X

“Lufta për një kafshatë bukë”/ Mbledhësit e mbeturinave përndiqen në Tiranë, mbijetesa nga kazanët e plehrave është vështirësuar


Në një malore mbi tregun Elektrik në Tiranë, Fatmiri, 32 vjeç po shtyn me përtesë një karrocë të sajuar me një kuti kartoni, brenda së cilës gjendet një kanoçe e vetme. Pak metra larg tij ndalon një makinë ngjyrë portokalli me targa të huaja.

Një djalë mjekrosh rreth të 30-ave ia bën me dorë të ndalojë.

“Jam oficer i policisë kriminale,” i thotë dhe nxjerr nga xhepi një portofol me stemë të Policisë së Shtetit. “Më ngjave me dikë që kemi në kërkim. Më jep pak kartën e identitetit”!

Fatmiri, pjestar i komunitetit rom në Tiranë i zgjat kartën me një buzëqeshje në fytyrë dhe me moskokëçarjen e atij që i ndodh shpesh një episod i tillë.

Polici “verifikon” me disa lëvizje të kokës nga karta e identitetit tek një foto që kishte në celular. Pyet për numër telefoni dhe largohet pa kërkuar ndjesë.

“Ndonjëherë më ndalojnë dy-tre herë në ditë. Prandaj e mbaj kartën e identitetit në xhep. Po të mos e kisha, do më shoqëronin, do rrija tre orë në polici kot,” thotë burri, baba i katër fëmijëve, i cili e siguron jetesën duke mbledhur mbetje të riciklueshme nëpër kazanët e Tiranës.

Prej vitesh, Fatmiri dhe të tjerë mbledhës mbetjesh të komunitetit rom janë në një betejë të vazhdueshme me Bashkinë e Tiranës dhe Policinë e Shtetit, të cilët i luftojnë duke u sekuestruar motorët, duke u vënë gjoba të kripura dhe në ndonjë rast, duke i mbajtur në komisariate për verifikim.

Gentjan Serjani, jurist dhe aktivist i të drejtave të komunitetit Rom dhe Egjiptian denoncoi për BIRN arrestimin dhe dënimin e dhjetra ricikluesve të vegjël për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor gjatë viteve të fundit. Serjani tha se mjaft prej tyre janë të detyruar të paraqiten pranë oficerëve të Policisë Gjyqësore për t’u shpëtuar rindalimeve.

Të dhënat e mbledhura nga Serjani përmes kërkesave për të drejtë informimi tregojnë se Bashkia e Tiranës ka vendosur mbi 2 mijë gjoba ndaj grumbulluesve individualë në 5 vjet, ndërsa Policia e Shtetit ka bllokuar mbi 168 mjete në dy vitet e fundit me pretekstin e mungesës së patentës apo lejes së qarkullimit, përfshi triçikla dhe motorë që përdoren për të mbledhur mbeturinat.

Masat administrative nga bashkia shkojnë deri në 5 mijë lekë të reja dhe gjobat e Policisë Rrugore apo pagesat e parkimit të vendeve janë të papërballueshme nga anëtarët e këtij komuniteti, të cilët detyrohen t’i braktisin ato.

E pyetur nga BIRN mbi akuzat për përndjekje të mbledhësve individualë, Bashkia e Tiranës nuk ktheu përgjigje deri në botimin e këtij shkrimi.

Përndjekje deri në shtëpi

Përfshirja e Bashkisë së Tiranës në biznesin e riciklimit dhe më pas koncesioni i inceneratorit ua ka vështirësuar jetën dhjetra personave, shumica nga komuniteti rom, që mbijetojnë përmes mbledhjes së materialeve të riciklueshme nëpër kazanët e mbeturinave. Megjithatë, Fatmiri nuk është dorëzuar.

Të ardhurat e siguruara prej tij, vëllait dhe kunatës nga mbledhja e kanoçeve mbajnë familjen. Ai vetë po rrit katër fëmijë, më i madhi 12-vjeç, ndërsa thotë se ndryshe prej tij, fëmijët i ka në shkollë.

Mundësitë e Fatmirit për të përballuar jetesën përmes mbledhjes së mbetjeve të riciklueshme megjithatë janë kufizuar. Ai i tha BIRN se më herët ka pasur një triçikël me të cilin siguronte deri në 1500 lekë të reja në ditë, por me karrocën e dorës ai thotë se bën maksimumi 600 lekë.

Fatmiri thotë se triçiklin e tij e sekuestroi policia për mungesë dokumentacioni, leje drejtimi dhe leje qarkullimi. Ai u arrestua dhe qëndroi 72 orë në qeli dhe më pas u dënua me kusht dhe detyrim paraqitjeje pranë Policisë Gjyqësore.

Grumbullues të mbetjeve të riciklueshme i thanë BIRN përmes intervistave të veçanta se përndjekja nga Bashkia dhe Policia Rrugore i kanë detyruar të heqin dorë nga motorët dhe t’u rikthehen biçikletave apo karrocave të dorës. Ata thanë se kjo gjë u ka përgjysmuar fitimin, por i ka bërë të padukshëm për policinë.

Aleks Shabaj, 26 vjeç i tha BIRN ndërsa shtynte një karrocë pranë ish-Agjencisë Telegrafike Shqiptare se motorin e tij e shiti para dy vitesh për të shmangur andrallat. Njësoj si Fatmiri, ai ankohet se tani mbledh shumë më pak materiale se më parë.
“Kur kisha motorin fitoja 10 deri 15 mijë lekë (të vjetra) në ditë. Me karrocë shumë dobët, mezi bëj 5 mijë lekë (të vjetra) në ditë”, thotë ai.

Ndonëse i shmang në maksimum zonat në qendër të Tiranës, Aleksi thotë se është bërë shpesh objekt i ndalimeve nga policia bashkiake, ndërsa nuk harron të kujtojë se në nja dy raste e kanë falur.

“U jam lutur dhe më kanë lënë,” thotë ai.

Të tjerë nuk kanë pasur të njëjtin fat. Hekuran Shaqiri, 33 vjeç i tha BIRN se ka qëndruar deri në 72 orë në rajonin e policisë.

“Kundërshtova për materialet, për bukën e gojës. Policia bashkiake ushtroi edhe presion, edhe dhunë. Ata po i kundërshtove, e di si të marrin, të fusin brenda në furgon? Dhe s’ke ca i bën,” tha Hekurani.

Bashkë me të shoqen Trëndelina, Hekurani thotë se i ruhen policisë bashkiake, pasi po t’i shohin në rrugë me karroca apo motor, menjëherë vjen policia rrugore dhe ua sekuestron.

Të tjerë të intervistuar thonë se i tremben shumë arrestimeve. Ata shpesh janë të vetmit që punojnë dhe mbajnë me ushqim familjet dhe koha e burgut është kosto shtesë.
Demi Abdillari i tha BIRN se ishte dënuar me dy muaj burg, por e kishin liruar më pas me detyrim paraqitje.

“Jam 19 vjeç, jam vet’ i pesti në familje, me çfarë do e mbaj familjen,” thotë ai i irrituar.
Aktivisti Serjani i tha BIRN se së fundmi policia bashkiake nuk po mjaftohej me ndalimet në rrugë, por ndonjëherë i ndiqte mbledhësit deri në shtëpitë e tyre.

“Kemi një video që tregon se si e kanë tmerruar një familje,” thotë Serjani, duke shtuar se policia u kishte sekuestruar bidonat dhe mallin në oborrin e shtëpisë.

Në “ilegalitet” prej kohësh duket se janë edhe një pjesë e mirë e atyre që blejnë mbetjet të riciklueshme nga grumbulluesit. BIRN vizitoi disa pika në Tiranë, një prej të cilave rezultoi e mbyllur, ndërsa i zoti i një pike tjetër mohoi të blinte materiale nga grumbulluesit, ndonëse kishte hekurishte dhe një sasi kanaçesh në oborr.

Të paktën dy biznesmenë që kishin vepruar në këtë fushë i thanë BIRN në biseda telefonike se kishin mbyllur aktivitetin. Ndërsa, Reshat Mansaku, biznesmen i riciklimit të metaleve me ngjyrë tha se fushatat kundër grumbulluesve kanë ndikuar edhe në biznesin e tij.

“Kjo [përndjekja] bëhet me fushata, si të gjitha gjërat këtu. Vazhdimisht ka pasur fushata sipas interesit të momentit. Herë pas here na ka krijuar probleme, por nuk mund të them sa, nuk mund t’a llogaris,” tha Mansaku. “Te sektorë të tjerë të riciklimit ka qenë më e ndjeshme,” shtoi ai.

Buka e pasigurt

Sanie Shaqiri, 53 vjeç kujdeset për 3 mbesat e saj të vogla, të braktisura nga e ëma. Gërmimi nëpër kazanë është për Sanijen mundësia për të marrë 3-4 mijë lekë të vjetra për të blerë një pako makarona që t’i gatuajë për mbesat.

“Kur shkoj tek kazanat e plehrave, e di si kruhem apo jo? Çdo natë pi incidal [antialergjik], çdo natë”, thotë gruaja me lot në sy.

Të martën më 21 janar, të gjitha përpjekjet e saj për të siguruar një vakt në shtëpi u shuan. Sanija tha se policia bashkiake i kishte sekuestruar dy thasë me shishe plastike dhe se atë ditë nuk do të mund të çonte asgjë në shtëpi.

I revoltuar me sekuestrot është edhe Tomorri, rreth të 50-ave, i cili shtyn një karrocë fëmijësh mbushur me kanaçe që herët në mëngjes. Ai tha se atij dhe të vëllait, Policia Bashkiake u kishte sekuestruar në Qytetin Studenti gati një makinë me shishe plastike e kanaçe.

“Atij të madhit (kryetarit të bashkisë), Zoti e nimoft atë të madhin, por ça ka me romët? T’i lejë romët të punojnë, ne kanaçe po mbledhim, nuk vjedhim njeri. Ne të gjithë kaq do marrim (bën me shenjë nga toka) dy metra dhe,” thotë ai. Por Tomorri e di që lufta është e humbur.

“Me shtetin dhe me zjarrin nuk luhet”, thotë ai, ndërsa bën me duar gjestin e arrestimit. Mundësi të tjera për të dhe tre fëmijët që ka në shtëpi, nuk ka. Ai thotë se merr një ndihmë sociale për një fëmijë të sëmurë, por ajo nuk mjafton për të vënë ushqim çdo ditë në tavolinë.

Hekuran Shaqiri i tha BIRN se kishte provuar të dilte nga ilegaliteti, por pa sukses. Ai tha se kishte punuar për një farë kohe në impiantin e mbetjeve në Sharrë, por puna atje kishte qenë mjaft më e rëndë dhe më pak e paguar se ajo e mbledhjes në kazanë.
“Kam punuar për 7 muaj në landfillin e Sharrës, po atje nuk punohet.

Të keqen e kazanave,” thotë Hekurani. “Plus paga është shumë e keqe për atë lloj pune. Për më tepër më mbanin 3.000 lekë të reja nga paga për sigurimet shëndetësore,” thotë ai me ironi. Ai dhe e shoqja i thanë BIRN se jetonin në kushte të këqija dhe se kishin humbur një fëmijë 9-muajsh për shkak të mungesës së kujdesit shëndetësor.

Demi Abdillari po ashtu thotë se rroga për punë krahu që mund të gjejë ai është shumë e vogël për të mbajtur familjen.

Ndërsa Fatmiri i tha BIRN se përpjekjet e tij për të siguruar një punë kishin përfunduar me marrjen e një cope letre nga Zyra e Punës dhe përcjelljen duar bosh. Aktivistë për mbrojtjen e të drejtave të minoriteteve të margjinalizuara i thanë BIRN se përpjekjet për punë të rregullt dështonin edhe për shkak të kulturës së jetesës së grumbulluesve.

“Këta persona janë mësuar me një pagë ditore, dhe një pagesë mujore e marrë vetëm një herë në muaj, si edhe një orar fiks, do të thotë komplet ndryshim stili jetese për ta. Shumica e tyre nuk e menaxhojnë dot këtë situatë,” tha Sebastiani, një prej aktivistëve që BIRN takoi në zonën e Kombinatit.

/BIRN

* Për më shume bashkohuni në grupin tonë: https://www.facebook.com/groups/tpz.al/
More in AKTUALITET, LAJME
Rrëfehet autori i krimit në Astir: Dy vite më parë jam marrë peng, çfarë më tha Visloni para se ta vrisja

Të tjera detaje dalin në dritë në lidhje me Noel Dishin, vrasësin e Vilson Tafçiut. Ky i fundit u vra...

Close