekur nga të cilët 292 janë në 24 orët e fundit, mes 40,174 të infektuarve që ka gjithsej ky vend (2,599 vetëm në 24 orë).
Renditjen botërore e vazhdon Irani, me 38,309 të infektuar nga Covid-19, nga të cilët në 24 orët e fundit janë konfirmuar 2,901 raste. Edhe vdekshëmria është e lartë në vendin që po përballet edhe me krizë ekonomike për shkak të sanksioneve amerikane. Janë 2,640 të vdekur nga të cilët 123 vetëm në 24 orë.

Mbretëria e Bashkuar është po ashtu e alarmuar me rritjen e shpejtë të infeksioneve, të cilat nuk u morën shumë seriozisht në fillim nga qeveria. Një ditë pasi Kryeministri Boris Johnson vendosi të shpallë masat kufizuese për qytetarët, për të frenuar përhapjen e koronavirusit, ai rezultoi pozitiv, i prekur prej sëmundjes. Bashkë me të edhe dy figurat kryesore të luftës kundër pandemisë në Mbretërinë e Bashkuar, ministri i Shëndetësisë dhe kreu i Shërbimit Shëndetësor. E megjithatë ata thonë se po vazhdojnë punën nga shtëpia dhe se kanë simptoma të buta. Të dhënat e fundit flasin për 19,522 të infektuar me 2,433 raste në 24 orë si dhe 1,228 të vdekur me 209 raste të njoftuara sot.

Koronavirusi po vazhdon të përhapet në të gjithë botën, me vendet europiane që po shohin rritje të vazhdueshme të rasteve dhe po përgatiten për të frenuar skenarë dramatikë si ai që ndodhi në Itali dhe  Spanjë, me masa të forta kufizuese për qytetarët.

Kërkimet vazhdojnë për vaksinën që do të shpëtojë botën nga kjo luftë jetësore, jo vetëm për shëndetin por edhe ekonominë. Dhe njëkohësisht testohen formula të ndryshme ilaçesh që kanë rezultuar efektivë në disa vende, por nuk janë ende plotësisht të sigurt për të marrë aprovim zyrtar për përdorim të gjerë.

Të dhënat botërore përditësohen në mënyrë të vazhdueshme dhe numri i të infektuarve rritet me disa mijëra nga minuta në minutë. Zyrtarët në të gjithë botën kanë siguruar se nëse do të respektojmë të gjithë masat kufizuese, situata do të jenë më nën kontroll, nga brenda disa javësh, në brenda disa muajsh.

* Për më shume bashkohuni në grupin tonë: https://www.facebook.com/groups/tpz.al/
More in BOTA, LAJME
‘Rama po tallet në këtë kohë”/ Denoncimi i PD: Klodian Zoto do të paguhet 18 milionë euro, për inceneratorët që nuk ekzistojnë

Anëtari i Partisë Demokratike, Enno Bozdo, flet për një shumë në total 120 milionë euro, që do të paguhen këtë...

Close