X

Koronavirusi “gjunjëzon” botën, po shkon në dy mijë numri i viktimave

Autoritetet shëndetësore në Kinë njoftuan sot se numri i të infektuarve me koronavirus ka shkuar në mbi 70 mijë, ndërsa numri i të vdekurve është rreth 1 mijë e 800. Deri tani askush nuk mund të thotë se kur mund të marrë fund epidemia, ndërsa virusi po infekton çdo ditë e më shumë njerëz jashtë Kinës.

Në provincën Hubei, epiqendra e shpërthimit të sëmundjes, vetëm të hënën u njoftua për 100 vdekje të reja.

Ndërsa rreth 11 mijë të infektuar u nxorën nga spitali pasi u trajtuan, thonë autoritetet kineze.

“Mes rasteve të konfirmuara, 15.9 ishte përqindja e rasteve kritike më 27 janar dhe kjo ka rënë në 7.2 për qind më 15 shkurt. Ky ndryshim tregon se parandalimi dhe kontrolli i virusit po jep rezultate”, tha Mi Feng nga Komisioni Kombëtar i Shëndetit në Kinë.

Shumica e rasteve të identifikuara jashtë territorit kinez, janë pasagjerë të një anijeje që është izoluar në Yokohama të Japonisë.

Shtetet e Bashkaura njoftuan se evakuuan më shumë se 300 shtetas të tyre që ndodheshin në bordin e anijes “Diamond Princess. Disa prej tyre po mbahen në një bazë ajrore në Kaliforni e disa tjerë në Teksas.

Një grup prej 14 personash që nuk dhanë simptoma, por rezultatet e analizave për koronavirus u dolën pozitive, u lejuan në këto fluturime por në zonë të ndarë me udhëtarët e tjerë.

Të gjithë të evakuuarit do të qëndrojnë në një karantinë 14-ditore.

Vende të ndryshme po ndërmarrin masa të reja për të penguar përhapjen e virusit tek qytetarët, duke shtuar kontrollet kufitare por edhe kontrollet në dyqanet e mishit.

Kjo çështje u diskutua edhe në konferencën e sigurisë në Gjermani.

“Bota shpenzon miliarda dollarë në përgatitjet për sulme terroriste por shpenzon shumë pak për sulmin nga një virus, i cili mund të jetë shumë më vdekjeprurës dhe më i dëmshëm për ekonominë, politikën dhe shoqërinë”, tha Tedros Adhanom Ghebreyesus, kreu i Organizatës Botërore të Shëndetësisë.

Udhëheqës fetarë në botë, përfshirë Rusinë dhe Izraelin, u bënë thirrje njerëzve të luten për fundin e epidemisë./VOA

* Për më shume bashkohuni në grupin tonë: https://www.facebook.com/groups/tpz.al/
More in BOTA, LAJME
Tërmeti shkatërrimtar, Suedia dhuron 5.6 milionë euro për rindërtimin në Shqipëri

Vijojnë të mblidhen të ardhura për procesin e rindërtimit në Shqipëri. Ambasada e Suedisë në Tiranë njofton se Suedia ka...

Close