X

Një mënyrë pa hipokrizi për të përkujtuar 21 janarin


Masakra me katër protestues të vrarë në 21 janarin e këtër viteve më parë, si një nga ato ngjarje që shënjojnë thellë politikën e një vendi, është përkujtuar sot në mënyrën më hipokrite të mundshme.

Ata që mbështesin Ramën dhe qeverinë e vënë theksin tek vrasja barbare dhe politike e regjimit të Berishës, tek alibitë e fëllliqura se si u përpoq të manipulohej ky krim, tek gazetarët, intelektualët, mjekët dhe gjyqtarët, që në atë kohë u rreshtuan pa pikë skrupujsh përkrah vrasësve.

Në të kundër, ata që mbështesin opozitën e sotme dhe qeverinë e djeshme fokusohen vetëm tek lotët e krokodilit që derdhi dje Rama dhe tek tradhëtia që ai i ka bërë viktimave të 21 janarit, duke rekrutuar gradistët e djeshëm, duke propozuar për gjyqtarë Stasburgu ata që gjykuan këtë krim, duke u bërë njësh me ato televizione që 9 vite më parë shfaqnin video të manipuluara sikur ishte qëlluar nga turma.

Të dyja këto këndvështrime fshehin një manipulim të madh, ato duan të paraqesin ose vetëm kriminalizimin e Berishës ose vetëm hipokrizinë e Ramës.

Në fakt një çështje e rihapur nga gazeta Dita, që i ka kushtuar edhe këtë vit shumë hapsirë kësaj ngjarjeje, na tregon se ka një mënyrë të tretë për ta përkujtuar këtë ngjarje. Fjala është për historinë e gardistit Agron Malaj, që ishte mes grupit të zjarrit 9 vite më parë dhe është kryebashkiak i rilindjes në Mat sot e kësaj dite. Kur filloi të tallej dhe të bënte teatër me viktimat, Rama e vuri ish gardistin kryetar të PS.

Pasi u gjend në rebeshin e kritikave, ai u justifikua se nuk kishte asnjë provë që Agron Malaj të ishte i implikuar në vrasje. Por, pas kësaj dita i nxori dokumentat dhe faksimilet që ish gradisti ishte shpërblyer pas këtij krimi. Madje ai kishte marë fiks katër paga, sa Ndrea Prendi apo Agron Llupo që ishin drejt përdrejt përgjegjës për goditjet me zjarr drejt e mbi turmën.

Histori si kjo dhe shumë të tjera të ngjashme na dëshmojnë se ka dhe një mënyrë të tretë, më të drejtë, më të ndershme, më të sinqertë për të përkujtuar 21 janarin, sesa logjika bipartizane që nxin ose vetëm Berishën ose vetëm Ramën.

Ajo është e thjeshtë.

Sali Berisha u soll në mënyrë kriminale me vrasjen e katër demostruesve, me fshirjen e pamjeve të serverit të kryeministrisë, me pengimin e hetimeve të prokurorisë, me shpikjen e alibive për thika me helm dhe çadra pistoletë, me gjykatësit palaço që zgjodhi të gjykojë çështjen, me gazetarët sharlatanë që përdori për të transformuar të vërtetën.
21 janari përbën një nga njollat më të errëta të karierës së tij.

Por, nga ana tjetër, tani 9 vite më pas, mund të thuhet pa frikë se Edi Rama u tall keq me viktimat, se ai e përdhosi kujtimin e tyre, se ai e përdori në mënyrë cinike gjakun e derdhur pa çarë kokën në fund për të bërë drejtësi, madje duke rehabilituar edhe një pjesë të kriminelëve të djeshëm.

Kjo është e vërteta e plotë për 21 janarin dhe e vetmja mënyrë për ta përkujtuar ndershmërisht atë.

/Lapsi.al

* Për më shume bashkohuni në grupin tonë: https://www.facebook.com/groups/tpz.al/
More in BLOG, LAJME
Historia e trishtë e familjes me djalin e sëmurë, mjekët shqiptarë i prenë shpresat, por në Suedi nisi dhimbja më e madhe. Nëna tregon skenën horror

Një histori e pazakontë është publikuar sot në studion e emisionit me “Zemër të Hapur” në News24. 55-vjeçarja Evrianthi Bajraktari...

Close