X

Tre herë zgjedhje brenda katër viteve, britanikët votojnë sot në zgjedhjet më të rëndësishme të dekadës

Ditën e sotme, qytetarët po u drejtohen kutive të votimit në Mbretërinë e Bashkuar. Këto janë zgjedhjet e treta të përgjithshme që mbahen në harkun kohor të katër viteve dhe analistët i kanë konsideruar si zgjedhjet më të rëndësishme të dekadës. Kjo për faktin, se ato do të përcaktojnë fatin e mëtejshëm të Brexit, por edhe çështje me rëndësi themelore për vendin, siç janë investimet në sistemin shëndetësor, taksat dhe imigrimi.

Dy liderët e partive kryesore, kandidatë për kryeministra të ardhshëm, Boris Johnson dhe Jeremy Corbyn, shihen me skepticizëm dhe nuk gëzojnë popullaritet edhe brenda rradhëve të tyre.

Boris Johnson ka një premtim të qartë për votuesit, nëse Konservatorët fitojë një mazhorancë që mund të kalojë në parlament marrëveshjen e tij me BE-në, Mbretëria e Bashkuar do të dalë nga Bashkimi Europian në 31 Janar 2020.

Ndërsa Laburistët e Jeremy Corbyn, propozojnë një referendum të dytë, ku qytetarët të mund të votojnë për termat e një marrëveshje mes MB-së dhe BE-së (e ri-negociuar nga laburistët), por duke përfshirë edhe opisionin për të qëndruar në Bashkimin Europian.

Kreu i Laburistë, Jeremy Corbyn, e ka sulmuar vazhdimisht kryeministrin Johnson, sa i përket sistemit shëndetësor në Britani, duke thënë se ky i fundit kërkon t’ja shesë NHS-në (që garanton shërbime shëndetësore falas për të gjithë qytetarët) Donald Trump-it dhe amerikanëve, sapo Mbretëria e Bashkuar të lërë Bashkimin Europian.

Johnson i ka mohuar këto akuza duke i quajtur teori konspirative. Sistemi shëndetësor dhe qasja e partive ndaj tij, ka qenë një nga temat kryesore që ka dominuar debatin në fushatën elektorale.


Foto: Qendër votimi në Greenwich, Londër /TPZ

Premtimet thelbësore të Laburistëve. 

– 400 miliardë paund fond transformimi kombëtar, ku përfshihen 250 miliardë paund për energjinë, transportin dhe mjedisin dhe 150 miliardë paund, për shkollat, spitalet dhe banesat.

– 75 miliardë paund për ndërtimin e 100 mijë banesave sociale çdo vit deri në vitin 2024 dhe 50,000 shtëpi me kosto të përballueshme nëpërmjet Housing Associations.

– Internet falas me fibra optike në çdo shtëpi dhe biznes në Mbretërinë e Bashkuar, e përfunduar deri në vitin 2030.

– Pagë minimale 10 paund në orë për të gjithë punonjësit.

– Referendum i ri për Brexit.

Premtimet thelbësore të Konservatorëve. 

– Rikthimin e Projektligjit për daljen e MB-së nga BE në parlament, përpara Krishtlindjeve, në mënyrë që Brexit të realizohet deri në fund të Janarit 2020.

– 20.5 miliardë paund investime për sistemin shëndetësor (NHS) në Britani, deri në vitin 2023-2024. 50 milionë takime më shumë me mjekët dhe 50,000 infermiere më shumë për këtë shërbim.

– 20,000 oficerë policie më shumë brenda tre viteve të ardhshme në Angli dhe Wales.

– Asnjë rritje në taksimin mbi pagën, Kontributet Kombëtare dhe TVSH-në.

– Krijimi i një sistemi imigracioni të pikëzuar, si në Australi, i cili i trajton të gjithë qytetarët në mënyrë të barabartë, pavarësisht se nga cili vend vijnë.

Sondazhet dhe Votimi Taktik 

Sondazhet e fundit përpara ditës së sotme, tregojnë se Koservatorët kanë një diferencë solide me Laburistët, me 40% dhe 30% respektivisht.

Liberal Demokratët janë në shifrat 11-14%, ndërsa Brexit Party ka shifra të papërfillshme.

Sipas sondazheve, shanset e Konservatorëve për të arritur një mazhorancë dhe për të formuar qeverinë janë të larta, por partitë po i drejtojnë votuesit drejt votimit taktit, çka do do të thotë se shumë persona mund të votojnë për kandidatin e një partie që nuk mbështesin, në përpjekje për të ndalur konservatorët. Sipas ekspertëve të sistemit elektoral britanik, votimi taktit e bën rezultatin e këtyre zgjedhje të paparashikueshëm dhe mund të krijojë vështirësi për arritjen e mazhorance dhe formimin e qeverisë nga Konservatorët.

/TPZ.al/

* Për më shume bashkohuni në grupin tonë: https://www.facebook.com/groups/tpz.al/
More in BOTA, LAJME
Drejtuesi i ICITAP-it, Charles Bennett merr “Dekoratën e Artë të Shqiponjës”, bëhet dhe shtetas shqiptar

Presidenti i Republikës, Ilir Meta vlerësoi sot me “Dekoratën e Artë të Shqiponjës” drejtuesin e Programit ICITAP-it në Shqipëri, zotin...

Close