X

Egërsohet gara mes Fevziut dhe Ballës, një gjarpër dhe një papagall shkretëtire bëhen pjesë e luftës

Rivaliteti mes dy udhëtarëve të përjetshëm të botës, këtë fundiviti, mbërriti kulmin.

Blendi Fevziu dhe Sokol Balla, u lëshuan në dy vende të ndryshme gati ekzotike, për të mundur dhe për të vendosur poshtë vetes njëri tjetrin.

Fevziu u nis drejt botës arabe, duke u ndalur në hotelin luksoz “The Palm Jumeirah”, në Dubai, ndërsa Sokol Balla duke iu përgjigjur flakë për flakë Fevziut, shkoi në hotelin po kaq luksoz “Shangri-La”, në Tailandë. Edhe pse distanca mes tyre është thuajse 4800 km, të dy vendet i plotësonin kushtet maksimale për garë të ndershme dhe transparente.

Meqenëse hotelet ishin në nivel gati të barabartë, Fevziu në fillim u duk se kaloi në epërsi për faktin se në Dubai, kishin shkuar edhe dy nga VIP-eshat më të njohura të showbizit albanez, Marina dhe Luana Vjollca. Ky fakt, e kaloi Fevziun përkohësisht, katër pikë para, por pas konsultimit që Komisioni ad hoc bëri, pesë orë përpara mbërritjes së Vitit të Ri, duket që pikët e Fevziut u refuzuan sepse, sipas Komisionit, Tailanda është e mbushur e gjitha, kokë e këmbë me VIP-esha, nga më të çmuarat dhe më të pashmet në botë, që gëzojnë të gjitha të drejtat dhe liritë themelore dhe jo themelore të njeriut.

Pika më e nxehtë, ku dy rivalët u përpoqën ta vendosnin sa më poshtë njëri tjetrin, ishte përfshirja në garë, e një reptili dhe një shpendi, respektivisht një gjarpri dhe një papagalli shkretëtire.

I pari që e nisi këtë duel ishte Fevziu. Shërbëtorët e hotelit luksoz, i veshën moderatorit tonë, një dorezë të trashë, sa një peliçe, për ta mbrojtur nga bakteriet dhe mbi këtë dorezë Fevziut i vendosën një papagall shkretëtire. Pas këtij veprimi, ai hapi krahun e djathtë dhe pozoi. Gjatë pozimit, papagalli i shkretëtirës dhe Fevziu vështruan për një kohë të gjatë njëri tjetrin, sy më sy. Fevziu, gjatë kësaj kohe, i tha papagallit të shkretëtirës me zë të lartë, plot 21 fjalë, kundër sistemit autoritar në Shqipëri dhe në Dubai. Papagalli i shkretëtirës, u habit shumë nga disidenca e fortë e Fevziut, që nuk i kishte ndodhur kurrë me ndonjë turist tjetër dhe nga frika, përsëriti me zë të ulët vetëm dhjetë nga këto fjalë, të cilat nuk e dëmtonin regjimin.
Përpara se shërbëtorët t’ia merrnin papagallin e shkretëtirës nga dora, moderatori ynë i njohur, afroi gojën tek veshi i shpendit dhe tha tre herë, togfjalëshin: “Tirana e Nonës, Tirana e Nonës, Tirana e Nonës”.

Këto fjalë të thëna me intensitet të lartë, e çorientuan aq shumë papagallin e shkretëtirës, sa ai fluturoi nga dora e Fevziut dhe pa pyetur fare shërbëtorët e hotelit, që e kishin nën kontroll, filloi të endej rreth e qark Dubait, duke bërtitur “Tirana e Nonës, Tirana e Nonës, Tirana e Nonës”. Kaq shpejt i shpërndau papagalli i shkretëtirës këto fjalë, saqë edhe dy VIP-eshat Marina dhe Luana Vjollca, u habitën shumë nga kjo famë e Fevziut dhe librit të tij.

Dy ditë pasi Fevziu kreu aktin me papagallin e shkretëtirës, Sokol Balla iu përgjigj dhëmb për dhëmb, duke marrë me qira një gjarpër të rëndë 15 kilogram, me një të verdhë të pullëzuar, i njohur si Pitoni Burmez dhe e vari rreth qafës dhe krahëve të tij të shkruar dhe me ornamente disa ngjyrëshe.

Edhe pse gjarpri piton, në qafën dhe krahët e Ballës, të jepte ndjesinë e tmerrit, kryetari i Komisionit ad hoc, Remzi Lani, nga njohuritë e thella që i trashëgon për shkak të, lëvizjeve të panumërta, që ka bërë rreth e qark globit e kapi menjëherë hilen. Pronarët e Pitonit të  verdhë burmez, ia kishin hequr gjarprit helmin dhe e përdornin vetëm për foto për turistët parallinj, të dashuruar me rrjetet sociale.

Kjo ishte edhe arsyeja, që Fevziu me papagallin e shkretëtirës dhe gjithë vijësjelljen e tij, kaloi në klasifikim pesë pikë para Sokol Ballës.

Ky ishte një nga kalimet e rralla të Fevziut në epërsi, jo vetëm me aftësinë e tij si udhëtar i botës, por këtë herë edhe si shkrimtar.

Për më shumë informacion, rreth dy gjigandëve tanë rivalë, shihni fotot e mëposhtme!

/TPZ.al/Tej e këtej/

* Për më shume bashkohuni në grupin tonë: https://www.facebook.com/groups/tpz.al/
More in TEJ E KETEJ
Gratë e burgosura të mini-shengenit Ballkanik lutje Ramës: Hapi edhe burgjet tona, jemi te pafajshme! 

Bëhemi me dije, se pas vizitës historike dhe të paligjshme, të liderit suprem, Edi Rama, në burgun e Tiranës dhe...

Close