X

Skënderbegas, privilegji dhe nderi i një emri

Nga Luan Rama

(Në 75-vjetorin e krijimit të shkollës së mesme ushtarake “Skënderbej”)

Dyzet vjet më parë, edhe unë u bëra nxënës i shkollës lavdimadhe që më dha privilegjin dhe nderin e emrit që vetëm ajo shkollë mund të ta jepte: skënderbegas.

Ndaj, sot kur bëhen 75-vjet nga dita e krijimit të shkollës së mesme ushtarake “Skënderbej”, nderimi dhe mirënjohja shkon për të gjithë skënderbegasit; për komandantët, komisarët, mësuesit dhe edukatorët e palodhur, për të gjithë ata që kanë punuar dhe shërbyer në atë shkollë.
Shkon për të gjithë katërmbëdhjetëvjeçarët që e kapërcyen atë prag atdhetarie me aq shumë krenari dhe ëndrra.

Prej ditës së parë kur çeli dyer me 28 mars 1945, dhe deri kur e mbyllën, ajo shkollë ishte dhe mbeti vatra gjithonë e ndezur e dashurisë për atdheun, shkollë patriotizmi dhe solidariteti, tempull i shenjtë i dijes dhe edukimit të shumë e shumë brezave të skënderbegasve, të cilët shërbyen jo vetëm në rradhët e Forcave të Armatosura, por gjithkund ku atdheu kishte nevojë për ta.

Skënderbegasit u bënë krenaria dhe lavdia e ushtrisë shqiptare, por ata u bënë edhe shkencëtarë të zotë, u bënë profesorë dhe akademikë të nderuar, u bënë mjekë e inxhinierë, konstruktorë dhe poetë, muzikantë e sportistë elitarë, gazetarë e artistë të përmendur, u bënë ministra e presidentë.
Por mbi çdo gjë, ata u bënë dhe mbetën skënderbegasit e atdheut.

Ky është privilegji dhe nderi i emrit skënderbegas, i emrit që sot na bën të gjithëve bashkë kudo ku jemi nëpër botë e të themi me zërin e zemrave skëndërbegase:

Faleminderit për emrin që na dhe shkolla jonë e dashur!
Gëzuar festën shkolla “Skënderbej”!

* Për më shume bashkohuni në grupin tonë: https://www.facebook.com/groups/tpz.al/
More in BLOG
Shqipëria, vdekjet më të larta në rajon…

Nga Kastriot Islami Nga një analizë e shifrave që raportohen te OBSH për rastin e Shqipërisë vihet re mungesë koherence....

Close