X

Vrasja e mësuesit


Nga Luçiano Boçi

Mësuesit e shkollës në Krahës të Tepelenës, humbën jetën rrugës së kthimit, pas ndarjes me nxënësit e tyre.

Ngjarja e rëndë tronditi familjarët, por dhe kolegët e fëmijët e shkollës. Ata ishin në krye të detyrës fisnike.

Pas hutimit të parë prej dhimbjes, prita që dikush të reagonte. Prita se mos Besa qëllonte fjalët e duhura, se mos përmendte ndonjë vlerësim për ta, për punën e tyre plot mund e sakrifica, të shoqëruar me një ‘mea culpa’ për lënien e kujdesit ndaj tyre krejt pas dore, për shkak të korrupsionit dhe të paaftësisë, por kjo nuk ndodhi.

Dhe tani që po hedh këto rreshta postimi i saj i fundit në FCB, është një foto e qeshur në një takim që gjithkush do ta kishte zili, i bërë të premten në 18.03, vetëm pak orë pasi kishte ndodhur tragjedia.

Ironikisht, Ministrja na ishte ‘hapur’ para ambasadores së sapoardhur të SHBA-së për të ashtuquajturat reforma madhështore në arsim, që vetëm atë ditë, për shkak të mënyrës skandaloze dhe përçmuese të trajtimit të mësuesve, kishin sjellë për pasojë vdekjen e dy mësuesve dhe plagosjen e dy të tjerëve.

Nuk e di nëse këtë tragjedi e ka ndarë si ngushëllim me ambasadoren, por fotot e postuara pak të bindin ose më mirë aspak. Shpresova mos Rama, që e mban veten për fjalaman dhe Kryeministër që ‘vdes’ për mësuesit, do kishte shkruar dy gisht status për vdekjen e tyre tragjike për shkaqe shtetërore. Por dhe tek ai asnjë fjalë për dy ‘heronjtë’, se për mua janë të tillë.

Postimet e fundit ishin për një depo farmaceutike me kokë të kuqe dhe një copë pamje nga një zonë në Vlorë me një ndërtesë krejt e ngjyer në rozë e vetëm kaq. Por nuk kishte harruar ndërkohë që në cover të vendoste një foto të tij të përzgjedhur me disa fëmijë dhe mbi të sloganin ‘TiNukDoJeshKurrëVetëm’.

Cinike.

Po nxënësit e mësuesve të vrarë nga babëzia e pushtetit pse janë lënë vetëm në humbjen e tyre? Po familjarët e kolegët pse u lanë vetëm në dhimbjen e pamatë dhe u braktisën? Pse Rama dhe Besa nuk kanë asnjë fjalë për përgjegjësinë e tyre në këtë tragjedi?

Përkundër kësaj kudo kanë vendosur dhe balsamosur heshtjen, sipas parimit shpëtues heshtja është flori. Heshtje për mësuesit që lanë me kokën pas familjarët dhe nxënësit e tyre. Një heshtje varri për humbjen e dy mësuesve, apostuj të dijes dhe të dritës.

Një heshtje e cila kërkon të fshehë gjurmët e një krimi dhe tragjedie që implikon drejtpërdrejtë ata vetë, fajtorët që fshihen pas buzëqeshjeve të stisura dhe propagandës marramendëse. Një heshtje që është në vazhdën logjike të gjitha vrasjeve që i janë bërë mësuesve përgjatë këtyre viteve. Ditë për ditë. Vendim pas vendimi.

Humbja e jetës së dy mësuesve në aksidentin tragjik dhe plagosja e dy të tjerëve, sado të hyjë tek rastësitë aksidentale, nuk është aspak e tillë. Ngjarja është një skenë krimi qeveritare e paralajmëruar më parë. Mësuesve jua mori jetën jo fati i keq apo i mbrapshtë. Ishte papërgjegjshmëria, neglizhenca dhe babëzia e zyrave shtetërore që fillojnë nga Kryeministri, vazhdojnë me Ministren e Bashkinë e mbarojnë me Zyrat arsimore.

Atë ditë mësuesit të cilët nxitonin të arrinin nxënësit e tyre në klasën e mijëra ëndrrave, sikurse çdo ditë tjetër, duhet të ishin në autobusin, apo mjetin e vënë në dispozicion për to dhe për nxënësit. Por ka kohë që për to s’pyet askush. Jo vetëm në Tepelenë, por kudo në Shqipëri. Prandaj ajo është një vrasje.

Një vrasje shtetërore e parandjekur nga dhjetëra vrasje të përditshme që i janë bërë mësuesit përgjatë këtyre viteve. Sikur-et e shumta që shoqërojnë mendimet e dhimbjen e të afërmeve, kolegëve dhe nxënësve përmbyllen vetëm me një sikur. Sikur përkujdesi për transportin e tyre të ishte realizuar ngjarja nuk do kishte ndodhur dhe vrasja do ishte shmangur.

Ndërsa ajo jo vetëm nuk u shmang, por u pasua dhe nga një vrasje tjetër me heshtjen e varrtë të Ramës e Besës. Dhe këta nuk bënë asgjë tjetër veçse vazhduan vrasjet e seriale pa iu dridhur as zëri dhe as dora duke na shndërruar në një shoqëri që kemi vrarë mësuesin.

Rama dhe Besa janë duke pritur 7 Marsin që nuk është larg, ku secili prej tyre do bëjë garën e fjalëve prekëse e dashurore, por ama në sytë e publikut tashmë të gjykuar dhe të parë si vrasës që lavdërojnë viktimën e vet, mësuesin.

Mësuesi është vrarë që kur misionin e tyre fisnik Rama, Lindita e Besa, e shndërruan në një shërbesë banale politike me pahir.

Mësuesi është vrarë që kur profesionin e tij mësimdhënës e shndërruan në profesion letrashkruesish.

Mësuesi është vrarë që kur është braktisur nga ata në mëshirën e fatit e profesionit të vet, i lënë mes katër rrugëve pa dalje dhe siguri për të nesërmen.

Mësuesi është vrarë që kur ai denigrohet, shkelet me këmbë, përçmohet nga komisarët politikë që kanë uzurpuar drejtimin e institucioneve arsimore

Mësuesi është vrarë që kur vlerësimi financiar për të konsiderohet i tepërt.

Mësuesi është vrarë që kur arroganca e pushtetit e konsideron atë si njeri të dorës së dytë.

Mësuesi është vrarë që pa lindur me mbylljen masive të degëve që përgatisin mësuesë.

Mësuesi po vritet çdo ditë sepse është lënë i vetëm në sakrificën e tij.

Ai duhet mbrojtur. Qeveritë që vrasin mësuesin kanë përgatitur me siguri funeralin e vet.

Mësuesit që humbën jetën përgjatë ushtrimit të misionet e tyre vlen të nderohen dhe respektohen.

Ata janë heronjtë e thjeshtë të përkushtimit për transmetimin e dijes.

Mësuesi nuk duhet e nuk mund të vritet.

* Për më shume bashkohuni në grupin tonë: https://www.facebook.com/groups/tpz.al/
More in BLOG, LAJME
Operacioni Forca e Krimit e KÇK, terrorizon qytetarët nuk ndalon kriminelët…

Ish-kryeministri Sali Berisha ka publikuar në faqen e tij në Facebook dy masazhe të qytetarëve nga zona të ndryshme të...

Close