X

Ish gazetari dhe kronikani Alfred Peza: Tre gëzime në një ditë, antishpifja, SPAK-u dhe dënimi i Salianjit

Ish gazetari i njohur dhe kronikani, i lajmërimeve të zeza, njëkohësisht funksionar i Partisë Socialiste dhe përfaqësues i kësaj partie në panelet e nxehta të mbrëmjeve, Alfred Peza, ka qenë sot njeriu më i gëzuar dhe më i lumtur, në Republikën tonë.

– Rrallëherë ndodh që brenda një dite të shenjohen tre zhvillime shumë të rëndësishme. Në pamje të parë duken sikur nuk kanë lidhje me njëra tjetrën, por që në fund të fundit kanë një emërues të përbashkët, shtetformimin modern shqiptar, – thotë në preambul të artikullit Peza.

Pasi i bën të tre gëzimet bashkë, ish gazetari dhe kronikani Peza, duke iu referuar miratimit të ligjit anti-shpifje thotë:

– Të gjithë u duk sikur morën nga një flamur të rreckosur në dorë, duke mos dashur as rregullim, as vetërregullim, as gërshetim dhe harmonizim të të dyja alternativave. Një përpjekje titanike virtuale, për të penguar vendosjen për herë të parë, të disa rregullave të lojës në një treg të pakontrolluar. Askush nuk kishte parasysh interesin e qytetarit në të gjithën këtë (autori ka dashur të thotë, në të gjithë këtë).

Siç shihet dhe lexohet, ish kronikani Peza edhe në këtë rast ka patur parasysh shqetësimin e madh të liderit suprem, mbrojtjen e qytetarëve nga shpifja. Pra, shkurt edhe lideri edhe ish gazetari, kanë vetëm hallin e popullit.

Gëzimi i dytë, sipas ish kronikanit, është avancimi në krijimin e SPAK-ut dhe të zgjedhjes së kryetarit të tij. Në këtë pikë, ish gazetari dhe kronikani, Alfred Peza, nuk na shpjegon nëse SPAK-u, do të marrë në konsideratë aksionerët e bankave, me origjinë nga media dhe ç’do të bëjë me ta? Ndoshta, Peza do të na e sqarojë këtë, në shkrimet që do të vijnë.

Gëzimi i tretë, që lidhet fort me dy të parët, është sipas kronikanit Alfred edhe dënimi me një vit burg, për ish deputetin demokrat, Ervin Salianji.

Me këto tre gëzime, që rrodhën sot njëra pas tjetrës, mund ta konsiderojmë këtë ditë edhe si ditën e Fredit, ndoshta  më të gëzuar, se edhe dita, kur Fredi ynë, iu premtoi peqinasve në praninë e liderit, binjakëzimin e Shkumbinit me Lazion dhe hapjen e Shkumbini Channel, njëlloj si Milan Channel.

Dita e sotme, por edhe dita e premtimit për binjakëzimin e dy gjigandëve të futbollit evropian, Shkumbini i Peqinit dhe Lazio e Romës, do të mbeten përgjithmonë në mendjet dhe zemrat, e qytetarëve shqiptarë.

Se si, Alfred Peza, e lidh anti-shpifjen me SPAK-un dhe dënimin e Salianjit, mund ta kuptoni vetëm nëse lexoni më poshtë, artikullin e plotë të tij.

/TPZ.al/ Tej e këtej/

Shkrimi i plotë (botuar në Alpenews)

Tri zhvillimet reale, të një dite absurde virtuale!

Rrallëherë ndodh që brenda një dite të shënjohen tri zhvillime shumë të rëndësishme. Në pamje të parë, duken sikur nuk kanë lidhje me njëra tjetrën, por që në fund të fundit kanë një emërues të përbashkët: Janë një stacion i rëndësishëm, në rrugën e përpjekjeve, për shtetformimin modern shqiptar. E cila ngrihet mbi trininë e shenjtë të demokracisë: Garantimi i fjalës së lirë, barazia përpara ligjit dhe të drejtat e barabarta politike, nëpërmjet parimit “check & balance”.

I.

Zhvillimi që bëri më shumë zhurmë, ishte ai rreth miratimit nga ana e mazhorancës qeverisëse, të Paketës “Antishpifje” në Parlamentin shqiptar. Në një përpjekje për të vendosur kaos në xhunglën e publikimeve elektronike online në Shqipëri, ditët e fundit kanë qenë më të nxehta se çdo herë tjetër në pjesën shqiptare të “rrjetit të gjerë botëror”. Për shkak të “konfilktit të interesit”, mediumet e internetit, zhvilluan atë që për ta dukej si “lufta finale”.

Të gjithë u duk sikur morën nga një flamur të rreckosur në dorë, duke mos dashur as rregullim, as vetrregullim, as gërshetim dhe harmonizim të të dyja alternativave. Një përpjekje titanike virtuale, për të penguar vendosjen për herë të parë, të disa rregullave të lojës në një treg të pakontrolluar. Askush nuk kishte parasysh interesin e qytetarit në të gjithën këtë. As të konsumatorëve të produkteve të tyre. Për ta liria nuk mbaronte atje ku fillonte ajo e të tjerëve. Sepse për ta vlen vetëm ligji i xhunglës: Të kryqëzohet, asgjesohet dhe shqyhet, kushdo që u zinte rrugën drejt gjahut të lakmuar.

Për ta pak rëndësi ka përmbajtja e draftit të propozuar. Pak rëndësi kanë standardet që do vendoseshin. Aspak rëndësi nëse OSBE u dakordësua 100%, me propozimet që u votuan. Për ta vlen vetëm që të kenë lirinë për tu fshehur pas maskave virtuale, e në emër të lirisë së fjalës dhe të drejtës së informimit, të arrinin qëllimi e përfitimeve të tyre personale dhe të justifikimit të financimeve të pakontrolluara, nga çdo anë e drejtim që u ka ardhur. Kjo lojë sot mbaroi. Presim të shohim sa profesionistë janë, që tia dalin të mbijetojnë në një treg me rregulla të barabarta loje, me standarde profesionale dhe ku liria e fjalës garantohet duke mos shkelur lirinë e qytetarëve të tjerë, që nuk kanë një portal si edhe ata.

II.

Është hedhur edhe një tjetër hap shumë i rëndësishëm, drejt fillimit të funksionimit të Prokurorisë Speciale (SPAK). E konsideruar si një nga institucionet më të rëndësishme të sistemit të ri të drejtësisë, tri kandidatët për të marrë rolin e drejtuesit të saj, Altin Dumani, Arben Kraja dhe Edvin Kondili kanë dalë përpara Këshillit të Lartë të Prokurorisë (KLP) për të paraqitur platformat e tyre. Ndërsa nesër në selinë e Presidencës, 8 prokurorët e parë të emëruar për të qenë pjesë e SPAK, do të bëjnë betimin për të filluar punën.

Pas zgjedhjes së Prokurorit të ri të Përgjithshëm të Përhershëm, ky është një tjetër hap shumë i rëndësishëm për 2019, në drejtim tëngritjes dhe funksionimit të institucioneve të reja të drejtësisë. Duke i hapur rrugën në këtë mënyrë, një viti të ri 2020, me sfida të mëdha në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit të lartë të elitës së vjetër politike të këtyre 30 viteve në Shqipëri.

III.

Për herë të parë një gjykatë shqiptare, firmosi vendimin për dënimin me një vit burg për ish deputetin demokrat Ervin Salianji, nën akuzën e “Kallzimit të rremë” në atë që njihet si çështja “Babalja”. Sipas hetimeve të Prokurorisë, ai ishte përfshirë në “krijimin e provave të rreme për të dëmtuar politikisht zotin Fatmir Xhafaj, në atë kohë në detyrën e ministrit të Brendshëm”. Mediat thanë se ky është rasti i parë në historinë e drejtësisë shqiptare, që një politikan, dënohet me burg për mashtrim.

Kultura e mosndëshkueshmërisë në Shqipëri ka nisur që të çmontohet, paralelisht me fillimin e punës së institucioneve të reja të drejtësisë dhe vendosjes së rregullave të qarta sipas standardeve ndërkombëtare, në të drejtën për informim. Ishte një ditë e tensionuar virtualisht, por mjaft interesante, sepse ishte më e qetë se çdo herë tjerë në realitet. Qytetarët vijuan ritualin e tyre të zakonshëm, duke vrapuar vetëm drejt përgatitjes për festat e fundvitit.

 

* Për më shume bashkohuni në grupin tonë: https://www.facebook.com/groups/tpz.al/
More in TEJ E KETEJ
Alfred Peza thirrje liderit Rama: Duhet të dalësh 24 orë, në 24 orë në televizor!

Ish gazetari i njohur dhe funksionari edhe më shumë i njohur, mediatik i Partisë Socialiste, Alfred Peza, nëpërmjet një shkrimi...

Close