X

“Ndalohen fytyrat e mbuluara dhe sendet e forta”: Policia e Tiranës blindon derbin


Incidentet e ndodhura në javët e fundit, me thyerjen e stolave të stadiumit të ri, kanë bërë vigjilente Policinë e Tiranës në vigjilje të derbit të kryeqytetit mes Tiranës e Partizanit. Për dy ndeshjet e fundit ku pati prishje të rendit e qetësisë publike dhe shkatërrim të pronës, Policia e Tiranës arrestoi 4 tifozë dhe procedoi penalisht 16 të tjerë dhe vijon punën për identifikimin edhe të shumë personave të tjerë të përfshirë në këto vepra penale. E fakti që shkohet drejt një stadiumi të tejmbushur dhe ndjeshmëria e ndeshjes mjafton që vëmendja për 90 minutat e të premtes në orën 19.00 të jenë speciale.

Rrugë të bllokuara, segmente pjesërisht të izoluara, sidomos ato në të cilat do të kalojnë tifozeritë përkatëse e rregulla strikte në hyrje të stadiumit. Për herë të parë do të ketë ndalim të personave të identifikuar gjatë aktiviteteve të ndryshme sportive si problematikë nga Policia. Askush nuk mund të fusë lëndë piroteknike brenda stadiumit, ndërsa të gjithë do të jenë të identifikuar me dokumente dhe nuk do të lejohen të futen në stadium me fytyrë të mbuluar. Nëse konstatohen se kanë mbuluar fytyrën gjatë ndeshjes, do të shoqërohen jashtë stadiumit menjëherë.

Po në zbatim të planit të masave, do të ushtrohen kontrolle ndaj tifozëve para hyrjes në stadium për sende të kundërligjshme (si armë, sende të forta, bidonë uji, çadra, çelësa metalik apo lëndë piroteknike etj.) dhe çdo tifoz duhet të jetë i pajisur me dokument identifikimi. Policia bën me dije se në rastet e prishjes së rendit dhe qetësisë publike, do të ndërhyjë si në ambientet e jashtme të stadiumit, ashtu dhe në ambientet e brendshme, për rivendosjen e rendit dhe shoqërimin e personave që do shkaktojnë trazira apo kryejnë veprime antisportive.

Policia e Tiranës, ka masa të shtuara për mbarëvajtjen e rendit dhe sigurisë gjatë zhvillimit të ndeshjes së futbollit midis ekipeve Tirana – Partizani, që do zhvillohet më datë 28.02.2020, në orën 19:00, në stadiumin “Air Albania”. Segmentet rrugore që do të jenë të bllokuara, nga ora 15:00 deri në përfundim të aktivitet, janë:

– Rruga përreth stadiumit “Lek Dukagjini”, rruga “Dervish Hima”, rruga “ Gjergj Filipi”, rruga “Papa Gjon Pali II”, nga kryqëzimi me rrugën “Ismail Qemali” deri tek stadiumi “Air Albania” dhe bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nga presidenca deri te sheshi “Nënë Tereza”.

Do të ketë bllokim të pjesshëm të rrugëkalimeve të tifozëve, si më poshtë:

– Lëvizja e tifozëve të Tiranës do kryhet: Xhamllik – ura e Rrugës së Elbasanit – rruga “Pap Gjon Pali II” – Stadium; Pallati i Operas – bulevardi “Dëshmorët e Kombit – rruga “ Barjam Curri” – rruga “Pap Gjon Pali II” – stadium.

– Lëvizja e tifozëve të Partizanit: Kryqëzimi i rrugës “Muhamet Gjollesha” me rrugën “Artan Lenja”, përgjatë rrugës “Muhamet Gjollesha”, rruga “Sulejman Delvina”, rruga “Ibrahim Rugova” – sheshi para Gardës – rruga “Lek Dukagjini” – stadiumi.

Policia do të garantojë dhe sigurojë lëvizjen e tifozëve përgjatë rrugëkalimeve të caktuara dhe nuk do të lejojë grumbullim apo kalim të tifozëve jashtë itinerarit të caktuar.

* Për më shume bashkohuni në grupin tonë: https://www.facebook.com/groups/tpz.al/
More in SPORT
Koronavirus zhyt në kaos Formula 1, rrezikon fillimi i sezonit

Koronavirus vë në rrezik real fillimin e këtij sezoni të Formula 1. Pas anulimit të Çmimit të Madh të Kinës...

Close