X

Rama i kapi të gjitha

Nga Ermal Mulosmani

Disa ditë përpara tërmetit të nëntorit, Kryeministri lajmëroi me bujë të madhe në ato daljet e tij të tipit “one man show”, luftën e hapur ndaj krimit të organizuar shqiptar dhe segmenteve të drejtësisë që bashkëpunojnë me ta. Slangu  “Anti -Kap ça të kapësh” kishte në fokus, ekskluzivisht, luftën ndaj gjyqtarëve të pavetuar akoma, që, në pritje të vetingut dhe të sigurtë në humbjen e betejës me sitën e tij, i kishin kthyer muajt e fundit të punës së tyre në një marsh korruptiv në dobi të krimit dhe në dëm të shtetit të së drejtës dhe qytetarëve. Ato kohë, sapo ishte marrë një vendim nga Gjykata e Durrësit për mbajtjen në burg të një zyrtari të lartë të qeverisjes Rama që pati shkaktuar një reagim të zhurmshëm kundërshtues nga krerët më të lartë të Qeverisë përfshirë edhe Kryeministrin.  Zv/ Kryeminsitri shkoi në sallë për të ndjekur seancën, një sjellje e paprecedentë në historinë e demokracisë…

Vetëm pak ditë pas vendimit të komentuar, në Durrës ndodh një atentat ndaj prokurorit të çështjes në fjalë, strumbullarit të sulmit kryeministror.  Në makinë ndodhej Prokurori Ndoja bashkë me shoferin dhe një person të njohur të zonës si i përfshirë me botën e krimit (megjithëse pa asnjë precedent zyrtar penal). Shoferi i Prokurorit humb jetën ndërsa Prokurori dhe personi tjetër shpëtojnë të lënduar. Ishte pikërisht kjo ngjarje që do sillte reagimin e Kryeministrit: “Brenda nëntorit fillon furtuna mbi foletë e krimit dhe korbat e KÇK”.

Ndoshta tërmeti bëri ndonjë shtyrje të vogël në kohë por shpejt erdhi në Parlament Ligji Kundër Krimit të Organizuar (KKO) që, përveç të tjerëve, edhe Ambasada Amerikane e quante me termin Anti-KÇK, një tregues më vete mosserioziteti. Pasi ky term slang, nga pikëpamja përmbajtësore, kur u përdor nga Kryemministri kishte parasysh gjyqtarët dhe prokurorët ndërsa ligji në fjalë kishte grupet kriminale ose krimin e organizuar. Dhe e dyta, nga pikëpamja formale, a është normale që Ambasada e USA-s të përdorë terminologjinë slang në një prononcim zyrtar?

Por më shumë sesa përdorimi qesharak i termit Anti-KÇK nga Ambasada, binte në sy mbështetja e pakufizuar ndaj Kryeministrit pavarësisht kundërshtimeve që kishte hasur ky ligj në mesin e juristëve të njohur. Për shembull, një ndër më kundërshtimet më të spikatura ishte krijimi i një Komiteti me drejtues Ministrin e Brendshëm dhe anëtarë, mes të tjerëve, edhe drejtuesin e SPAK-ut dhe Prokurorin e Përgjithshëm. Drejtimi nga një anëtar i Qeverisë i një strukture ku bën pjesë Kryeprokurori i SPAK dhe Prokurori i Përgjithshëm, potencialisht dy nga njerëzit më të fuqishëm të sistemit të Drejtësisë, e kthente ligjin në një mekanizëm qeveritar për të menaxhuar drejtësinë. Kur krimi i organizuar në vend përzihet me politikën (ne vijmë nga një eksperiencë jo e këndshme me Ministrat e Brendshëm), atëherë, vihet në dyshim e drejta e Kryeprokurorit të SPAK për të hetuar Ministrin në fjalë pasi është njëkohësisht edhe shefi i tij. Një nonsens juridik dhe logjik.

Menjëherë u pa që Ligji në fjalë (KKO) nuk prekte gjykatësit dhe Prokurorët që po bënin kërdinë por vetëm elementët e spikatur të krimit të organizuar. Për t’i futur edhe prokurorët dhe gjyqtarët në vathën e kontrollit qeveritar u gjet mekanizmi i Inspektoriatit të Lartë të Drejtësisë. Fillimisht duhej gjetur Kryeinspektori i duhur. Emri i Artur Metanit- vëllait të deputetes dhe ish Ministres së Rilindjes  Eglantina Gjermeni- në postin më të lartë të sistemit gjyqësor ishte një zgjedhje mjaft e kundërshtuar nga Opozita. Askush nuk e kundërshtoi zotin Metani si Avokat të Shtetit apo edhe ndonjë post tjetër të ekzekutivit por kalimi në krye të sistemit të Drejtësisë, i një njeriu afër drejtuesve të Rilindjes, ishte një kështjellë tjetër e pushtuar. Dhe jo vetëm kaq. Për t’u bërë gjëmën të gjithë gjykatësve dhe prokurorëve, Metanit i jepen kopmpetenca të jashtëzakonshme siç tha Kryeministri :

“Sot ne i japim një fuqi të re ILD, duke i dhënë mundësi  të reagojë në mënyrë të menjëhershme ndaj vendimeve haptazi korruptive dhe kriminale të gjykatësve, duke kërkuar pezullimin e tyre nga detyra brenda 3 ditëve. Sot ne i japim ILD instrumentin e pezullimit të menjëhershëm, duke i hapur rrugë hetimit të menjëhershëm të gjykatësve në fjalë”.

Gjithashtu, Metani mundet të hapë proçes verifikimi paralel ndaj gjyqtarëve dhe Prokurorëve të cilët akoma nuk i janë nënshtruar vetingut. Pra një veting paralel me KPK dhe KPA-të. Me miratimin e Ligjit për ILD –në, Kryeministri praktikisht ka vënë nën kontroll të gjithë Sistemin e Drejtësisë.

Edhe Drejtësinë e rregulloi.

Por nuk mjaftohet me kaq. Në një njoftim në dukje të parëndësishëm në FB e tij, Kryeministri Rama lajmëroi edhe dy struktura të reja, Njësinë Speciale Antikorrupsion dhe Anti Evazion.

Pasi krijoi trupën e policëve elitarë që bëjnë pompa dhe kanë zëdhënëse me syze të mëdha, tani radhën e terrorizimit e kanë bizneset dhe individët. Kur shpjegonte KÇK-në, Kryeminsitri dhe zyrtarët e tij shpjegonin që ka target të kufizuar, vetëm krimin e organizuar dhe korrupsionin e drejtësisë. Me Ligjin e ILD-së po pushtohet Drejtësia ndërsa me dy projektet e paralajmëruara po synohet të shkohet në çdo shtëpi qytetari. Duke ndërtuar një Njësi AntiEvazion në një shoqëri në një masë 60% ose më shumë informale, Kryeministri mund t’i bëjë presion kujtdo në këtë vend.  Njësia Antievazion mundet të futet në çdo shtëpi shqiptare e të gjejë evazion fiskal. Por qëllimi nuk është ky, pra nuk është të vendosim shtetin në vitin e shtatë të qeverisjes. Jo, qëllimi është të duket sikur po luftojmë të keqen në vend. Fokusimi në luftën ndaj krimit të organizuar, gjyqtarëve të inkriminuar, hajdutëve të biznesit dhe evazorëve fiskalë ka për qëllim të ndajë frontin e të mirës me të keqen.

E mira duket sikur po lufton të keqen, ky është edhe qëllimi. Të mirës “i mbeti në dorë” Parlamenti, Qeveria, Drejtësia, Pushteti Lokal, Media. Jemi në duar të sigurta.

Shumë mirë është përveç dy pyetjeve. Pse ky revolucion shtetbërës në gjysmën e dytë të vitit të shtatë të qeverisjes? Pse nuk e fillon këtë luftë nga maja e majës nga vetingu politik?

Ka vetëm një përgjigje për këto pyetje, janë kontroll dhe propagandë. Ta kishin seriozisht e fillonin me vetingun politik dhe e ndanin drejtësinë nga qeverisja. Ky do ishte hapi i parë i luftës ndaj të keqes. Sa kohë politika synon të kapë drejtësinë me “parimin se po luftojmë korrupsionin në drejtësi” tregon tendenca të theksuara totalitare dhe korruptive për vete.

Po pse duhet pikërisht tani kjo propagandë? Duket sikur në sfond do ketë zgjedhje të afërta. Ato më shumë i shkojnë për shtat Ramës sesa Bashës./ Gazeta Express/

* Për më shume bashkohuni në grupin tonë: https://www.facebook.com/groups/tpz.al/
More in IDE, LAJME
Kryen vetëvrasje vetëm një ditë pasi festoi ditëlindjen

Një vajzë nga qyteti i Istogut është gjetur pa shenja jete në mëngjesin e sotëm në rrugën “Ibrahim Rugova” të...

Close