X

Fatmir Mediu shok me djalin e Trumpit. “Mëngjesi i Lutjeve” në SHBA, pritet të marrë emrin “Mëngjes me Fatmir Mediun”

Mëngjesi i Lutjeve në Amerikë është kthyer tanimë në një ceremoni të përvitshme, ku Presidenti, apo autoritete të larta të shtetit amerikan, mblidhen me udhëheqës botërorë fetarë, politikë, socialë dhe të biznesit nga e gjithë bota, për të nderuar besimin dhe miqësinë.

Ky mëngjes është i njohur në të gjithë botën, por më i famshëm Mëngjesi i Lutjeve është në Shqipëri. Kaq i famshëm është ky aktivitet, saqë çdo fillimviti, dhjetëra udhëheqës politikë shqiptarë, përfshirë këtu edhe udhëheqësin fetar, Baba Mondin, i veshur i gjithi jeshil, lëshohen drejt Amerikës, si në një pelegrinazh madhështor, të pangjashëm me ndonjë festë tjetër në Shqipëri.

Por, nënvizojmë këtu që shqiptari më i rëndësishëm dhe më i famshëm, që vdes për Mëngjesin e Lutjeve, është kryetari i Partisë Republikane të Shqipërisë, zotni Fatmir Mediu.

Këtë vit, ishte Mëngjesi i 68 i Lutjeve dhe Fatmiri merrte pjesë, si një nga njerëzit më kryesorë të aktivitetit. Ngaqë nuk ka munguar asnjëherë në Mëngjesin e Lutjeve, që kur mori frenat e Partisë Republikane të Shqipërisë, ai është aty çdo vit dhe për këtë shkak ngjan jo vetëm si shqiptar, por edhe si amerikan.

Në këtë Mëngjes Lutjesh, në Amerikë shkuan pothuajse të gjithë njerëzit e politikës shqiptare, me përjashtim të Lulit, i cili është i bllokuar, në takimet e vazhdueshme me gjyshe Verën dhe me programin shumë të rëndësishëm politik, “Po të dëgjoj”.

Në Mëngjeset e Lutjeve, por edhe në kohën që nuk ka Mëngjese Lutjesh, Fatmir Mediu shpesh takon djalin e Donald Trumpit, rri gjatë me të dhe flet për gjëra të cilat ai në asnjë mënyrë nuk pranon t’i bëjë me dije për gazetarët, apo për popullin.
Edhe pse ai nuk i bën publike,  kuptohet që këto biseda  kryhen vetëm për probleme madhore.
Është e vërtetë që Trumpi i takon rrallë djemtë e tij, por kur njëri prej dy të mëdhenjve, takon Fatmirin, Trumpi e thërret menjëherë në zyrën ovale dhe e pyet gjerë e gjatë:

– Ç’të tha dhe ç’i the, mikut tonë Republikan në Shqipëri?

Ps. Nëse keni kohë,  ndiqni më poshtë intervistën e zotit Fatmir Mediu, ku përshkruan gjerë e gjatë takimet e tij të pafundme në SHBA dhe sidomos, influencën e padiskutueshme, që ai gëzon në Senatin Amerikan dhe mbi njërin prej djemve të Trumpit.

/TPZ.al/Tej e këtej/

* Për më shume bashkohuni në grupin tonë: https://www.facebook.com/groups/tpz.al/
More in TEJ E KETEJ
SPAK-u përmbytet me dosjet e kriminelëve ordinerë. Korrupsionin e madh e merr përsipër Zonja Eni Çobani

Një varg ngjarjesh shumë të çuditshme, por edhe shumë të rëndësishme, kanë ndodhur dy ditët e fundit, me problemet e shumta...

Close