X

Demokracia amerikane është duke “vdekur”


Nga Ryan Cooper

Java që shkoi shënoi një seri katastrofash për demokratët. Së pari, të hënën Partia Demokratike në Ajoua bëri një figurë të keqe me zgjedhjet paraprake për kandidatët presidencialë. Së dyti, të mërkurën, presidenti Donald Trump u lirua nga akuzat në gjyqin e zhvilluar në senat, pasi maxhoranca republikane votoi të mos dëgjojë asnjë dëshmi të re.

Çdo senator demokrat votoi pro fajësimit, dhe çdo republikan përveç Mit Romnit votoi për shfajësimin e Trumpit. Ndërkohë, mësuam edhe mbi përpjekjen e një miliarderi nga Wall Street, Majk Blumberg, për të blerë nominimin presidencial, kur ai kaloi me shpejtësi Pit Batigig në sondazhet kombëtare.

Një president i korruptuar, që u përpoq të manipulojë zgjedhjet e këtij viti, ka tashmë leje të plotë për të tentuar sërish të njëjtën gjë, në një kohë që Partia Demokratike e ka treguar veten të paaftë për të kryer procedurat elektorale më elementare.

Demokracia amerikane po shkatërrohet. Rezultati i impeachment-it ishte një përfundim i pritshëm, duke pasur parasysh infektimin kanceroz të korrupsionit dhe propagandës që ka prekur Partinë Republikane. Kjo është arsyeja pse unë dhe të tjerët, argumentuam se demokratët duhej ta përdornin procesin për të zbuluar sa më shumë që ishte e mundur nga korrupsioni dhe shpërdorimi i pushtetit nga ana e Trump.

Por kryetarja demokrate e Kongresit Nensi Pelozi, vendosi të përqendrojë impeachment-in ngushtësisht tek përpjekja e Trump për të shantazhuar Ukrainën, me synim nisjen nga Kievi të një hetimi anti-korrupsioni ndaj Xho Bajdenit, dhe për ta bërë atë sa më shpejt që të ishte e mundur.

Kjo gjë ishte realisht një abuzim spektakolar me pushtetin. Por skema e zgjedhur, lehtësoi pozitën e Trumpit, dhe i vendosi demokratët në pozitën e pakëndshme të mbjtjes së aktiviteteve të dyshimta të Hanter Bajdenit, bazuar në pozitën e babait të tij si zv/presidenti.

Sidoqoftë, Trump e meritonte të shkarkohej nga detyra, qoftë dhe vetëm për skandalin e Ukrainës. Dhe rezultati i kundërt tregon se mekanizmi i fajësimit në thelb nuk funksionon. Tashmë ne jemi duke jetuar makthin më të keq të Xhejms Medisonit:një demagog i korruptuar dhe plotësisht i paaftë të kryejë detyrat e presidencës, ndodhet në Shtëpinë e Bardhë, dhe kur u

testua metoda kushtetuese e largimit të tij, ajo nuk mundi të merrte as edhe një shumicë të thjeshtë në Senat, lëre më pastaj për shumicën e cilësuar të dy të tretave.

Struktura kushtetuese amerikane është thjesht shumë e brishtë dhe jondëshkuese për shkelësin e logjit. Edhe presidenti më i keq në histori, Endrju Xhonson, ia hodhi paq me një votë të vetme në favor të tij pasi u gjet fajtor. Për më tepër, një nga arsyet kryesore pse Trump u lirua nga akuzat, është se sistemi kushtetues amerikan i ka dhënë gradualisht gjithnjë e më shumë pushtet ekzekutivit.

Nenet e Kushtetutës i urrenin partitë politike, kishin frikë nga tirania e shtetit, dhe përcaktuan Kongresin dhe presidencën si kontrollues të punës së njëri-tjetrit. Ideja ishte që secila degë të ruante me xhelozi pushtetin e saj. Por doli se partitë janë jetike të nevojshme për funksionimin e çdo demokracie, dhe besnikëria partiake mund të sabotojë punën e kontrollit dhe balancës së pushteteve.

Nëse parti të ndryshme kontrollojnë degë të ndryshme të qeverisë, dhe nëse ato polarizojnë qëndrimet e tyre, në vend që të arrihet kompromisi, prishet procesi legjislativ. Por çdo komb kërkon ende qeverisje, dhe me Kongresin që është i bllokuar në punën e tij shumicën e kohës, fuqia ka rrjedhur drejt ekzekutivit dhe gjykatave.

Dhe fuqitë e “presidencës perandorake”, që janë rritur ndjeshëm dekadat e fundit, janë pikërisht ato që përdori Trump për të sabotuar hetimin mbi veprimet e tij (sidomos duke parandaluar dëshmitë e miqve të tij që morën pjesë në komplotin ndaj Ukrainës), me pëlqimin aktiv të kongresmenëve republikanë.

Çfarë abuzimesh të tjera mund të kryejë ai për të qëndruar në detyrë? Udhëzimi i Prokurorit të Përgjithshëm Uilliam Barr, për të ndërmarrë një hetim të rremë ndaj cilitdo që do të jetë kandidati zyrtari i demokratike në fund të muajit tetor? Apo hakerimi i e-maileve të fushatës së kundërshtarëve të tij? Apo një manipulim direkt të votave?

Mundësitë janë të pakufizuara. Pra, SHBA-ja ka hedhur një hap galopant drejt zhytjes në një sistem autoritar. Kaosi me rezultatin e zgjedhjeve paraprake në Ajoua, e ka përçarë ndjeshëm Partinë Dmokratik. Në një moment kur e gjithë bota ishte e fokusuar tek Partia Demokratike, duke pyetur veten nëse do të jetë ajo në gjendje të bashkojë fraksionet anti-Trump në mesin e popullatës amerikane, kjo parti dështoi në një mënyrë vërtet spektakolare.

Pastaj vjen Majk Blumberg. Miliarderi i Wall Street, e ka financuar fushatën e tij të deritanishme me 200 milion dollarë të pasurisë së tij personale, nga një total prej rreth 58 miliardë dollarëh. Pas debutimit në Ajoua, Bloomberg e dyfishoi shpenzimet e tij për reklama, dhe e ka shtuar stafin e tij në mbi 2.000.

Është absolutisht e pakonceptueshme, që Blumberg të ishte një pretendent për kandidatin zyrtar të demokratëve pa paratë e tij. Ai ka qenë republikan deri në vitin 2007, mbështetin Xhorxh W.Bush në vitin 2004, dhe ka mbi shpinë disa padi për ngacmime seksuale, teksa dyshohet se ka vjedhur pjesë të mëdha të platformës së tij në fushatën e këtij viti.

Por kjo nuk është as hera e parë që Blumberg blen zgjedhjet. Në vitin 2008, ai shpenzoi shumë para që të mund të merrte mandatin e tretë si kryetar i bshkisë së Nju Jorkut, dhe shpenzoi 102 milionë të tjera për të fituar zgjedhjet pasuese.

Siç argumenton kolegu im Damon Linker, Blumberg është pa diskutim një oligark i stilit rus, fushata e të cilit është “një shprehje e një kalbje në një stad të avancuar të sistemit politik amerikan”. Nëse Trump po minon besimin në demokracinë amerikane nga lart-poshtë, Partia Demokratike po e dëmton atë nga poshtë lart, dhe fokusimi tek miliarderët po e përçan atë nga brenda.

Amerikanët shpesh mburren se SHBA-ja është demokracia më e vjetër në botë. Ky është një pretendim i dyshimtë, por është e vërtetë se Kushtetuta e SHBA ka qenë në veprim të vazhdueshëm më gjatë se çdo tjetër. Ajo që ne shohim sot është skleroza e moshës.

Themeluesit bënë një përpjekje të mirë për vitet 1780, por dokumenti themeltar është tashmë

240-vjeçar. Ndarja e pushteteve në stilin amerikan, ka rezultuar shumë më e dobët se sa sistemet parlamentare të stilit evropian. Çdo vend tjetër që ndoqi modelin amerikan, pa institucionet e veta demokratike të degradojnë në diktatura ose revolucion.

Në fakt, kur forcat amerikane krijuan qeveritë  reja në Gjermani dhe Japoni pas Luftës së Dytë Botërore, ato nuk kopjuan modelin amerikan. Unë mendoj se SHBA ka dy rrugë përpara:Ose të ketë në krye një president reformist, dhe kur Kongresi të ketë një rol të ri në sistemin amerikan, me një rregullim të madh të strukturës dhe ekonomisë, ose një president të krahut të djathtë (ose oligark) që do të korrigjojë disa elementë të mbetur të qeverisë republikane, dhe të varrosë në fund Kushtetutën Amerikane, duke sjellë një periudhë të stilit napoleonian të një sundimi tejet autoritar.

Kjo e dyta, do të thotë se jetojmë në kohë të rrezikshme. Shumë gjëra mund të ndodhin shumë shpejt gjatë viteve të ardhshme. Amerikanët patriot, duhet të punojnë në maksimum për ta mbrojtur demokracinë tonë. Thuajse çdo vend tjetër ka pësuar një kolaps kushtetues, në një moment të caktuar të historisë së tij. Rënia e sistemit tonë, mund të ndodhë shumë shpejt. / “Common Dreams” – Bota.al

* Për më shume bashkohuni në grupin tonë: https://www.facebook.com/groups/tpz.al/
More in BLOG
Pakënaqësi por edhe frikë e madhe. Çfarë po zien në Iran?

Nga Christiane Hoffmann Në fillim shpërthyen protestat, të cilat regjimi i shtypi brutalisht nëntorin e vitit të shkuar. Pastaj në janar të këtij viti, Shtetet e Bashkuara...

Close