X

2020: Një tjetër vit jetese në rrezik?


Nga Isabel Ortiz

Qeveritë, madje edhe vetë njerëzit, mund t’i ndryshojnë prirjet alarmante të vitit 2019, por viti 2020 do të jetë një tjetër vit jetese në rrezik, nëse nëse vazhdohet të ndiqen politika afatshkurtra në kurriz të një vizioni afatgjatë.

Viti 2019 u mbyll me demonstrata, pabarazi në rritje dhe një krizë përfaqësimi në shumë vende. Bota po shkon drejt recesionit dhe një krize të re, ndërsa shteron mjedisin. Qeveritë, dhe si përfundim edhe njerëzit, mund t’i ndryshojnë këto tendenca alarmante në vitin 2020.

Gjashtëdhjetë e një vende do të mbajnë zgjedhje presidenciale ose parlamentare në vitin 2020. Shumë qytetarë janë të lodhur nga politikat konvencionale ortodokse. Ata duan ndryshim dhe ata do të zgjedhin parti të reja si një mënyrë për ta arritur këtë gjë.

Kjo është një mundësi e rëndësishme për të korrigjuar situatën aktuale, por shumë nga liderët e rinj që po dalin në dritë janë demagogë të ekstremit të djathtë që fajësojnë për problemet e sotme politikat e mirëqenies sociale, emigrantët dhe të varfrit, ndërsa synojnë të heqin të gjitha kufizimet e mbetura mbi kapitalin.

Ashtu si në Mbretërinë e Bashkuar, shumë prej atyre që janë dëmtuar nga neoliberalizmi do të votojnë për këta politikanë, duke e bërë botën një vend më të pabarabartë dhe më të rrezikshëm.

Shumë gjëra do të vendosen në Shtetet e Bashkuara, një vend që është ende fuqia hegjemoniste e botës. Mënyra se si do të votojnë qytetarët amerikanë (shumë prej tyre pa asnjë njohuri për çështjet globale) në zgjedhjet presidenciale të vitit 2020 do të sjellin pasoja të thella për pjesën tjetër të qytetarëve të planetit.

Presidenti amerikan Donald Trump tashmë ka pasur një ndikim të madh në botë, duke dëmtuar institucione multilaterale, marrëveshje tregtare dhe nisma globale si pjesë të axhendës së tij “Amerika e para”.

Pavarësisht retorikës së tij populiste, amerikanët në përgjithësi kanë përfituar shumë pak. Ulja e madhe që bëri Trump për taksat e të pasurve, shkurtimet në qasjen ndaj kujdesit shëndetësor dhe rritjet në buxhetin e mbrojtjes të SHBA-së janë regresive, duke rezultuar në një rritje pabarazie.

Megjithatë, e djathta vazhdon të fitojë vota, pjesërisht sepse po bëhet gjithnjë e më radikale, duke ofruar politika “të paimagjinueshme” – që nga ndërtimi i mureve deri në daljen nga Bashkimi Europian – që u bëjnë apel atyre që duan ndryshim mbi gjithçka tjetër.

Nëse demokratët socialë nuk avancojnë me politikat publike radikale dhe joshëse progresive në vitin 2020, e djathta radikale do të vazhdojë të rritet, dhe bashkë me të edhe prirja drejt rritjes së pabarazisë, rreziqeve ekonomike dhe degradimit të mjedisit.

Nuk është aspak e vështirë të kuptojmë se si arritëm në këtë pikë.

Katër dekada politikash neoliberale kanë dëmtuar kushtet e jetesës në shumicën e vendeve. Qeveritë e majta dhe të djathta, të këshilluar nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, Banka Botërore dhe organizata të tjera, kanë ndjekur politika të përqendruara në përmirësimin e konkurrencës së biznesit, që ka nënkuptuar paga më të ulëta, tregje pune më “fleksibile”, taksa më të ulëta për korporatat dhe pabarazi më të madhe të të ardhurave.

Ndërsa kompanitë mprehën avantazhin e tyre konkurrues mes rënies së standardit të jetës dhe rritjes së borxheve publike, kërkesa globale ka ngelur në amulli.

Qeveritë kanë ndjekur gjithashtu ulje të shpenzimeve sociale dhe privatizimin e shërbimeve publike. Paradoksalisht, shumica e kursimeve nga këto ulje kanë shkuar drejt mbështetjes së kompanive private me ulje taksash dhe paketa shpëtimi në përpjekje për të gjeneruar rritje ekonomike.

Kështu që, një qytetar mesatar ka përjetuar një rënie të konsiderueshme të mirëqenies dhe rritja ka mbetur e ngadaltë, sepse politikat afatshkurtra neoliberale nuk adresojnë shkaqet strukturore afatgjata të problemit: prodhimi dhe kapaciteti i tepërt.

Nëse kursi aktual nuk ndryshon, politikat shtrënguese do të vazhdojnë të përhapen në vitin 2020, duke ulur pensionet, pagat, programet sociale dhe mbrojtjet e punës.

Në vitin 2020, masat shtrënguese do të bëhen “normalja e re”, duke prekur 113 vende, ose më shumë se 70 për qind të popullsisë botërore dhe duke nxitur më shumë pakënaqësi sociale.

Në mënyrë absurde, shumë qeveri po shkurtojnë shpenzimet sociale, por po rrisin shpenzimet ushtarake dhe po mbështesin korporatat e mëdha me fonde publike dhe rregullore të kufizuara.

Në një kohë kur gjysma e popullsisë së botës jeton ende në varfëri (e përcaktuar si me më pak se 5,50 dollarë në ditë), kjo ka gjasa të shkaktojë më shumë protesta dhe konflikte në vitin 2020.

Masat shtrënguese nuk janë të nevojshme. Edhe në vendet më të varfra, ekzistojnë alternativa. Organizata Ndërkombëtare e Punës, UN Women dhe UNICEF raportojnë të paktën tetë mundësi financimi për të gjeneruar burime të qëndrueshme dhe për të shmangur shkurtimet në shërbimet publike.

Për shembull, vendet mund të frenojnë flukset e paligjshme financiare, të godasin evazionin fiskal, të rrisin progresivitetin e sistemit të taksave, të zvogëlojnë borxjin duke e menaxhuar më mirë atë, ose të miratojnë kuadro më të përshtatshme makroekonomike. Në kohët e fundit ka shumë shembuj të suksesshëm.

Nëse qeveritë do të hiqnin dorë nga masa shtrënguese, ne do të mund të shihnim më shumë vende që grumbullojnë me sukses të ardhura për zhvillimin kombëtar në vitin 2020, duke rritur investimet publike që u sjellin dobi njerëzve, dhe që mbështesin aktivitetin e vërtetë ekonomik dhe zhvillimin njerëzor, me qëllim krijimin e punësimit të duhur dhe sigurimin e qëndrueshmërisë mjedisore.

Përveç përmirësimit të rregullimit financiar dhe korrigjimit të proceseve të financimit, këto politika do të ndihmonin në shmangien e rrezikut të recesionit dhe krizës së mundshme ekonomike dhe financiare të parashikuar nga institucione të tilla si Kombet e Bashkuara, J.P. Morgan, dhe Moody’s.

Edhe nëse bota shmang fatkeqësinë ekonomike në vitin 2020, shkatërrimi i mjedisit do të vazhdojë.

Bota po humbet çdo vit më shumë se 26 milionë hektarë pemë, një zonë me madhësinë e Britanisë së Madhe, kryesisht pyje tropikale, duke ndikuar te klima dhe te kafshët e egra.

Nëse nuk zbatohen politika adekuate, shpyllëzimi, peshkimi në nivele të mëdha, emetimet e karbonit dhe shtimi i mbeturinave priten të rriten në sasi shumë të mëdha vitin e ardhshëm.

Këto nuk janë vetëm çështje kombëtare. Problemet globale kërkojnë zgjidhje globale dhe multilateralizmi duhet të forcohet, jo të dobësohet, për të punuar së bashku për të gjetur zgjidhje të qëndrueshme për të përmirësuar jetën e njerëzve.

Një e ardhme më e mirë për të gjithë është e mundur. Qeveritë, dhe në fund qytetarët, mund ta përmirësojnë botën në vitin 2020.

Por nëse ata vazhdojnë të jenë të fiksuar pas çmimeve të bursës dhe të ardhurave tremujore në kurriz të një vizioni afatgjatë, duke rritur shpenzimet e mbrojtjes dhe duke ulur pensionet, duke fajësuar emigrantët dhe të varfrit, ndërsa lejojnë që të pasurit të bëhen akoma më të pasur dhe mjedisi të dëmtohet edhe më tej, ky do të jetë një tjetër vit i gjatë jetese në rrezik.

Project Syndicate/BIRN

* Për më shume bashkohuni në grupin tonë: https://www.facebook.com/groups/tpz.al/
More in BLOG
Si u bënë armiq miqtë e vjetër SHBA-Iran. Marrëdhëniet mes dy rivalëve, që mund të shkaktojnë Luftën III Botërore

Shtetet e Bashkuara dhe Irani nuk kanë qenë gjithnjë armiq. Presidentët e SHBA, nga Eisenhower te Carter, e konsideronin Iranin...

Close