X

Publikohen imazhet e para të koronavirusit vdekjeprurës, u nxorrën nga një person i prekur në Wuhan

Autoritetet kineze kanë publikuar imazhet e  para të koronavirusit vdekjeprurës, që deri tai ka shkaktuar 81 viktima.

Qendra Kombëtare e të Dhënave Mikrobiologjike në Kinë, publikoi imazhet mikroskopike të virusit të ri, i cili u nxorr nga një person i prekur në Wuhan, epiqendra ku shpërtheu ky koronavirus.

Kryebashkiaku i Wuhan, Zhou Xianwang, u shpreh se në këtë qytet virusi po transmetohet mes njerëzve me ritme të larta.

Deri tani janë konfirmuar 2800 persona të infektuar, por ekspertët paralajmërojnë se problemi mund të jetë shumë më i rëndë, madje se mund të jenë infektuar deri në 100 mijë persona.

Çfarë është Koronavirusi?

Koronaviruset janë një grup i madh virusesh, të cilat njihen gjerësisht në botën e kafshëve, por në raste të rralla ato mund të transmetohen nga kafshët tek njerëzit. Përpara këtij virusi,  bota ka njohur dy Koronaviruse të rrezikshëm si, MERS dhe SARS.
Virusi mund t’i sëmurë njerëzit dhe të krijojë probleme në rrugët e frymëmarrjes, të ngjashme me viruset e rëndomta që prekin popullatën, por shumë të rrezikshme. Përshembull, disa nga simptomat e këtij virusi janë; kolla, dhimbjet e kokës, temperaturë e lartë, dhembje të fytit, të cilat mund të zgjasin për dy ditë.
Për personat me sistem imunitar të dobët, siç janë të moshuarit apo bebet, ekziston rreziku që virusi të shkaktojë sëmundje më të rënda të rrugëve të frymëmarrjes, si pneumonia apo bronkiti.
Personat që janë prekur nga virusi, raportohet se kanë patur të gjithë probleme me frymëmarrjen. Duke qenë se bëhet fjalë për pneumoninë virale, antibiotikët janë të padobishëm.
Mjekët sqarojnë se mund të përdoren ilaçe antivirale, por ato thjesht menaxhojnë simptomat duke i lehtësuar ato, por nuk eleminojnë virusin. Shërimi i pacientit varet nga fuqia e sistemit imunitar.

Si përhapet ky virus?

Virusi përhapet fillimisht nga kafshët tek njerëzit. Shkencëtarët janë të mendimit se virusi MERS u përhap prej gamileve, ndërsa virusi SARS prej maceve.
Virusi përhapet mes njerëzve, pas kontaktit me sekrecionet e personit të prekur. Virusi mund të përhapet nëpërmjet kollës, teshtimave apo edhe nga një shtrëngimi duarsh, përpara se një person i prekur nga virusi të shfaqë shenja, çka e bën më të vështirë virusin për t’u izoluar.

Masat që duhen marrë për të ulur rrezikun e infektimit.

Çdo person duhet të jetë i kujdesshëm dhe të ndërmarrë hapa, për të ulur rrezikun e prekjes nga virusi. Fillimisht duhen evituar personat që janë të sëmurë dhe kontakti i afërt me njerëz që mund të kenë vizituar zonat e prekura më tepër nga virusi. Mundohuni të mos prekni sytë, hundën dhe gojën. Lani duart shpesh me sapun të paktën për 20 sekonda. Nëse jeni sëmurë, qëndroni në shtëpi, evitoni turmat dhe kontaktin me të tjerët. Mbulojeni gojën dhe hundën kur kolliteni dhe tështini. Gjithashtu, disinfektoni objektet që prekni.

/TPZ.al/

* Për më shume bashkohuni në grupin tonë: https://www.facebook.com/groups/tpz.al/
More in BOTA, KRYESORE, LAJME
Tërmeti i fuqishëm në Turqi, shkon në 41 numri i të vdekurve

Ekipet turke të urgjencës të hënën morën trupat e dy viktimave të fundit të zhdukur nga tërmeti nga rrënojat e...

Close