X

Meta vlerëson “Dëshmorin e Atdheut” Hamit Dollani me “Dekoratën e Artë të Shqiponjës”: Një histori trimërie dhe qëndrese


Presidenti i Republikës Ilir Meta çmoi sot Dëshmorin e Atdheut Hamit Dollani (pas vdekjes) me “Dekoratën e Artë të Shqiponjës”, me motivacionin: “Për veprimtarinë e tij patriotike dhe trimërinë e treguar gjatë luftës kundër pushtuesve fashistë, si luftëtar i orëve të para, duke sakrifikuar edhe jetën për lirinë e vendit”.

Në fjalën e tij përshëndetëse në ceremoninë solemne të organizuar në institucionin e Kreut të Shtetit, Presidenti Meta vuri në dukje:

“Jam i privilegjuar të nderoj sot me Dekoratën e Artë të Shqiponjës një figurë emblematike dhe të shquar të rezistencës Antifashiste, Dëshmorin e Atdheut, Hamit Dollani.

Hamit Dollani është një nga dëshmorët e parë të rezistencës Antifashiste, i cili ra heroikisht përkrah mikut të tij Mujo Ulqinaku, në Durrës më 7 prill 1939, kundër pushtuesve italianë.

Së bashku me mikun e tij të ngushtë, Mujo Ulqinakun, organizuan rezistencën, duke qëndruar heroikisht për orë të tëra në dy katet e Kullës së Durrësit.

Rezistenca e forcave shqiptare ishte e pashembullt edhe pse përballë kishin një nga ushtritë më të mëdha të kohës.

Hamit Dollani nuk arriti të mbante premtimin ndaj fëmijëve të tij se do kthehej në shtëpi, por heroizmi dhe sakrifica e tij do shkruante historinë krenare të qëndresës dhe përballjes së popullit shqiptar kundër pushtuesve fashist, duke shërbyer si një shembull frymëzimi më pas për Luftën Anti-Fashiste Nacional Çlirimtare që do të fillonte.

Hamit Dollani njihet dhe si dëshmori i parë që ra në fushën e betejës kundër fashizmit dhe si një ndër dëshmorët e parë të Europës Juglindore në Luftën e Dytë Botërore.
Ai ishte një nga bijtë e thjeshtë të këtij vend, të cilin ndërgjegjja kombëtare dhe atdhedashuria e dërgoi në llogoren e parë të luftës.

Historia jonë është e mbushur me shembuj aktesh heroike si kjo e Hamit Dollanit. Ndaj është shumë e rëndësishme që sakrificat sublime të dëshmorëve tanë të njihen dhe të vlerësohen akoma më shumë nga brezat e rinj”, deklaroi Presidenti Meta.

Ai theksoi se kjo histori nuk duhet harruar kurrë pasi është një histori guximi dhe trimërie, qëndrese dhe liridashëse, e cila na bën krenarë të gjithë shqiptarët dhe duhet t’i bëjë krenarë edhe brezat që do të vijnë.

“Ndaj dëshiroj të falënderoj nga zemra Shoqatën Atdhetare Kulturore ‘Gramshi’ për kontributin e saj në vlerësimin e figurës së Hamit Dollanit dhe për faktin që mban gjallë në memorien tonë kolektive historinë dhe sakrificat e dëshmorëve tanë.”, përfundoi Kreu i Shtetit.

* Për më shume bashkohuni në grupin tonë: https://www.facebook.com/groups/tpz.al/
More in LAJME
Padia e Ramës ndaj Haradinajt, Nishani flet për një rrezik: Sulm prej gjarpri në gji, synimi i vërtetë është…

Ish-Presidenti, Bujar Nishani ka reaguar përmes një postimi në facebook lidhur me padinë e ngritur nga kryeministri Rama, ndaj Ramush...

Close