X

Sot, në përvjetorin e masakrës së Reçakut, Edi Rama nuk duhej të heshtte…

Nga Enver Robelli

Më 15 janar 1999 forcat serbe masakruan dhjetëra civilë në fshatin Reçak të Kosovës. Regjimi serb u përpoq që viktimat t’i etiketojë si terroristë. Solli në Kosovë «ekspertë» të forenzikës nga Bjellorusia, të cilët arritën në po atë përfundim si gjykatësja hetuese serbe Danica Marinkoviq. Propaganda serbo-bjelloruse tha se shqiptarët ishin vrarë nga distanca, domethënë gjatë luftimeve me forcat serbe. Pastaj ekspertja e forenzikës nga Finlanda, Helena Ranta, kundërshtoi versionin serbo-bjellorus dhe tha se viktimat ishin vrarë nga afërsia dhe se nuk qëndronte pretendimi i Beogradit se të vrarëve pastaj u ishin ndërruar rrobat. Vite më vonë Ranta ka përsëritur se në Reçak forcat serbe kanë kryer një masakër.

Krimi masiv serb në Reçak, një ndër shumë të tjerë në Kosovë, e ndryshoi përfundimisht kursin e politikës perëndimore ndaj regjimit serb, duke u pozicionuar edhe më qartë në anën e viktimave dhe popullit shqiptar të Kosovës, të cilit po i kanosej shfarosja. Pas Reçakut u shtua presioni për një konferencë ndërkombëtare për zgjidhjen e çështjes së Kosovës. Në bisedimet e zhvilluara në Rambouillet dhe Paris në shkurt dhe mars 1999 pala serbe nuk pranoi të nënshkruajë marrëveshjen për paqe në Kosovë. Ajo marrëveshje nuk ishte aq e favorshme për Kosovën, sepse parashihte që në Kosovë të mbesnin edhe më tutje mijëra ushtarë e policë serbë dhe Kosova të gëzonte një autonomi në kuadër të Serbisë, por jo më shumë. Megjithatë, pala kosovare e nënshkroi marrëveshjen duke parashikuar me të drejtë se mosnënshkrimi nga delegacioni serb do të nxiste ndërhyrjen e NATO-s. Kjo ndodhi më 24 mars 1999.

«Reçaku është pika kthesë në konfliktin e Kosovës». Kështu tha atëbotë ministri i Jashtëm gjerman, Joschka Fischer. Në mesin 44 viktimave janë edhe tri gra, një fëmijë dhe disa pleq. Edhe ky fakt e rrëzon tezën serbe se Reçaku ishte një inskenim i diplomatit amerikan William Walker për të provokuar ndërhyrjen e NATO-s kundër Serbisë.

Reçaku është një plagë e madhe e historisë së Kosovës. Nga njëra anë qëndron dhimbja për viktimat, nga ana tjetër kujtimi i kësaj ngjarjeje që çoi në çlirimin e Kosovës. Dhimbjen dhe mllefin e bën edhe më të madh propaganda serbe, e cila edhe sot vazhdon të mohojë këto krime, vazhdon të manipulojë me fakte, vazhdon të fyejë dinjitetin e viktimave. Me këto sjellja udhëheqësit e Serbisë fyejnë gjithë shqiptarët, kudo që janë.

Si çdo vit edhe sot nga Amerika erdhi Willima Walker për të qëndruar pranë të mbijetuarve. Ambasadat e shteteve më të rëndësishme perëndimore kujtuan mizoritë që kryen forcat serbe në Reçak. Politikanë e qytetarë të Kosovës vajtën në Reçak për të nderuar e kujtuar të vrarët. Ish-ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Ditmir Bushati, i kujtoi me pietet viktimat.

Por një politikan heshti. Ai që heshti ishte kryeministri i Shqipërisë. Sot, në përvjetorin e masakrës së Reçakut, Edi Rama nuk duhej të heshtte, por, për fat të keq, heshti, sepse si shumë politikanë shqiptarë edhe ai inatet e momentit, grindjet, fjaloset e keqkuptimet me politikanët e Kosovës i konsideron më të rëndësishme se sjelljen për burrështetasi që sheh pak më larg se te ndonjë takim rajonal. Politikanët e Kosovës (dhe të Shqipërisë) shkojnë e vijnë. Asnjëri prej tyre nuk është i përjetshëm. As ai që e plaçkit popullin, as ai që hesht kur duhet të flasë.

Edi Rama ka shumë kanale komunikimi me opinionin. Në asnjërin kanal nuk e pa të udhës të postojë një fjalë. Me këtë ai ndoshta ka menduar se po u jepte flakaresha verbale kryeministrit dhe presidentit të Kosovës. Në të vërtetë Edi Rama i lëndoi jo pak qytetarë të Kosovës. Dhe ky është gabim i madh i tij, gabim që do të zë një vend prominent si njollë në biografinë e tij politike. Ai mund të ndihet i ofenduar, sepse lukunia e patriotëve të rrejshëm kosovarë e shpalli tradhtar pas samiteve të fundit mbi të ashtuquajturin «Schengen ballkanik». Por një politikan syhapur nuk i nënshtrohet idiotëve të Facebookut. Ai sot do të duhej madje të ishte në Reçak. Bashkë me familjarët e viktimave. Do ta njihte pak më mirë Kosovën dhe do të ishte një rast i mirë ky që nga ai vend, nga sheshi me varret e njerëzve të Reçakut, t’i falënderonte mijëra kosovarë për solidaritetin e madh me Shqipërinë pas tërmetit në fund të nëntorit. Ky solidaritet do të vazhdojë përkundër faktit se Edi Rama, i hidhëruar si pasojë e banaliteteve politike mes Prishtinës e Tiranës, hesht për një masakër që ndryshoi historinë. Edhe të Shqipërisë madje. Çlirimi i Kosovës dhe më vonë shpallja e pavarësisë e bën rajonin më stabil dhe kështu u hap rruga që Shqipëria të hynte në NATO, një ndër të arriturat më të mëdha që nga viti 1912./Dialogplus.ch/

* Për më shume bashkohuni në grupin tonë: https://www.facebook.com/groups/tpz.al/
More in BLOG, LAJME
Edi Rama e dorëzon padinë kundër Ramush Haradinajt në Gjykatën e Prishtinës

Nga takimet zyrtare në Prishtinë, apo në Tiranë, Edi Rama dhe Ramush Haradinaj, një të tillë, pritet ta realizojnë në...

Close