X

Italia paralizohet nga koronavirusi vdekjeprurës. Shqipëria mban frymën mes ankthit dhe pasigurisë

Koronavirusi ka mbërritur në Itali dhe deri në këto momente ka marrë jetën e dy personave. 130 të tjerë janë infektuar dhe qeveria italiane ka nisur aplikimin e masave të rrepta emeregjente, në tentativë për të frenuar përhapjen e mëtejshme të virusit.

Zona e prekur nga virusi është Lombardia dhe Veneto. Dy raste janë konfirmuar në qendër të Lombardisë, Milano, 16 raste në Veneto, 3 në Piedmont dhe 2 raste janë konfirmuar në Emilia-Romagna.

Autoritetet italiane druhen se virusi është përhapur edhe jashtë zonave të izoluara ku janë raportuar rastet e infektimit, gjë që e bën më të vështirë izolimin dhe kontrollimin e virusit.

Zonat e prekura më rëndë janë aktualisht të vendosura në karantinë dhe askush nuk mund të hyjë dhe dalë prej tyre.

Shkollat janë mbyllur dhe shumë evenimente sportive dhe kulturore janë anulluar në zonat e prekura. Disa ndeshje futbolli të Seria A dhe karnavalet e Venecias, janë anulluar nga frika e përhapjes së virusit.

Duke qenë se virusi mund të transmetohet edhe gjatë periudhës së inkubacionit, një person  i infektuar mund ta përhapë atë pa patur shenja se ai vetë mbart virusin.

Situata ka sjellë mjaft pasiguri edhe në Shqipëri, për shkak të qarkullimit të shumtë të qytetarëve mes dy vendeve.

Autoritetet deklarojnë se Shqipëria ka forcuar masat në pikat kufitare, ku qytetarëve që kthehen nga Italia po u matet temperatura.

Shefi i inspektimit në Rinas, mjeku Lorenc Harshova,  sqaroi se në aeroportin e Rinasit është krijuar një korridor, ku intervistohen pasagjerët dhe u matet temperatura.

“U dyfishua numri i personelit mjekësore. Sot janë kontrolluar të gjitha linjat e Genovas dhe Italisë. Iu mat temperatura dhe u lanë të lirë. Kemi krijuar një korridor dhe pasagjerët futen një nga një dhe u matet temperatura me lazer. Siguria në areoport kas qënë gjithmonë. Asnjë nuk ka pasur me temperaturë. I këshillojmë për autokarantinim. Në rast se do kemi ndonjë rast të dyshuar kemi një dhomë dhe më pas do të telefonojmë 127.”- tha Harshova.

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH), e ka shpallur koronavirusin dhe përhapjen e tij, një emergjencë globale.

OBSH e konsideron këtë virus mjaft shqetësues, duke e përshkruar përhapjen e tij si ” të paprecedentë”.

Arsyeja kryesore nuk lidhet me atë që po ndodh në Kinë, por me çfarë po ndodh në vendet e tjera“, u shpreh shefi i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus, në një konferencë për shtyp në Gjenevë.

Kjo do të thotë, se OBSH i frikësohet mungesës së kapacitetit për përballimin e virusit në vendet më pak të zhvilluara.

Rrjedhimisht, pavarësisht se autoritetet deklarojnë se në Shqipëri janë marrë të gjitha masat, ekzistojnë pikëpyetje rreth kapacitetit të sistemit shëndetësor, për të përballuar këtë virus, nëse ai do të mbërrijë në vendin tonë, gjë që ka shtuar ankthin tek qytetarët.

LEXO EDHE :

Koronavirusi, Bota po i afrohet një pandemie

Çfarë masash duhen marrë nga qytetarët? 

Mjeku i njohur infeksionist Tritan Kalo, ka ftuar qytetarët që të lajnë duart sa më shpesh si mbrojtja më e mirë ndaj viruseve, duke bërë thirrje për qetësi për të mos përhapur panik të panevojshëm.

“Kultura qytetare në sjelljen tonë në publik si dhe ndërgjegjësimi për higjienën personale e të mjedisit rrethues, janë dy hallka të rëndësishme si në parandalimin po ashtu edhe në kufizimin e rasteve me Covid-19. Kushtojnë’ shumë-shumë pak por janë mjaft të efektshme”, shprehet mjeku i mirënjohur Tritan Kalo për FaxNews.

Kalo ka ftuar qytetarët që të bëhemi të gjithë pjesë e përballimit të këtij risku, duke i ftuar që të kuptojmë mesazhet që na vijnë nga specialistët e fushës së epidemiologjisë.

Lani duart sa hyni në shtëpi!

Lani duart para gatimit!

Lani duart pas përdorimit të tualetit!

Lani duart sa herë teshtini apo kolliteni!

Teshtini mbi shami apo bërryl dhe jo mbi duart tuaja!

Gatuajini plotësisht ushqimet!

Mos frekuentoni ambiente të mbyllura dhe me shumë njerëz!

Pini shumë ujë dhe lëngje!

Pajisini të moshuarit që frekuentojnë transport publik me maska!

Në udhetime konsumoni ushqime të  paketuara!

Evitoni përdorimin e tualeteve publike!

/TPZ.al/

* Për më shume bashkohuni në grupin tonë: https://www.facebook.com/groups/tpz.al/
More in KRYESORE, LAJME, NË FOKUS
Burri shkel urdhrin e mbrojtjes, dhunon bashkëshorten e dy fëmijët, arrestohet nga policia

Policia e Tiranës njofton se ka arrestuar një burrë 51 vjeç, i cili ka ushtruar dhunë fizike e psikologjike ndaj...

Close