X

Shfaqen efektet e para anësore të karantinës; Nikoll Lesi del natën në rrugë dhe bisedon me statujat

Karantina e shpallur nga drejtori i shtet-rrethimit dhe i OSBE-së, Edi Rama, ndër të tjera, sikundër edhe pritej, ka filluar të japë efekte anësore, siç ndodh me shumicën e ilaçeve në mbarë botën.

Mbyllja me forcë brenda në shtëpi, e çdo të madhi dhe të vogli, në popullatën tonë, ka sjellë shpërthime dhe deformime brenda kapakut të kokës, ndër shumë qytetarë, të panjohur, por edhe të njohur.

Një nga shpirtrat më të lirë dhe më bredharak, në historinë e diktaturës dhe të demokracisë hibride që po gëzojmë, miku ynë, gazetari i shquar, Nikoll Lesi, ka pësuar efektet më të rënda anësore nga kjo karantinë e detyrueshme.

Çdo mesnatë, Nikoll Lesi, ngrihet, mbath këpucët, merr aparatin forografik dhe del nëpër rrugët e kryeqytetit, kryesisht në qendër, ku s’ka as frymë, as këmbë njeriu.

I gjendur në mes të kësaj shkretëtire, Nikolla fillon një bashkëbisedim të gjerë, me statujat dhe shtatoret që i dalin përpara dhe i duken si njerëz.

Shtatorja e parë me të cilën ai ndeshet, ngaqë e ka afër shtëpisë, por rastësisht edhe më e rëndësishmja në rangun botëror, është ajo e Presidentit amerikan, Wilson, në sheshin me të njëjtin emër.
Është fiks ora 00:00. Këtu, Nikolla ndalon dhe herë i afrohet, herë i largohet, herë i afrohet, herë i largohet, statujës së Wilsonit dhe vazhdimisht seç i pëshpërisin njëri tjetrit. Natën e parë, këtë bisedë e ndërpreu një çift policësh, që Edi Rama i ka nxjerrë në rrugë, për të monitoruar efektet anësore të shtet-rrethimit.

Pas shtatores së Wilsonit, Nikolla niset drejt sheshit Skënderbej, ku siç thotë, por edhe siç dihet, gjeti vetëm Skenderbeun, çuditërisht të shoqëruar nga dy pleq, të paprekur nga koronavirusi. Aty, Nikolla ynë bëri disa foto dhe nxitoi drejt një bankomati, ku nxorri disa kartmonedha. Duke qenë se, nuk gjeti asnjë lypës në rrugë, u kthye tek presidenti Wilson dhe i hodhi statujës disa kartmonedha, siç u hidhte në rini të gjallëve, për ta respektuar dhe falenderuar njeriun, që dikur shpëtoi Shqipërinë.

Në të gjithë këtë lëvizje dhe dialogim me statujat, nuk është shumë e qartë, por ndoshta për shkak të origjinës së koronavirusit, gazetarit të njohur Nikollë, i’u fantaksën dy kinezë.

Të gjithë këtë përjetim fantazmagorik, të ngjashëm me realizmin magjik amerikano-latin, Nikolla e ktheu në shkrim dhe e botoi në gazetën e tij, “Koha Jonë”, në fillim me emrin Nikoll Lesi dhe më pas, me emrin e tij të dytë, pseudonimin, Spiten Prulli.

PS. Në mënyrë, që ju të nderuar lexonjës, të kuptoni efektet e karantinës, mbi një njeri që nuk është mbyllur dhe nuk mund të mbyllet kurrë brenda, nga kushdo që ta japë urdhërin, lexoni  më poshtë, shkrimin e Nikoll Lesit.

/TPZ.al/ Tej e këtej/

Shkrimi i plotë i Nikoll Lesit & Spiten Prullit:

Këtë të premte, datë 13 mars, aty nga ora 22.45 pasi kisha qëndruar gjithë ditën në shtëpi sipas porosive të Edi Ramës, vendosa e dola. Vura maskën, edhe dorezat e blera te farmacia e njohur Koleci, e fillova të eci. Shikoja rrugët, bosh ishin! U solla nëpër trotuar dhe kaloja sa në njerën anë të trotuarit në tjetrin mu para gjimnazit “Petro Nini Luarasi”.

Asnjë makinë! As edhe njerëz!

Iu afrova ngadalë e në qejfin tim si dhe duke kundruar hundën te maska që e vura për herë të parë dhe se si më dukej vetja si në filma ku në krejt qytetin isha vetëm unë. Si në ato filmat postapokaliptik.
Këmbët me çuan te sheshi Wilson, ndalova. Askush nuk dukej, ndërkohë semaforat punonin për mrekulli. Kur ka makina dëng nuk punojnë, për dreq. Rrethi i madh përreth Presidentit amerikan Wilson krejt bosh.
Hajde po shkoj ta shikoj Wilsonin nga afër, thashë dhe hyra në rreth, kalova barin e Erion Velisë dhe u gjenda mu përballë Presidentit Wilson. Nxora celularin dhe bëra këto foto që janë në shkrim.
Presidenti ishte vetëm! Përnatë, para se të na mbinte ky koronavirusi, gjallëronte sheshi, lokalet plot, makina rrëmujë e semaforë që nuk punojnë.

Zbrita nga bari dhe rënda me hap me të shpejtë të shikoja Tiranën. Kërkoja me sy për ndonjë frymë njeriu. Jo! Kalova edhe Librin Universitar dhe kapa Bulevardin kryesor. Aty po, kishte makina policie. Te trotuari mes kryeministrisë dhe QNK ishte një lypës, mbledhur kruspull.
Hej bela!-thashë- Si t’ja jap ca lekë?

Mu kujtua kryeministri me këshillat e tij shëndetsore dhe veprova. Nuk iu afrova. Mbajta hapin diku te katër metra larg dhe hodha një 2 mijë lekshe, por nuk ra në prehrin e tij. Epo po hedh edhe një, mendova dhe prapë 2 mijë lekshi tjetër ra nga e majta e tij, nga ana ku Endri Fuga, këshilltari i Ramës, ka zyrën e tij.
E lashë lypsin e natës në vetminë e tij dhe u turra nga sheshi “Skendërbej”.Trotuari nga ana e ish-hotel Dajtit, bosh. Diku afër Galerisë së Artëve ishin dy të rinjë kinezë që nuk pyesnin për coronën e ardhur nga Kina dhe po putheshin mu përballë zyrës së ministrit të brendshëm.
Siç duket kinezët e kishin mësuar fjalën e urtë popullore shqiptare se “plumbi del me plumb”. Edhe ata po zbatonin “korona del me korona!”. Natyrisht e kemi fjalën për koronavirus.
Në sheshin Skenderbej rrinte vetëm Skendërbeu dhe dy pleqë.
Mora udhën nga Banka e Shqipërisë, kalova përballë selisë së PS. Mendova se Taulant Balla mund të ishte duke dhënë udhëzimet për coronën, por asnjë nuk dukej te selia. Ishte kyçur partia!
Te Tajvani makina policie rrinin e kundronin ndonjë makinë që mund të kalonte. U solla nga ish-blloku me mendimin se mund të kishte lëvizje.
Pak ose më mirë aspak njerëz. Iu solla një bankomati të nxirrja ndonjë lekë të vogël, por edhe bankomati nuk kishte. E prapë dola para Wilsonit. Asnjëri nuk dukej. Presidenti amerikan aty rrinte, i vetëm.
Koronavirusi ishte mbret i natës në Tiranë. Ai (koronavirus) dhe dy kinezët që pashë të Galeria e Artëve drejtonin kryeqytetin kësaj nate.
Edhe sa netë, ata, do mbretërojnë mbi kryeqytet? Nuk e di, asnjë nuk e di! Dijmë që as lufta bërthamore nuk do na kishte futur brenda si kësaj radhe!

* Për më shume bashkohuni në grupin tonë: https://www.facebook.com/groups/tpz.al/
More in TEJ E KETEJ
Video që nuk duhet humbur/ Katër badigardë muskulozë mbrojnë Ylli Ndroqin nga koronavirusi

Siç e kemi theksuar, bota po ndryshon me një shpejtësi shumë më të madhe, se shpejtësia me të cilën po...

Close