X

Gjurmët e marrëzisë!…


Nga Luan Rama/

Nëse do të më duhet që të shpreh perceptimin prej leximit të parë të nismës së disa deputetëve që janë bërë nismëtarë për miratimin e një ligji që është në kundërshtim me Kushtetutën, në vend të togfjalëshit ‘gjurmët e marrëzisë’, do të ishte më mirë e, për rrjedhojë edhe më saktë, të zgjedh dhe të përdor shprehjen ‘gjurmët e injorancës’.

Por, duke i njohur nga afër disa syresh e meqë e di që nuk janë injorantë, madje edhe pse ka juristë ndër ta, e gjej më të udhës të përdor gjurmët e marrëzisë, jo si metaforë, por sepse, në fakt, të tilla janë e të tilla do të mbeten në historinë dhe në arkivat e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë të viteve njëzet të shekullit XXI (21), nismat ligjbërëse për ligje në kundërshtim me Kushtetutën.

Regresi, krahasuar me një shekull më parë, është alarmant. Përqasja krahasuese me veprimtarinë ligjbërëse e shtetformuese të viteve 1920-1930 nuk ka asnjë pikëtakimi e mjerisht, njëqind vjet më pas, jemi në pikë të hallit, me një Parlament dhe qeveri që nuk u jep të drejtën të ndiejnë krenari as familjarëve të atyre që janë deputetë apo ministra.

Dhe të gjithë ata që do të vijnë më pas, e në veçanti ata që do të studiojnë dokumentet e jetës e të veprimtarisë parlamentare apo praktikat e procesit ligjbërës të Kuvendit të kohës sonë, qofshin historianë apo gjuhëtarë, konstitucionalistë apo biografë, profesorë apo kureshtatë, do të ndiejnë dhembje e po aq edhe neveri kur të ndeshin gjurmët e marrëzisë.

Sepse do ta kenë shumë të vështirë të kuptojnë se si mundet që vetëdija njerëzore, që dinjiteti njerëzor dhe inteligjenca njerëzore gjithashtu, të kenë pasur bartës qenie kaq të padenja.

E ku i dihet, mbase edhe ata në kohën e tyre do të shprehen duke i quajtur gjurmët e marrëzisë!

Gjithsesi, sido që të shprehen brezat pas nesh për të karakterizuar marrëzitë e kohës sonë, më ngushëllon fakti që gjurmëtarët e këtyre marrëzive kanë emrat e tyre të përveçëm, ndaj gjurmët e marrëzisë nuk do të jenë pa adresë.

E tani le të kthehemi te ngjarja, te fakti e të merremi me gjurmët, pasi një i tillë është edhe projektligji ”Disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 96/2016, datë 06.10.2016, ‘Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë’ të ndryshuar”, me anë të të cilit, disa deputetë duan që kompetencën kushtetuese të Presidentit të Republikës, përpara të cilit betohen anëtarët e Gjykatës Kushtetuese, t’ia japin me ligjin e marrëzisë së tyre një noteri a gjithkujt tjetër; kuzhinierit, berberit, magazinierit a shoferit të tufës së tyre.

Kushtetuta është ligji themeltar i shtetit është akti juridik apo ligji më i lartë në hierarkinë e ligjeve të një vendi. Të gjitha ligjet apo aktet e tjera duhet të jenë në përputhje e në zbatim të saj.

Për ta ditur apo kuptuar këtë definicion me vlerën e një aksiome, nuk është e nevojshme të kesh shumë shkollë e aq më pak, nuk është e domosdoshme që të jesh jurist, të jesh deputet a i ngjashëm me ta.

Ndaj, nuk mundet që një kompetencë të sanksionuar në Kushtetutë për Presidentin e Republikës apo për cilindo institucion tjetër kushtetues, t’ia heqësh dhe t’ia atribuosh apo t’ia japësh një institucioni tjetër, edhe nëse e supozojmë që ky tjetri të jetë një institucion kushtetues. E aq më e pamundur dhe logjikisht e lajthitur është ta mendosh e jo më të iniciosh, që një kompetencë kushtetuese të Presidentit të Republikës t’ia japësh pa ndryshuar më parë nenin përkatës në Kushtetutë, qoftë edhe një noteri!

Nisma e marrë për të hequr me ligj një kompetencë, që Presidentit të Republikës ia jep Kushtetuta, është gjurma e radhës në marrëzinë e deputetëve të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, por që fatkeqësisht, nuk është e para. Sepse në udhën e tyre të marrëzisë, ka plot gjurmë të tilla.

Kushtetuta e thotë shqip dhe qartë në nenin 129 të saj: “Gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese fillon detyrën, pasi bën betimin para Presidentit të Republikës”.

Ndërsa këta deputetët e gjurmëve të marrëzisë duan që me ligj të zhbëjnë Kushtetutën dhe t’i çojnë gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese të betohen atje ku duan ata dhe jo ku urdhëron Kushtetuta!

Afërmendsh që jemi para një rasti dhe një praktike skandaloze dhe unike në gjithë historinë e së drejtës kushtetuese dhe të praktikave ligjbërëse.

Jemi në kushtet e shpërdorimit flagrant të përgjegjësisë që duhet të shfaqë deputeti në procesin e ligjbërjes, por po kaq jemi edhe në kushtet kur ca individë kanë marrë përsipër të dëshmojnë se deri në çfarë shkalle mund të zvetënohet njeriu dhe se deri në ç’përmasë mund t’i humbasë ai dinjitetin, integritetin dhe personalitetin.

Rasti, të cilit po i referohemi e që është nga më flagrantët në shkelje të Kushtetutës, është dëshmia e radhës për të kuptuar se në ç’gjëndje mjerisht të turpshme është katandisur Kuvendi i Republikës.

Por, ndërkaq, ai na dëshmon se deri ku shkon marrëzia e yshtur nga urdhri për kapjen e Gjykatës Kushtetuese, çka në thelb dëshmon përpjekje për të kapur vetë Reformën në Drejtësi.

Presidenti i Republikës është bërë pengesë, por ndërsa kanë përballë kryetarin e shtetit në mbrojtje të Kushtetutës, keqbërësit në Kuvend, të përveçuar prej marrëzisë së tyre, njësoj si një grup i strukturuar kriminal, i kundërvihen hapur dhe me vetëdije të plotë Kushtetutës.

Dhe e bëjnë këtë në kushtet kur po vetë kanë bllokuar Gjykatën Kushtetuese, me të vetmin synim: kapjen, deformimin dhe keqpërdorimin e Reformës në Drejtësi.

Mbase jo të gjithë deputetët, por disa prej tyre e dinë se me një ligj nuk mund të zhbëhet një prerogativë kushtetuese.

Sepse, të paktën nga shkolla që kanë bërë, e kanë mësuar se çfarë është hierarkia e ligjeve dhe e dinë se një ligj nuk ka fuqi mbi kushtetutën.

Pra, me nismën e tyre, ata me vetëdije kryejnë shkelje të Kushtetutës, paçka se nisma e tyre është nul dhe sapo të plotësohet numri i nevojshëm për vendimmarrje në Gjykatën Kushtetuese, ligji i tyre do të shfuqizohet, njësoj siç do të shfuqizohen edhe shumë ligje të tjerë të ngjashëm me të për nga antikushtetutshmërie.

Akti i betimin para Presidentit të Republikës nuk është një akt formal.

Ligjbërësi, kur ka shkruar, dhe votuesit, kur kanë miratuar me referendum Kushtetutën, kanë pasur parasysh edhe solemnitetin e aktit të betimit para Kryetarit të Shtetit si autoriteti më i lartë që përfaqëson unitetin e popullit, për t’i dhënë vlerë dhe besim, por edhe për të legjitimuar autoritetin kushtetues të individit që betohet përpara funksionarit më të lartë në hierarkinë shtetërore.

Cenimi i solemnitetit të betimit, as më pak dhe as më shumë, bashkë me shkeljen e Kushtetutës, është edhe cenim e zhvlerësim i vetë autoritetit dhe legjitimitetit të anëtarit të Gjykatës Kushtetuese.

Në këtë mënyrë, duke e kapur Gjykatën Kushtetuese me praktika antikushtetuese dhe duke ndërmarrë hapa për ta delegjitimuar atë, praktikisht banda e deputetëve të gjurmëve të marrëzisë, i kundërvihet hapur Reformës në Drejtësi.

Qëndrimi ndaj Kushtetutës dhe përkushtimi në zbatimin e saj, është shenja e parë e përgjegjshmërisë së çdo qytetari shtetas i Republikës së Shqipërisë. Aq më shumë, kjo përgjegjësi është e detyrueshme për deputetët dhe të gjithë ata që ushtrojnë përgjegjësi qeverisëse apo që kanë atribute përfaqësimi.

Mirëpo, deputetët keqbërës të maxhorancës së votave të krimit, kanë tjetër “kushtetutë”, së cilës i binden. Ndaj, shkelja e Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë jo thjesht e vetëm për të zbatuar urdhrin politik për kapjen e Gjykatës Kushtetuese, por edhe për ta përdorur më pas atë për kapjen e institucionit të Presidentit të Republikës si i vetmi institucion kushtetues legjitim në vend, është në vijimësi të të gjithë praktikave antishtet e të sjelljes në kundërshtim me Kushtetutën e një grupi deputetësh dhe të qeverisë që ata mbështesin verbërisht.

Gjurmët e marrëzisë janë aty, e, në mos sot, nesër, kur Shqipëria të jetë çliruar prej tyre, institucionet e zbatimit të ligjit nuk do ta kenë të vështirë për t’i gjetur.

Gjurmët janë adresë e askush nuk do të mund të largohet në drejtim të paditur.

* Për më shume bashkohuni në grupin tonë: https://www.facebook.com/groups/tpz.al/
More in BLOG
Pse mësimet e Sun Tzu-së, mbeten të preferuarat e udhëheqësve të sotëm politikë

Nga John Grey Në një postim në Tëitter në korrikun e vitit 2012, Donald Trump, citoi një nga aforizmat më...

Close