X

Kryeministri që nuk ndryshon sjelljen e vet, s’mund të ndryshojë sjelljen e qytetarëve

Nga Mark Marku

Kryeministri Rama u shfaq sot dy herë në media para qytetarëve shqiptarë pa transmetuar asnjë mesazh tjetër përveç arrogancës së përditshme. Si përherë, fillimisht kërcënoi e shau edhe njëherë mediat, (këtë rradhë e kishte me mediat sociale që i quajti vrima e ndyrë dxhitale e këtij vendi), opozitën dhe tradhëtarët e shumtë të padientifkuar të infiltruar nga koronavirusi në radhët e qytetarëve shqiptarë, më pas kaloi në rolin e përditshëm prej epidemiologu dhe në fund fare në rolin e gjyshit që herë i tremb fëmijët me policin e herë me gogolin.

Asgjë prej kryeministri. Ashtu siç nuk ka pasur asgjë prej kryeministri në hakërrimet e përditshme virtuale duke shpërndarë herë video filmash me luftën e Vietnamit, herë video dramatike nga spitalet italiane e herë video me situata dhune nga regjimet diktatoriale.

Gjendja e vetizolimit na ka bërë këto ditë më të vëmendshëm ndaj asaj që po ndodh në vende të tjera dhe pulti i TV-së bredh pa prerë sa tek kanalet italiane e franceze, po aq tek ato angleze e amerikane por asgjëkundi nuk sheh ndonjë kryeministër me sjellje të ngjashme me këtë tonin.

Kryeministrat seriozë të vendeve normale dalin në konferenca të rregullta shtypi për të komunikuar vetëm masa ekonomike, sociale, shëndetësore, buxhete, shifra fakte, në pjesën më të madhe me gazetarë, gjithmonë në zyrat qeveritare, shpesheherë të shoqëruar nga ministrat përkatës.

Përfaqësuesit e institucioneve të ngarkuara me menaxhimin e krizës dalin gjithashtu në konferenca të rregullta shtypi me gazetarë duke informuar në detaje për krizën. Askush deri më sot si kryeministri ynë nuk shfaqet para qytetarëve me rrëfime të tipit poetiko-mitik, pa folur asnjëherë për gjëra konkrete, të vetmet gjëra që na duhen për momentin dhe që do të qetësonin disi popullatën e tromaksur.

Kryeministri Rama kërkon nga të gjithë ndryshimin e sjelljes shoqërore dhe me të drejtë, një gjë e tillë është e domosdoshme, madje është kriminale të mos e bësh.

Kryemnistri kërkon konsnsensusin e të gjithë aktorëve për t’i zbatuar masat e vendosura nga qeveria dhe prapë ka të drejtë. Por aty ku ai nuk ka aspak të drejtë është se ai kërkon që të gjithë të ndryshojnë sjelljen e tyre por ai vetë të mos ndryshojë asgjë në sjelljen e tij, gjë që, me sa duket as nuk ka ndërmend ta bëjë në të ardhmen.

Ai nuk ka bërë asnjë hap për një konsensus me opozitën dhe vazhdon ta trajtojë atë si armike, madje ta bëjë pareshtur objekt të diskursit të tij të çartur politik, edhe pse për momentin opozita ka zgjedhur një qasje konstruktive përmes evidentimit të problemeve dhe parashtrimit të alternativave për zgjidhjen e situatës.

Madje po e bën kaq mirë një gjë të tillë sa të krijohet përshtypja se kryeministri i vendit është Lulzim Basha dhe kryeministri real nuk është as më shumë, as më pak se një qytetar i zakosnshëm i vetizoluar që bën statuse të shpeshta nga shtëpia e tij.

Ai nuk ka bërë asnjë hap pajtimi me mediat edhe pse mediat dhe gazetarët që i mbajnë në këmbë këto media janë, pas mjekëve, ndoshta grupi shoqëror që po tregon përgjegjësinë më të madhe dhe që po përballet më shumë me rrezikun e infeksionit për të mbajtur të informuar qytetarët për koronavirusin.

Nga njëra anë thotë se jemi në luftë kundra koronavirusit dhe kërkon mbështetjen e të gjithëve e nga ana tjetër mban një diskurs të denjë për dikë që sapo ka ndërmarrë një sulm për shfarosjen e opozitës, mediave, kritikëve, madje sot dukej se ishte i gatshëm të ndërmerrte një luftë kundër gjithë qytetarëve që përmes rrjeteve sociale shprehin hapur pakënaqësinë, kritikat apo humorin kundër mënyrës se si qeveria po e menaxhon situatën.

Qytetarët dhe gjithë aktorët politikë natyrisht që duhet të ndryshojnë sjelljen e tyre dhe për momentin duhet ta kalojnë në plan të fundit politikën në kuptimin më të mirëfilltë që ka kjo fjalë në përdorimin e përditshëm. Por një gjë të tillë duhet ta bëjë së pari qeveria. Hapin e parë duhet ta bëjë vetë Rama.

Le të kujtojmë se Trump-i po konsultohet pikërisht me përfaqësuesen e demokratëve N. Pelosin për masat që duhet të paraqesë në kongres, pikërisht me të njëjtin kundërshtar që nuk i dha as dorën në momentin e impeachment-it disa javë më parë, Xhonson-i do konsultohet sot me kreun e laburistëve, kryeministri Conte e ka bërë këtë gjë prej gati një muaji me kundërshtarët e vet politikë, po kështu Macron-i, Merkel-i e kështu me radhë.

Natyrisht kjo nuk do të thotë që ne të heqim dorë nga kritikat dhe debatet për problemet themelore të jetës sonë dhe të situatës aktuale pra nga politika në kuptimin zanafillor të kësaj fjale “si diçka që ka të bëjë me organizimin dhe drejtimin e qytetit (antikitet), të vendit në epokat e mëvonshme, me menaxhimin e një situate dhe me ushtrimin e pushtetit në një shoqëri të organizuar”.

Nga kjo lloj politike do të ishte shumë e rrezikshme që të hiqnim dorë dhe as kemi ndërmen ta bëjmë edhe pse virusi i totalitarizmit e ka prekur trurin dhe sjelljet e kryministrit Rama shumë kohë para se koronavirusi të prekte Shqipërinë.

Në këtë logjikë është në dobi të shoqërisë dhe të kapërcimit të gjendjes ku jemi të vazhdojmë ta “bezdisim” kryeministrin Rama me akte politike si shtrimi i pyetjeve të tilla si: A do të kishim kaq frikë për një kolaps të sistemit spitalor nëse milionat e harxhuara per koncesionet në shëndetësi do të ishin investuar për ndërtimin e katër, pesë apo gjashtë spitaleve moderne rajonale Ose si ka mundësi që qeveria siguroi gaz me tepri kur qe puna për të mbrotjur pushtetin e vet nga protestat e opozitës dhe maska të paskaduara për policët që do e hidhnin atë gaz ndërkohë që për mjekët që do të përballeshin me koronavirusin maskat ishin të skaduara? Kush janë në këtë rast “tradhëtarët”?

Ose pyetje të tjera: Pse nuk shpallet gjendja e fatkeqësisë natyrore dhe të nxirret ushtria përkhrah policisë në çdo pjesë të territorit për të bllokuar lëvizjet e popullsisë sepse ndoshta një veprim i tillë do të ishte më efikas se kërcënimet me përralla të frikshme dhe me video lufte? Ose pse nuk raporton qeveria se sa maska ka blerë ose janë në proces blereje, sa tampone, sa para po harxhohen për desinfektimin e zonave urbane?

Ose a po merr qeveria masa për blerjen e mundshme të atyre ilaçeve që mendohet se së shpejti do të mund të licensohen nga institucionet kërkimore si efikase në luftën kundra koronavirusit? Dhe më në fund një pyetje e shtruar si sugjerim apo vërejtje në titullin e shkrimit:

A janë të gatshëm (dhe të aftë) kryeministri Rama dhe mazhorancae tij që të bëjnë vetë pikërishit atë që po i kërkojnë me ngulm dhe me të drejtë gjithë shoqërisë shqiptare pra të bëjnë edhe ata vetë një sacrificë të vogël duke ndryshuar mënyrën, stilin dhe filozofinë e qeverisjes gjë që do të përbënte një akt shpresëdhës për tejkalimin me sa më pak humbje të krizës që po kalojmë./Panorama/

* Për më shume bashkohuni në grupin tonë: https://www.facebook.com/groups/tpz.al/
More in IDE, LAJME
Mjeku Pipero jep lajmin e keq: Të gjithë mund të sëmuremi nga koronavirusi, edhe ata që janë marrë me shumë sport

Mjeku Pëllumb Pipero, në një lidhje të drejtpërdrejtë me studion e “Ditari” në A2, deklaroi se koronavirusi mund të prekë...

Close