X

Puthjet e Lali Erit

Nga Jeta Dedja

Puthja e fëmijëve nga politikanët nuk është fenomen vetëm shqiptar, vetëm lindor apo perëndimor. Është fenomen i vjetër dhe i përhapur në gjithë botën. Duke i konsideruar fëmijët si qëniet më të brishta dhe të manipulueshme, të rriturit i kanë shenjestruar ata sa herë iu janë dashur. I kanë bërë pa i pyetur objekte të kamerave e aparateve fotografikë. Ua kanë shkulur e ndukur faqet me mijëra herë për hir të një qëllimi, që nuk ka patur aspak parasysh interesin e fëmijës. Kjo taktikë është aplikuar nga politikanë të çdo profili; të ashpër e të butë, të ngurtë, të ftohtë apo delikatë, sigurisht në varësi të nevojave të tyre. Dhe ku ka më mirë se përdorimi i fëmijëve për të plotësuar imazhin e politikanit me një tipar të munguar ose dëshiruar. Shoqërimi me fëmijë të bën të dashur, njerëzor, të prekshëm, popullor – këshillojnë ekspertët e tyre.

Fëmijët i ka përdorur diktatori Hoxha në tribuna e takime. Shumë pak është shfaqur Sali Berisha në publik me çiliminj. Vihej re se nuk ishte një marrëdhënie e çlirët mes tyre. Lulzim Basha, nuk ka evokuar ndonjë simpati në marrëdhënien e tij me të vegjlit dhe ndoshta për këtë arsye është këshilluar të mos ekzagjerojë. Në ditë festive është shfaqur me ndonjë fëmijë në krah Fatos Nano, Ilir Meta zakonisht ka patur në krah bijtë e tij. Edi Rama çdo herë ka shkaktuar tension tek vogëlushët me të cilët ka ndërvepruar. Me një gjuhë tallëse ai është një bull i pashërueshëm. Madje dhe me djalin e tij të vogël ka dhënë një shfaqje negative në aspektin e prindërimit dhe atë të atashimit. Shkurt nuk është i prerë për marrëdhënie njerëzore ky lloj politikani.

Në anën tjetër kemi ekzemplarin e marrëdhënieve me fëmijët. Lali Erin. Me djallëzi të pashoqe, Kryetari i Bashkisë përdori grupin emëror “Lali Eri” për t’iu avitur fëmijëve si një superman. Me një bombardim propagandistik televiziv, i uritur për të mbijetuar sa më gjatë në politikë ai përpiqej të njehsonte veten me këtë imazh të ri. E filloi duke mbajtur në krahë fëmijë të komunitetit rom. Kur kuptoi se përmes të vegjëlve peshkoheshin lehtësisht prindërit, vazhdoi me skemën e fëmijëve si elementë dekorues të daljeve të tij publike. Nuk la vend pa i puthur e prekur në fytyrë, faqe e buzë, ulur në prehër, shtrirë, ushqyer me biberon në skenë.

Vihet re se lali Eri është “shoqëruar” me fëmijë nën moshën 10 vjeç, duke na lënë hapësirë të interpretojmë se fëmijët paraadoleshentë nuk i bëjnë punë për imazhin e tij si “Lali Eri, mjalt, sheqeri”. Me këta fëmijë më të rritur ai mund të hasë vështirësi për të vendosur kontaktin fizik, t’i mbajë hopa apo të shtrihet në dysheme.

Megjithatë tani duket se zhvillimi afektiv i Lalit në raport me fëmijët e botës ka evoluar në fazën ku Eri nuk puth, por puthet. Kryetari nuk përqafon, por përqafohet.

Tashmë Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj, e ofron veten si objekt adhurimi të fëmijëve. Në fakt, Erion Veliaj vite më parë e ka bërë me dije prirjen e tij për të qënë pranë fëmijëve. I veshur si një zanë apo tringëllimë përrallash, Eri i Mjaftit me shkopin magjik në dorë u shndërrua në 99-tësh e më pas në Njëshin e kryeqytetit.

A nuk është për t’u adhuruar ky djalë? Prandaj nuk është arkivuar vetëm një rast adhurimi ndaj Erionit magjik. Janë plot të tilla, ku kryetari e ofron veten si objekt adhurimi. Ja, shiheni këtë foto. E gjeta të postuar nga aktivistja Elona Caslli. Erioni po na tregon se është pushtuar nga dashuria e fëmijës së panjohur.

Disa prindërve çoç u duket që fëmijët do pozojnë me kryetarin, disave u duhet për shkëmbim dhe kështu shkon kjo punë. Merre fëmijën, puthe, përqafoje, veç më mbaj në punë. Në këtë mes, një duartrokitje e fortë u takon prindërve dhe edukatoreve, të cilët kanë arritur të bëjnë një punë të shkëlqyer bindëse me fëmijën. S’është pak t’u mbushësh mendjen ca fëmijëve t’i hidhen në qafë burrit të huaj! Se unë nuk e besoj që fëmijët e sotëm ëndërrojnë të takojnë kryetarin e bashkisë, (përveç rasteve kur ushqehen me këtë ëndërr prej prindërve servilë apo përfitues). Ajo që besoj është se të rriturit po kontribuojnë fuqishëm në edukimin e hipokrizisë tek fëmijët dhe gjithë përpjekjet e teoricienëve të edukimit për të dekurajuar puthjet mes fëmijëve e të panjohurve hidhen poshtë nga praktikat abuzive që “Tirana zyrtare” nuk na i kursen. Skemat manipulative se “Të puthësh Lali Erin është cool, të tjerët nuk e kanë këtë fat” gjallojnë në shekullin e të drejtave të fëmijëve. Kjo është poshtërsia dhe dinakëria e këtij lloj politikani, si dhe dritëshkurtësia e palëve të tjera, që jo vetëm nuk reagojnë por bëhen plotësisht bashkëpunëtorë me mosveprimin e tyre.

Përfundimisht, ata që në një situatë ideale do duhej të ishin mbrojtësit e fëmijëve, pa dashje a me dashje bëhen abuzuesit e tyre të parë. Apo hajt mo, fëmijë janë, s’i gjen gjë./FlasShqip.ca

* Për më shume bashkohuni në grupin tonë: https://www.facebook.com/groups/tpz.al/
More in BLOG, LAJME
Rikthehen reshjet e shiut dhe borës, sinoptikanët: Do të ketë erë problematike

Pas orëve të para të ditës me mot kryesisht të kthjellët, tashmë gradualisht mbi vendin tonë po shtohen vranësirat mesatare...

Close