X

A mund të shërojë Doktor Ruzhdiu i Çanit, liderin tonë suprem, Edi Rama?

Siç dihet botërisht, në emisionin e tij “Zonë e Lirë”, Arian Çani, thërret herë pas here, doktorin alternativ, me famë botnore  Ruzhdi Metali, i cili pas vdekjes së doktor Arqile Botit (ndjesë pastë) shëron të gjitha llojet e sëmundjeve që ekzistojnë dhe ato që pritet të shfaqen në ditët dhe vitet e ardhshme, në planetin tonë.

I lodhur nga dëgjimi i gjithë atyre pyetjeve, që mbërrijnë në emision, nga mbarë popullata e sëmurë, Ariani e pyeti doktor Ruzhdiun, për një problem që i është shfaqur vetë atij, në shputën e këmbës.

Ja biseda mes doktorit Ruzhdi Metali dhe Arian Çanit.

Arjan Çani: Ta filloj nga vetja njëherë, se ngela duke u marrë me njerëz të tjerë, do interesohem çik për veten time. Ç’a të bëj vëlla se bëra rezonancë magnetike, tek shputa e këmbës, tek gishti i dytë sikur më është shtrembëruar pak. Është borsit…

Ruzhdi Metali: Borsit është kalcifikim…

Arjan Çani: Në rregull pra. Përveç metodave shkencore, çfarë më propozon, ma thuaj live…

Ruzhdi Metali: Vaj magnezi vetëm. Nuk e njeh shkenca këtu në Shqipëri.

Arjan Çani: Vaj magnezi? Duhet ta pi? Apo duhet ta fërkoj me vaj magnezi?

Ruzhdi Metali: E lyen, nga lëkura është më e mirë. Arjan, ti je grupi zero. Grupi zero është kandidat për ostoperozë.

Arjan Çani: Bravo, artrite pafund.

Ruzhdi Metali: Unë të marr në dorëzim, të piketoj përnjëherë.

Arjan Çani: Më merr në dorëzim në ç’kuptim?

Ruzhdi Metali: Të ndaj pjesë-pjesë, të pastroj, të vajis, të montoj prapë….

Pas këtij bashkëbisedimi të vështirë, siç e lexuat, doktori mbarëpopullor dhe ndërkombëtar, Ruzhdi Metali, e zgjidhte hallin e shputës së Arianit, duke e ndarë vetë Arianin në disa copa. Pas kësaj ndarje, Ruzhdiu do ta pastronte, vajiste dhe montonte, duke e kthyer përsëri në Arianin tonë…

Në këtë bisedë, shokuese për Arianin, merrte pjesë edhe gazetari shumë i shquar Andi Bejtja. Kur emisioni mbaroi dhe ata po dilnin jashtë, Bejtja e pyeti doktor Ruzhdiun:

– Doktor, Arianin ti e shpëtove, por ne kemi edhe një hall tjetër të madh, që nuk të pyesja dot brenda. A mundesh ti të na shërosh, liderin tonë suprem Edi Rama? Po bëre këtë gjë, shpëton vendin, mini-shengenin, ne të gjithëve, por shpëton edhe Bashkimin Europian dhe Amerikën.

– Me Ramën, e kam më të thjeshtë se me Arianin, sepse këtij nuk i ndaj gjithë trupin, por i çmontoj vetëm kokën, pjesë pjesë, ja vajis tetë herë, e godas me dy rreze sekrete, që po t’i them vetëm ty. E para është rrezja infra-portokalli, që nuk njihet në Shqipëri, dhe e dyta janë rrezet ultra të zeza, që i disponoj vetëm unë dhe nuk njihen në asnjë vend tjetër të botës.

– Dhe ti mendon se me gjithë këtë operacion, lideri ynë shërohet vërtet doktor?! – pyeti Bejtja i shastisur.

– Jam i sigurt 99%, por ekziston rreziku 1%, për ata pacientë që marrin substanca psikotrope.

-Mooooos doktor, çfarë thua? Çfarë janë këto substanca psikotrope? – ndërhyri Çani.

– Nuk me ka ndodhur me asnjë pacient, por që të jem i ndershëm dhe t’ju shpjegoj efektet e mundshme anësore, është edhe ky mini-rrezik.

– Doktor, me këto veprime shërohet plotësisht apo jo?- këmbënguli Bejtja.

– Edhe po nuk funksionoi, se ti nuk kupton nga shkenca Bejte, i shtojmë katër pika sekrete, përzierë me 72 gram niseshte. Kjo, Bejte, i çmend fare enzimat, kupton?

– Doktor, a mund të bëhet ky shërim live të premten tjetër, direkt në studio? Marrim edhe Bejten, – u lut Ariani.

– Nuk funksionon me kamera, për shkak të rrezeve, por do t’ju informoj hap pas hapi, – tha doktor Ruzhdiu dhe u largua.

/TPZ.al/ Tej e këtej/

 

* Për më shume bashkohuni në grupin tonë: https://www.facebook.com/groups/tpz.al/
More in TEJ E KETEJ
Ish gazetari dhe kronikani Alfred Peza: Tre gëzime në një ditë, antishpifja, SPAK-u dhe dënimi i Salianjit

Ish gazetari i njohur dhe kronikani, i lajmërimeve të zeza, njëkohësisht funksionar i Partisë Socialiste dhe përfaqësues i kësaj partie...

Close