X

Ballkani rrezikon të gjendet në mes të zjarrit të Lindjes së Mesme

Nga Vuk Vuksanovic

Polemikat mbi vrasjen e komandantit të forcës elitare Quds të Trupave të Gardës Revolucionare të Iranit, IRGC, gjeneralit Qasem Soleimani, nga forcat amerikane në Irak, kanë mbërritur në Ballkan.

Një rezolutë e paraqitur në senatin amerikan nga senatori republikan Ted Cruz pretendon se gjenerali Soleimani ishte duke planifikuar sulme terroriste në të gjithë botën, përfshirë në Bosnje. Ambasada iraniane në Sarajevë e ka mohuar këtë. Ndërkohë, Shqipëria – e cila siguron strehimin e një grupi militant të opozitës iraniane, MEK, ka dëbuar dy diplomatë iranianë, të cilët dyshohet se kishin lidhje me IRGC-në dhe Ministrinë e Inteligjencës së Iranit, MOIS.

Detajet rreth këtyre episodeve janë të përgjithshme. Por ajo që bie në sy është se Ballkani është një terren ku dhuna është potencialisht e mundur midis Iranit dhe armiqve të tij. Ky potencial është më i mprehtë, jo vetëm për shkak të pranisë së MEK në Shqipëri, por edhe për shkak se Irani është i angazhuar në një rivalitet të ashpër rajonal me Arabinë Saudite dhe Izraelin – ndërsa gjithashtu është i traumatizuar nga përpjekja amerikane për të ndryshuar regjimin atje.

Ballkani mund të bëhet dëm kolateral i rivalitetit strategjik të Lindjes së Mesme – gjeografikisht afër Lindjes së Mesme dhe ai përmban objektiva më të lehtë, ku Irani mund të godasë rivalët e tij. Dy vende dallojnë në këtë moment, Shqipëria dhe Bosnja dhe Hercegovina.

Shqipëria u bë shënjestra e zemërimit iranian kur filloi të presë MEK-un, një organizatë e ngjashme me një kult dhe një nga kundërshtarët më të mëdhenj të regjimit iranian. Në vitin 2013, Shqipëria bëri një marrëveshje me administratën e Barack Obamës për të ofruar strehë të sigurt për anëtarët e MEK. Ata filluan të vinin në vitin 2016 dhe tani mund të arrijnë deri në 3,000 të tillë. Kjo lëvizje u parapri nga një marrëveshje e kujdesshme diplomatike nga ana e SHBA-së, teksa u përpoq të zhvendoste MEK-un larg nga Iraku i brishtë.

Në vitin 2012, Departamenti Amerikan i Shtetit e hoqi MEK-un nga lista e tij e organizatave terroriste. Në vitin 2017, një delegacion senatorësh amerikanë vizitoi lidershipin e MEK në Shqipëri.

Grupi tashmë gëzon mbështetjen e disa bashkëpunëtorëve të ngushtë të presidentit amerikan Donald Trump, si ish-këshilltari i tij për sigurinë kombëtare, John Bolton, dhe avokati, Rudolph Giuliani. Të dy ishin të ftuar të shpeshtë në eventet e MEK. Ndërsa Bolton ka dalë jashtë loje, Giuliani është ende afër MEK. Ai ka marrë kompensim financiar nga grupi në këmbim të shërbimeve të tij të lobimit dhe madje mund të hetohet për shkak të lidhjeve të tij me MEK. Me ndërhyrjen e mundshme të Amerikës në ndryshimin e regjimit në Iran dhe pas tërheqjes së Trump nga marrëveshja bërthamore e Iranit, prania e MEK krijon rrezikun që Shqipëria të mund të gjendet në përplasjen midis MEK-ut dhe qeverisë iraniane.

Dikush mund të dyshojë në aftësinë e Iranit për të shënjestruar MEK-un në Shqipëri për shkak të largësisë së saj. Megjithatë, në mars 2018, shërbimet shqiptare të sigurisë arrestuan dy iranianë me akuzën e komplotimit të një sulmi terrorist kundër anëtarëve të MEK-ut. Të dy u lanë të lirë për shkak të mungesës së provave. Në prill të vitit 2018, Struan Stevenson një ish-anëtar i Parlamentit Europian dhe aktivist kundër regjimit iranian, akuzoi Iranin se emëroi anëtarë të lartë të MOIS në ambasadën e tij në Shqipëri, përfshirë ambasadorin, Gholam Hossein Mohammadnia, dhe sekretarin e parë, Moostafa Roodaki, me qëllim të dëmtimit të MEK në Shqipëri.

Funksionarët dhe diplomatët iranianë dyshohej se po përhapnin frikë mes popullatës lokale për praninë e MEK në kontekstin e ngjarjeve kulturore. Shqipëria dëboi ambasadorin dhe një diplomat tjetër të paidentifikuar, ndoshta Moostafa Roodaki, në dhjetor 2018 për arsye sigurie kombëtare.

Në tetor 2019, drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit të Shqipërisë, Ardi Veliu, pohoi se një grup paraushtarak iranian kishte planifikuar të kryente sulme terroriste kundër MEK. Grupi i dyshuar përbëhej nga tre iranianë dhe një shtetas turk. Udhëheqësi i grupit ishte “Peyman”, i përshkruar si një operativ nga Irani i Forcës Quds, ndërsa iranianët e tjerë Alireza Nagha-Shazadeh, një ish-anëtar i MEK me pasaportë austriake, dhe Abdolkhalegh Malek-Zadeh, një iranian me bazë në Turqi me lidhje të dyshuara me krimin e organizuar. Anëtari turk i grupit u tha se ishte Abdulselam Turgut, gjithashtu me lidhje të dyshuara me krimin e organizuar.

Nuk dihet ende sa të rënda ishin akuzat kundër Iranit apo nëse Shqipëria po përpiqet t’i bëjë qejfin aleatit të saj, SHBA-së. Por nuk ka dyshim se marrëdhëniet midis Teheranit dhe Tiranës tani janë shumë të tensionuara. Udhëheqësi Suprem i Iranit, Ali Khamenei, me sa duket e kishte fjalën për Shqipërinë kur përmendi “një vend të vogël, por të mbrapshtë europian, ku elementët amerikanë komplotojnë me tradhtarët iranian dhe planifikojnë sulme kundër Republikës Islamike”.

Për Iranin, Ballkani është një terren pjellor për të shënjestruar kundërshtarët e tij, duke pasur parasysh aftësinë e tij për të kryer sulme kundër armiqve të tij në gjithë globin, jo më në këtë rajon që është një objektiv tërheqës duke pasur parasysh kufijtë e tij porozë, korrupsionin, sundimin e dobët të ligjit dhe me shërbime sigurie të papërgatitura. E krijuam një ide të kësaj në vitin 2012, kur Hezbollahu, aleat i Iranit, sulmoi turistët izraelitë në qytetin bullgar të Burgas si hakmarrje për vrasjen e shkencëtarëve bërthamorë iranianë dhe komandantit ushtarak të Hezbollahut, Imad Mughniyeh. Për më tepër, nëse Irani druhet se MEK dhe SHBA-ja po angazhohen për një ndryshim regjimi në Iran, ata ka gjasa të jenë më të përgatitur të rrezikojnë të sulmojnë MEK-un, edhe nëse ai është në një vend relativisht të largët si Shqipëria.

Siç shpjegoi eksperti i sigurisë Paul Pillar, Irani tani nuk mund të jetë sponsor i terrorizmit global, por ai është ende i aftë të kryejë akte terrorizmi si një formë hakmarrjeje. Dikush mund të shohë arsyet pse Irani mund t’i druhet MEK dhe pranisë së tij relativisht të re në Ballkan. MEK ka hedhur idenë se zhvendosja në Shqipëri përfaqëson një përtëritje të lëvizjes në luftën e saj kundër regjimit dhe disa burime në Iran dhe Ballkan kanë pohuar se MEK po planifikon të hapë kampin e ri trajnues në Shqipëri.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë Ardi Veliu në Tiranë më 21 tetor 2019. Foto: LSA

Një tjetër vend në rajon që është potencialisht i brishtë për t’u prekur nga konflikti midis Iranit dhe kundërshtarëve të tij është Bosnja. Irani ka mbështetur gjatë figura dhe grupe të ndryshme politike dhe ushtarake në vend. Në luftën e vitit 1992-1995 në Bosnjë, Irani ofroi mbështetje për njësi të ndryshme luftarake myslimane, duke siguruar fonde, armë, trajnime dhe të dhëna inteligjente për disa formacione, siç ishte Brigada e 7-të Myslimane. Inteligjenca iraniane fitoi kështu një terren në Bosnjë që mbeti i qëndrueshëm edhe pas viteve të luftës. Në vitin 2014, Bosnja dëboi diplomatë iranianë për shkak se kishin lidhur kontakte me xhihadistë të dyshuar në Gornja Maoca, një fshat famëkeq si një qendër për vahabizmin dhe selefizmin.

Irani ka shfrytëzuar faktin që përçarja shiitë-suni nuk hodhi kurrë rrënjë të thella midis myslimanëve të Ballkanin siç bëri mes njëfetarëve të tyre në Lindjen e Mesme. Irani e kompenson mungesën e xhamive shiite në rajon duke përdorur qendra kulturore, botime fetare dhe ambasada për të pohuar veten në vendet me popullsi myslimane si Shqipëria dhe Bosnja. Në vitin 2016, autoritetet e Kosovës akuzuan një shtetas iranian, Hasan Azari Benjadi, i cili drejtonte Fondacionin Qu’ran të Kosovës, një organizatë ombrellë për pesë OJQ shiite në Kosovë, për financim të terrorizmit dhe ekstremizmit dhe pastrim parash. Benjadi dyshohet se ishte përgjegjës për përhapjen e propagandës ideologjike anti-perëndimore dhe antisemitike në emër të Iranit. Pas vdekjes së Suleimanit, autoritetet e Kosovës arrestuan një grua që bëri thirrje në Facebook për hakmarrje për vrasjen e tij.

Arabia Saudite gjithashtu ka zgjeruar praninë e saj në pjesët myslimane të Bosnjës, ndërsa Izraeli është shfaqur si një nga mbështetësit kryesorë të entitetit serb në Bosnjë, Republikës Srpska. Në këtë kontekst, Ballkani, dhe veçanërisht Bosnja, mund të shndërrohen në një fushë beteje për rivalitetet e mëdha në Lindjen e Mesme. Irani mund të joshet të përçajë kundërshtarët e tij në Bosnjë, duke përdorur përfaqësues politikë, aktorë jo-shtetërorë të armatosur dhe shërbime të inteligjencës, sidomos pasi Izraeli dhe Arabia Saudite kanë ndikim më të madh sesa Irani në Ballkan.

Deri më tani, asnjë tjetër në Ballkan nuk ka përjetuar të njëjtin fat si Burgasi në vitin 2012. Një sulm i përsëritur nuk është i pashmangshëm. Por me gjendjen aktuale të rivalitetit gjeopolitik të Lindjes së Mesme dhe me kushtet e brishta në Ballkan, ky është gjithmonë një rrezik i mundshëm për shërbimet lokale të sigurisë. Vendet e Ballkanit mund të bëjnë shumë pak për këtë. Më e mira që ata mund të bëjnë është të shpresojmë që shërbimet e tyre të inteligjencës dhe zbatimit të ligjit të jenë aq me fat dhe aq kompetente sa të zbulojnë kërcënimet e mundshme sapo ato të shfaqen. Përtej kësaj, çelësi përfundimisht qëndron në Lindjen e Mesme. Një ulje e armiqësive aktuale me Iranin do ta ndihmonte Ballkanin të eliminojë frikën se ky konflikt mund të vërshojë edhe në brigjet e tij.

Reporter.al

* Për më shume bashkohuni në grupin tonë: https://www.facebook.com/groups/tpz.al/
More in ANALIZË, LAJME
Negociatat/ Presidenti i KiE: Strategjia e zgjerimit do të bazohet në tre shtylla, Shqipëria duhet të jetë në BE

Presidenti i KiE, Charles Michel, tha se në javët në vijim në Bruksel do të zhvillohet një debat i cili...

Close