X

Një vetë-viktimë serial si Edi Rama!


Nga Çim Peka

Nuk ke çfarë ti thuash; Edi Rama është një politikan ‘me fat’ të madh.

Për shembull; po të marrim zhvillimet e fundit pas të cilave u shndërrua në Vjenë nga ‘lider rajonal’ siç e tall plot lezet miku i tij Vuçiç, në ‘lider global’ siç e ysht me djallëzi Fuga dhe e kreh me idiotësi Balla, ky fat në derë i erdhi nga Ilir Meta.

Nëse ky i fundit do të kishte dekretuar për ministër të Jashtëm gjeniun qesharak Caka, sot në krye të OSB-së nuk do të ishte një ‘kaposh’ në majë të plehut, por një ‘pulë’ që kakaris kot më kot.

Tani ka shansin që të mendojë e punojë, për 1 miliard njerëzit që mbulon ombrella e OSBE. I duhet që të zgjidh çështjen e Ukrainës e Krimesë. Të përgatisë vizitën te Putin, por mbi të gjitha është historia e Iranit me SHBA. Ndaj mos ja zini në gojë ‘gjërat e vogla’ që po e çojnë vendin ku është kryeministër, në fund të humnerës.

Si ‘fat i madh’ i erdhi, edhe tërmeti katastrofik i Shtatorit të vitit të shkuar. Ai fat ishte në proporcion të drejtë me dhjetëra të vdekurit; mijëra shtëpi e pallate të hedhura përtokë, e dhjetëra mijëra të tjerëve fëmijë e pleq që prej 3 muajsh presin të dëshpëruar në këtë acar dimri, ndonjë zgjidhje nga qeveria që ai drejton. Ishte njëkohësisht në proporcion të zhdrejtë me shtetin e tij, vrima-vrima nga korrupsioni, i cili rezultoi se kishte vjedhur edhe ‘qenin’ e kërkim- shpëtimit!

Ndaj nuk e fshehu as një ditë kënaqësinë që i dha tërmeti i 26 Nëntorit, si një shans i ardhur nga qielli për të dalë 20 orë në ditë në TV, duke luajtur të gjithë rolet e mundshme të një komedie të zezë.

Por mbi të gjitha, atë të viktimës!

Vetë-viktimizimi është tentativa më e mirë për t’ju shmangur përgjegjësisë si krye-fajtor, ikjes nga llogaridhënia e ballafaqimit me të vërtetat. Bëji të tjerët që tu vijë keq për ty dhe ata, do të amnistojnë. Madje edhe do të ngushëllojnë e do të japin një shans të ri, siç thoshte edhe vetë gjithë ngazëllim, ato ditë që vërtitej nëpër gërmadha me kamerën nga pas.

Dhe Edi Rama, sa më hapur del e vërteta e asaj se çfarë i ka bërë këtij vendi dhe pasurive të luajtshme e të paluajtshme të tij në këto 7 vite, aq më mjeshtër bëhet në rolin e viktimës. E ka këtë aftësi; le të mos ja hamë hakun.

Në ditën e parë si kryetar i OSBE gjatë intervistave dhe fjalimit të tij përurues, ai përsëriste për Shqipërinë ku është kryeministër vetëm një fjali e cila pak a shumë kishte në thelb ‘frikën’, se ne mund të bëhemi viktima të Iranit totalitar i cili ka në shënjestër Shqipërinë demokratike të Edi Ramës!

Më i qetë po shfaqet Trump, sesa Edi Rama. Ka kaq ditë që po parapërgatit rolin e viktimës, por këtë herë në rang global. Duket sikur lutet që Irani të hedh ndonjë copë raketë këtej dhe ai të bëhet krye-lajm botëror.

Në fakt Irani hodhi disa duzina me raketa drejt bazave amerikane në Irak, por nuk vrau dot njeri. Kurse në ‘Iranin’ që na ka ngritur këtu Edi Rama prej 7 vitesh, vetëm në 10 ditët e fundit policia ka mbledhur gati çdo ditë kufomat që prodhon krimi, me të cilin ai është në ortakëri të hapur.

Çfarë mund ti bëjë Irani më shumë këtij vendi, se sa po i bën Edi Rama?!

Kësaj Shqipërie ku ekonomia u rrit gati 2 fish më pak, edhe se ajo e Kosovës; ku kryebashkiakët edhe pse i vendosi pa garë po i bien një nga një si gjethe të kalbura të krimit; vendit ku projekti i tij i kanabisimit 2015-2016 dhe shndërrimit në bazë logjistike ndërkombëtare të kokainës e heroinës, po korr me shumicë të vdekur nga atentatet mafioze?!

Shihni çfarë bën në këto kohë flirtimesh me Serbinë e Vuçiç dhe Rusinë. Hiqet si i persekutuar nga urrejtja që shpërtheu te shqiptarët e Kosovës e diasporës, (por edhe të Shqipërisë) për ato që ka katranosur me kufijtë e po vazhdon me ‘mini-shengenin’, kurse kur Erdogan kërcënoi hapur Ramush Hardinajn, nuk tha asnjë fjalë.

Kthejeni kokën pas dhe do të kujtoheni, se Edi Rama ka 22 vjet që e ndërton karrierën e tij mbi vetë-viktimizimin dhe keqardhjen që duhet të kenë shqiptarët për “hallet” e tij

Që në fillim të viteve 90-të, edhe pse e braktisi lëvizjen e Dhjetori për t’ja mbathur në Greqi, nxitoi që të kthehej e të uzurponte lidershipin e Partisë Demokratike të sapo krijuar. Kur nuk ja doli i qaravitej Pashkos, Ngjelës e të tjerëve, sikur e persekutonte Berisha me ‘tropojanët’ e tij. Iku në Francë për ca ‘punë ‘ që sot ca dëshmitarë po ja dekonspirojnë edhe publikisht dhe u kthye në kohët e trazuara të vitit 1997, të cilat i pa si një shans e fat të madh për ambicien e tij për pushtet. Hëngri një dru të fortë për të cilin nuk guxoi kurrë të thotë arsyen e vërtetë, por u kujdes që fotografia me dhëmbët e thyer dhe hundën e shtypur, të dilte në ballinë të gazetave.

U shfaq atëherë si viktimë e ‘shiksave të Berishës’, po ka 7 vjet në pushtet dhe nuk po i gjen dot autorë e drurit, që të marrin dënimin e merituar sepse ishte një rrahje që si vështirë se do ta harrojë, sa të jetë gjallë!

Pas një viti e riktheu Fatos Nano nga Parisi si ministër Kulture, por prapë nuk hoqi dorë nga roli i viktimës. Shkonte te Nano dhe i qahej se Ilir Meta dhe Pandeli Majko donin ta shkarkonin dhe ‘ta hiqnin qafe’ nga politika. Pastaj kur u bë kryetar bashkie dhe ju hap oreksi për ti marrë Nanos karrigen e kryetarit të PS-së shkonte këtë herë te Meta e Majko dhe bënte si viktimë e Nanos, i cili e akuzonte edhe si trafikant ikonash.

Është e njëjta periudhë kur te 21 dhjetori ku kishte shtëpinë atëherë, ndonjë gur llastiqesh me të cilat luajnë fëmijët e mbrapsht (apo ndonjë improvizim i vetë atij, sepse nuk u zbulua kurrë e vërteta), i theu xhamin e shtëpisë. Këtë herë nxori një krevat në korridor të shtëpisë dhe priste gazetarët duke ju thënë, se ishte viktimë e sulmeve të Berishës. Këto janë karamelet e doktor Berishës-psherëtinte. Gazetarët iknin të trishtuar nga halli që e kishte gjetur atë burrë të gjatë që rrinte i shtrirë e i mbuluar me një batanije si i ‘plagosur’ nga kërcitja e xhamit dhe vuuu kryetitulli në faqen e parë të ‘Shekullit’, e ndonjë gazete tjetër: Atentat Edi Ramës…

Sa herë që i duhet që të dalë nga ndonjë situatë e vështirë dhe të fitojë pikë në opinion, përdor vetë-viktimizimin duke mos kursyer as familjarët. Kështu bëri me sëmundjen e djalit kur ishte në opozitë dhe sërish me mikeshën e tij që vdiq nga tërmeti, për të cilën derdhi ‘lot’ live në TV.

Rëndësi ka që shqiptarët të ndjejnë keqardhje e ta lënë të vazhdojë me ambicien e tij për pushtet e pasuri, pa i kërkuar llogari. Për tipa të tillë shkenca e psikologjisë thotë se nuk kanë vlerë, as etika e as kodet morale.

Pikërisht kur duhet që të japë llogari, nis e përdor taktikën e “mohim-kundërsulmit’ e pastaj bën rolin e viktimës për të manipuluar publikun.

Është vërtetuar që nga koha e Frojdit dhe Fromit se ata që hiqen si viktima permanente janë në fakt dhunues psikologjikë, të cilët synojnë që ti bëjnë bisht përgjegjësisë dhe dënimit.

Ky individ është personi ‘më i zënë me punë në botë’, nëse bazohesh tek shfaqjet që jep në TV dhe fjalët që artikulon me mjeshtëri. Ndaj duhet tu vijë keq e t’ja qani hallin. E dëgjoni Edi Ramën çfarë i thotë popullit në takimet e tij ‘gju më gju’ në ERTV?; Eh ta dinit sa e rëndë është puna e kryeministrit!

Të gjitha ato që për njerëzit normal janë normale, në shfaqjet e psiko-individëve si Edi Rama marrin përmasa epike. Shqiptarët ftohen që ta admirojnë dhe njëkohësisht ta mëshirojnë e tu vijë keq për këtë person që është kaq shumë i zënë me punë të rënda e të rrezikshme (Dje tërmetin, pastaj me punët e liderit rajonal për mini-shengenin, sot me punët e liderit global të OSBE dhe rrezikun iranian) dhe që i bën të gjitha vetë. Që nuk ka as edhe një minutë kohë, për veten dhe familjen. Ndaj duhet jo vetëm të na vijë gjynah e ta lëmë të qetë, por edhe duhet që ta falenderojmë që rrezikon aq shumë.

Edi Rama është një auto-viktimë serial, të cilin shqiptarëve mund tua heq nga kurrizi dhe ekrani, vetëm një pskiatër. Ndoshta, edhe opozita.

Sepse ka fatin e madh që në krye të ketë një djalë të mirë, të sjellshëm dhe të edukuar në perëndim si Lulzim Basha, për të cilin Edi Rama kurrsesi nuk do të mund të guxonte të bënte as rolin, sikur është viktimë e tij! /Syri.net

* Për më shume bashkohuni në grupin tonë: https://www.facebook.com/groups/tpz.al/
More in IDE, LAJME
Kosova akordon 250 mijë euro për Koalicionin anti- ISIS, Haradinaj: Gati për operacione ushtarake

Pas mbledhjes së qeverisë, kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj, ka njoftuar se duke qenë pjesë e këtij koalicioni global, Kosova...

Close