X

Nevoja ekonomike është po aq jetike sa ajo shëndetësore


Nga Brenton Kotorri

Krizat dhe pandemitë që kanë kapluar botën moderne i kanë mësuar njerëzit si të reagojnë, si në rrafshin human për të parandaluar apo penguar përhapjen e tyre, ashtu edhe në rrafshin ekonomik. Gjatë këtyre 100 viteve bota është goditur me radhë që nga Gripi Spanjoll e deri tek SARS e Ebola, të gjitha këto pandemi që kanë pasur efekte të mëdha në ekonomi. Prej stiuatave të krijuara edhe qeveritë kanë ndërmarrë masa ekonomike për të parandaluar rrëshkitjen në deflacion, inflacion apo recesion ekonomik. Në ato vende, që qeverisen kryesisht prej politikave të djathta, sidomos prej politikave të tregut të lirë, shkatërrimit të monopoleve, oligopoleve dhe garantimit të rregullave, edhe ndërhyrja në ekonomi e shtetit duhet të jetë sa më e vogël, pasi një vend i aftësuar në tregun e lirë, është i aftë ta rregullojë vetveten, dhe të përshtatet në çdo moment, me cilëndo situatë. Rast ilustrimi është dalja nga kriza e vitit 2008 në SHBA. Pas pikiatës që mori ekonomia, qeveria e Presidentit Bush, në muajt e fundit të mandatit, bleu 700 miliardë USD kredi të këqia në tregun e shtëpive të banimit. Brenda konceptit të tregut të lirë, qeveria u fut në treg si një investitor me risk të madh, por nga ana tjetër edhe strategjikisht. Duke ndalur brenda një viti, recesioninm dhe duke shpëtuar sektorin më të madh ekonomik të vendit siç ishte tregu imobiliar. Shembulli i ndërhyrjes së madhe mund të merret sërish nga historia e SHBA duke kujtuar Depresionin e Madh. SHBA e viteve 1909 – 1933, ishte një vend me ekonomi tërësisht të varur nga ndërhyrja e shtetit. Asokohe, një vend me nevoja të mëdha zhvillimore në infrastrukturë rrugore, minerare dhe energjitike, qeveria ishte ofruesi më i madh i punësimit. Vitet e luftës, e mbanin qeverinë ende si klientin më të madh të industrisë. Pas lufte, ekonomia për inerci vijonte të mbetej e varur prej udhëzimit dhe ndërhyrjes së qeverisë. Mungesa e ndërhyrjes, kur tashmë njerëzit ishin nënshtruar ndaj qeverisë si ofruesi kryesor në ekonomi, solli ‘Depresionin e Madh’. “New Deal” i F.D. Roosevelt, solli ilaçin e duhur, për një popull që kishte krijuar varësi prej qeverisë, programe të mëdha qeveritare që derdhnin para në çdo sektor të shoqërisë, duke punësuar kështu të gjithë ata që kishin një aftësi për të prodhuar. Njëzëri, ekonomistët me autoritet ndërkombëtar, kanë rënë dakord se masat e sotme që qeveritë duhet të ndërmarrin lidhen me hedhjen e parave në ekonomi dhe aty ku nevojitet, direkt tek individët. Në SHBA, sot ekonomistët këmbëngulin që të ndërhyhet më shumë për të shpëtuar biznesin e vogël. Ata këmbëngulin se kriza në ekonomi si pasojë e COVID-19 do të godasë likuiditetin, aftësinë paguese dhe më pas besimin e konsumatorit. Gjasat janë që të gjithë shtresat shoqërore të goditen nga kjo krizë që do të zhbëjë kursimet e shumë qytetarëve. Në rastin e Shqipërisë nuk do shumë mend të kuptosh që kjo situatë do jetë shumë herë më e rëndë. Shqipëria ka mbledhur këto 7 vjet të ardhura sa 28% e GDP-së (një vlerë po aq sa ajo e epokës Berisha), konsumi ka pesë vjet që është i ulët. Vendi ka një ekonomi të strukturuar më shumë ndaj shërbimeve dhe aspak drejt prodhimit. Pikërisht janë këto biznese që do të preken më së shumti nga kjo krizë; turizmi që është një nga fushat kryesore që prodhon të ardhura në vend do të bjerë, call-center që operojnë në Shqipëri dhe janë të lidhura me Italinë do të nisin të falimentojnë apo largohen. Baret, lokalet, restorantet dhe hotelet e shumë biznese të vogla që janë mbyllur do të falimnetojnë jo si pasojë e dorës së padukshme të tregut por si pasojë e dorës së zezë të harresës. Mbi 500 mijë të punësuar kanë sot pikëpyetje për punën e tyre, ndërsa mbi 160 mijë biznese të vogla, pa llogaritur të mëdhatë, nuk kanë asnjë perspektivë sepse situata po rëndohet. Do qe e pritshme që qeveria të angazhohej në shpëtimin apo shtimin e likudititetit. Por 65 mln USD që qeveria jep për bizneset dhe shtresat në nevojë nuk vlen as 400 USD në ditë për një biznes. Tani mendoni një biznes të vogël që ka një qira për të paguar në fund të muajit, kur ai nuk ka kryer asnjë fitim me se duhet të paguajë qiranë? Në mungesë të qirasë së paguar, qiramarrësi do të ketë më pak të ardhura dhe do përdorë kursimet e tij (nëse do ketë) dhe do ulë konsumin. Imagjinoni se çfarë ndodh me zinxhirin ekonomik që funksionon si zinxhiri i natyrës. Sot pra në Shqipëri, si një vend ku tregu është tërësisht i varur nga ndërhyrjet ligjore dhe fiskale të qeverisë, ilaçi nuk është te mosndërhyrja, por te ndërhyrja, madje e menjëhershme. Fatkeqësisht, qeveria është angazhuar në një betejë tjetër të ethshme ndërsa lufton COVID-19. Të mbrojë biznesmenët e lidhur me qeverinë që vetëm për këtë vit do të marrin 120 mln euro nga buxheti shtetit. Pra, në një vit krize të thellë që po prek jetë njerëzish, qeveria vazhdon të disbursojë para për projekte që si KLSH dhe FMN i ka quajtur jo efiçente dhe të lidhura jo në interes publik. Një sjellje si kjo është imorale dhe kriminale. Një shkrim i publikuar pak ditë më parë në revistën Monitor evidentonte se buxheti i shtetit vetëm për 5 PPP do të paguante 240 mln euro shtesë, ndërkohë që shifra që qeveria ka ofruar për ekonominë rrotullohet tek 65 mln USD. Zgjidhja e pamjaftueshme që ofrohet nga qeveria, është në rastin më të mirë e pamenduar dhe në rastin më të keq, e menduar pa mbajtur parasyh njerëzit, por vetëm interesat politike. Sot nuk ka rëndësi parësore nëse e ka fajin qeverisja e tetë viteve që ekonomia shqiptare ishte në krizë edhe para krizës. Sot ka rëndësi që qeveria të paktën në tetë vite të bëjë lëvizjen e duhur. Te shkurtojë 90% shpenzimet qeveritare dhe t’i injektojë në ekonomi për të shpëtuar bizneset, por sidomos në shëndetësi për të shpëtuar njerëzit.

* Për më shume bashkohuni në grupin tonë: https://www.facebook.com/groups/tpz.al/
More in BLOG
Itali, qendra e re e epidemisë ka disa mësime për botën

Nga Jason Horovic,Ema Bubola,Elisabeta Povoledo Përvoja e vendit tregon se hapat për të izoluar koronavirusin dhe për të kufizuar lëvizjen...

Close