X

A mund të jetojmë në një botë pa rregulla?


Nga Nick Chater

“Jam në fund të të 20-ave dhe ndihem gjithnjë e më i frustruar nga rregullat. Nga tabelat e pafundme që më thonë “të qëndroj në të djathtë” mbi shkallët lëvizëse, apo “ndalimin e lëvizjes me skeitbord” në vende publike, deri tek të gjitha ato rregullat e pashkruara shoqërore, siç është pritshmëria që unë duhet të rri me këmbë në tokë, të blej një shtëpi dhe të krijoj familje. A na duhen vërtet gjithë këto rregulla, pse duhet t’i ndjekim ato, dhe çfarë do të ndodhte nëse të gjithë i injorojmë ato?” Uilli, 28 vjeç, Londër.

Të gjithë e ndiejmë praninë shtypëse të rregullave, të shkruara dhe të pashkruara qofshin. Hapësirat publike, organizatat, festat, madje edhe marrëdhëniet dhe bisedat rastësore, janë plot me rregulla që diktojnë çdo veprimin tonë. Ne shprehemi kundër rregullave që ndrydhin lirinë tonë, dhe themi shpesh se ato janë “atje t’u thyer””.

Por si një shkencëtar i sjelljes njerëzore, besoj se problemi në përgjithësi nuk janë në fakt rregullat, normat dhe zakonet. Por ato që janë të justifikuara. Dhe këtu puna më e vështirë është përcaktimi i diferencës midis të dyjave. Një vend i mirë për t’ja filluar, është ta imagjinoni jetën në një botë pa rregulla.

Në fakt rregullat janë thelbi i sportit, lojrave dhe enigmave, edhe kur qëllimi i tyre supozohet të jetë vetëm argëtues. Për shembull më gjeni një tifoz futbolli, që nuk është tërbuar të paktën njëherë kundër rregullit të pozicionit jashtë loje, që anulon vazhdimisht golat.

Por futbolli pa rregulla nuk do të ishte i tillë, por një veprimtari krejtësisht pa formë dhe pa kuptim. Në fakt, një lojë pa rregulla nuk është aspak lojë. Shumica e normave në jetën e përditshme, kryejnë saktësisht të njëjtin funksion si rregullat e lojërave – duke na thënë se çfarë munden dhe çfarë nuk munden të bëjmë.

Fjalët e mirësjelljes “Të lutem!” dhe “Faleminderit!” që duken kaq të bezdisshme për fëmijët e vegjël, janë në fakt arbitrare. Por fakti që kemi disa etiketa të tilla sociale, është pjesë e asaj që i bën bashkëveprimet tona sociale të vijojnë pa probleme.

Edhe rregullat në lidhje me ngarjen e makinës në krahun e majtë apo të djathtë, ndalesa para semaforit më dritën e kuqe, moshedhja e mbeturinave në rrugë e kështu me radhë, i përkasin të njëjtës kategori. Ata janë ”tullat” që e ndërtojnë një shoqërie harmonike.

Sigurisht, prej kohësh ka një “oreks” tek disa njerëz për një shoqëri më pak të zyrtarizuar, për një shoqëri pa qeveri, për një botë ku prioritet ka liria individuale:pra një anarki. Por problemi me anarkinë, është se ajo është natyrshëm e paqëndrueshme.

Njerëzit krijojnë vazhdimisht dhe spontanisht rregulla të reja që rregullojnë sjelljen, komunikimin dhe shkëmbimin ekonomik, dhe ata e bëjnë këtë gjë po aq shpejt sa zhbëhen rregullat e vjetra. Ekonomistja politike Elinor Ostrom, bashkë-fituese e Çmimin Nobel për ekonomi në vitin 2009, vëren të njëjtin fenomen të krijimit spontan të rregullave, kur njerëzit kishin kolektivisht nevojë të menaxhonin burimet e përbashkëta, si tokën e përbashkët, hapësirat e peshkimit, apo ujin për vaditje.

Ajo zbuloi se njerëzit krijojnë kolektivisht rregulla, le të themi se sa bagëti mund të mbarështojë një person, kush do të marrë sa ujë, dhe çfarë duhet bërë kur burimi është i kufizuar; kush monitoron kë, dhe cilat rregulla zgjidhin mosmarrëveshjet. Këto rregulla, nuk janë shpikur vetëm nga sundimtarët, dhe nuk imponoheshin nga lart poshtë.

Përkundrazi, ato shpesh lindin nga nevojat e ndërveprimeve shoqërore dhe ekonomike. Nxitja për të hedhur poshtë rregullat e pakuptimta ose thjesht të padrejta, është plotësisht e justifikuar. Por pa disa rregulla – dhe disa prirje që ne t’i respektojmë ato – shoqëria do të rrëshqasë shpejt në një “pandemonium”, anarki.

Në fakt, shumë sociologë e shohin tendencën e njeriut për të krijuar dhe zbatuar rregullat e vendosura, si themelin e jetës shoqërore dhe ekonomike. Marrëdhënia jonë me rregullat, duket se është unike tek njerëzit. Shumë kafshë sillen në mënyra ritualiste.

Për shembull, vallet e çuditshme dhe komplekse të miqësisë të llojeve të ndryshme të zogjve. Por ato modele janë të lidhura në gjenet e tyre, dhe jo të shpikura nga brezat e kaluara të shpendëve.

Dhe ndërsa njerëzit vendosin dhe i ruajnë rregullat, duke ndëshkuar shkeljet e tyre, shimpanzetë – të afërmit tanë më të afërt – nuk e bëjnë këtë gjë. Ato mund të hakmerren kur vidhet ushqimi i tyre, por nuk e ndëshkojnë vjedhjen e ushqimit në përgjithësi.

Ndërkohë tek njerëzit, rregullat zënë vend që herët. Eksperimentet tregojnë se fëmijët, deri në moshën 3-vjeçarë, mund të mësohen plotësisht me rregulla arbitrare për të luajtur një lojë. Jo vetëm kaq, por kur një “kukull” e kontrolluar nga një eksperimentues, futet në skenë dhe nis të shkelë rregullat, fëmijët do ta kritikojnë atë, duke protestuar me komente të tilla si “Po bën gabim!”.

Ato madje do të përpiqen ta mësojnë kukullën të sillet më mirë. Në fakt, megjithë protestat tona për të kundërtën, rregullat duken të skalitura në ADN-në tonë. Aftësia e specieve tona për të hartuar dhe zbatuar rregulla arbitrare, është thelbësore për suksesin tonë si specie.

Nëse secili prej nesh duhej të justifikonte secilin rregull (pse e ngasim makinën në të majtë në disa vende, dhe në të djathtë tek të tjerat; pse themi të lutem dhe faleminderit), mendjet tona do të futeshin në ngërç. Përkundrazi, ne jemi në gjendje të mësojmë sisteme tejet të ndërlikuara të normave gjuhësore dhe shoqërore, pa bërë shumë pyetje.

Por ne duhet të jemi të kujdesshëm, pasi këtu qëndron edhe rreziku i tiranisë. Njerëzit kanë një sens të fuqishëm që duan të zbatojnë dhe nganjëherë shtypin modele sjelljeje. Dhe ndërsa zhvendosja nga “kjo është ajo që bëjmë të gjithë” në “kjo është ajo që të gjithë ne duhet të bëjmë” është një gabim i njohur etik, dhe është thellësisht i ngulitur në psikologjinë njerëzore.

Ekziston rreziku që rregullat të krijojnë momentin e tyre:njerëzit mund të bëhen aq të fiksuar në lidhje me rregullat arbitrare të veshjes, kufizimet dietike apo trajtimin e duhur të të shenjtës, sa të ndërmarrin ndëshkimet më ekstreme për t’i ruajtur ato.

Ideologët politikë dhe fanatikët fetarë, propagandojnë shpesh ndëshkime të tilla. Për ta rregullat thjesht shtohen dhe zgjerohen, në mënyrë që liria jonë individuale të kufizohet gjithnjë e më shumë. Kufizimet e planifikimit, rregulloret e sigurisë dhe vlerësimet e rrezikut, mund të duket se grumbullohen pafund, dhe mund të zgjasin shtrirjen e tyre përtej çdo qëllimi fillestar.

Rruga për në “ferr” nuk është thjesht e shtruar me qëllime të mira, por është e rregulluar me rregulla që i vënë në zbatim ato qëllime të mira, pavarësisht nga pasojat.

Individët dhe shoqëritë, përballen me një betejë të vazhdueshme mbi rregullat – dhe ne duhet të jemi të kujdesshëm mbi qëllimin e tyre. Rregullat, ashtu si policimi i mirë, mbështeten në pëlqimin tonë. Dhe ato që nuk kanë pëlqimin tonë, mund të bëhen instrumenti i tiranisë. Prandaj, ndoshta këshilla më e mirë është të ndjekim kryesisht rregullat, por gjithmonë të pyesim pse duhet ta bëjmë këtë. / BBC – Bota.al

* Për më shume bashkohuni në grupin tonë: https://www.facebook.com/groups/tpz.al/
More in ANALIZË
Cili nga demokratët mund ta mposhtë Donald Trumpin?

Nga Elisabeth Drew Zgjedhjet presidenciale amerikane të nëntorit të këtij viti, janë më të rëndësishme në historinë moderne të vendit....

Close