X

Macron i vetëm


Nga Sławomir Sierakowski

Mund të jesh i talentuar, i pashëm, i aftë me fjalët dhe i guximshëm politikisht, e megjithatë të vuash përsëri. Në aspektin afatgjatë, maturia dhe përmbajtja janë përbërës thelbësorë të një lidershipi të suksesshëm dhe janë pikërisht këto dy cilësi që, deri më tani, presidentit francez Emmanuel Macron duket se i mungojnë.

Macron dëshiron të udhëheqë Bashkimin Europian në shekullin e XXI. Por ai do të ketë sukses vetëm nëse nuk e tepron shumë. Nëse nuk e mban dorën, do t’i hape vetes sfida me liderë të tjerë politikë në rritje. Kjo mund të ndodhë nëse Gjermania del nga kriza e saj politike e brendshme, nëse vendet e tjera anëtare vendosin të krijojnë një koalicion kundër Francës, ose nëse Macron krijon armiqësi me shumë lojtarë kryesorë brenda BE-së. Sa më të mëdha të jenë ambiciet e Macron, aq më i madh është rreziku për të ardhmen e tij politike.

Politikisht, Macron është një kontradiktë. Si një anti-populist i zëshëm që përdor mjete populiste, ai ka larguar partitë tradicionale politike dhe ka bërë thirrje që politikanët të zëvendësohen nga njerëz të thjeshtë. Prandaj, ai këmbëngul që La République En Marche nuk është, në fakt, një parti politike dhe se ai nuk është as i majtë dhe as i djathtë. Dallimi kryesor është se programi i tij nuk është nacionalist, por pro-europian, pothuajse kozmopolitan, dhe se ai kundërshton populistët e tjerë. Por qëndrimi i tij pro-europian shkon aq larg sa e lejojnë interesat ekonomike franceze, siç ai ka treguar kur zgjodhi kandidatët për postet kryesore të BE-së më herët këtë vit.

Për më tepër, ia vlen të kujtojmë se Macron drejtoi shtysën për rregulla më të rrepta për “punëtorët e postuar” – sidomos ata nga Polonia dhe Hungaria – në vitin 2017 dhe se sulmi i tij më i ashpër ndaj populistëve të Europës Qendrore dhe Lindore u bë nga një fabrikë franceze Ëhirlpool që ishte planifikuar të transferohej në Poloni. Macron sinqerisht mund të dëshirojë integrim më të thellë europian, por kjo nuk e ndaloi atë të shtetëzonte një kantier francez për të mos lejuar blerjen e tij nga një firmë italiane.

Kohët e fundit, Macron ka kërkuar marrëdhënie më të ngrohta me presidentin rus Vladimir Putin dhe është shprehur se NATO-ja është “tru i vdekur”, një gjuhë kjo që me shumë gjasa u duartrokit nga Kremlini. Paralajmërimi i Macron për NATO-n u nënkuptua si një thirrje zgjimi për Europën për të siguruar autonominë e saj të mbrojtjes.

Falë përpjekjeve të Macron, Rusia u rikthye në Këshillin e Europës në qershor, pas pezullimit të saj në vitin 2014, pas aneksimit të Krimesë. Më pas, në një konferencë ambasadorësh në gusht, Macron shprehu mbështetje për kthimin e Rusisë në G8 dhe paralajmëroi diplomatët francezë të mos pengonin propozimet e tij për Putinin. Dhe në bisedimet bilaterale me Putinin në Fort de Brégançon të Francës në të njëjtin muaj, ishte Macron, jo i ftuari i tij, ai që  foli për një Europë që shtrihet nga Lisbona deri në Vladivostok.

Por diplomacia BE-Rusi nuk është fusha e vetme ku Macron po bën “të fortin”. Në tetor, ai vendosi ​​një veto të befasishme kundër negociatave të pranimit në BE me Shqipërinë dhe Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe që atëherë e ka përshkruar Bosnjën dhe Hercegovinën si një “minë me sahat”. Të dyja lëvizjet bien në kundërshtim me qëndrimin e tij pro-europian dhe padyshim që e gëzojnë Putinin.

Në fakt, manovrat e fundit të Macron janë qartazi në interesin e tij personal. Afrimi i tij me Putinin me siguri ka gjasa të nisë një sfidë nga liderja e ekstremit djathtë Marine Le Pen, mbështetësit financiarë të saj në të kaluarën përfshinin edhe banka ruse me lidhje me Kremlin. Dhe duke bllokuar hyrjen e Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë, ai po parandalon forcimin e mëtutjeshëm të bllokut të Europës Qendrore dhe Lindore të BE-së, gjë e cila mund të theksojë zërin e Francës në Këshillin Europian.

Më gjerësisht, Franca e Macron e gjen veten në një vakum gjeopolitik që u krijua nga Brexiti në Mbretërinë e Bashkuar, ngritja e populistëve dhe nacionalistëve në Itali, secionizmi i katalonasve në Spanjë dhe konsolidimin e regjimeve iliberale në Europën Qendrore dhe Lindore. Lojtarët e vetëm të besueshëm të mbetur në fushë janë Gjermania dhe vendet si Holanda dhe Danimarka. Për shkak se një fitore e Le Pen ndaj Macron do t’i jepte një goditje vdekjeprurëse vetë BE-së, Gjermania i ka toleruar nismat ambicioze të presidentit francez. Por durimit të saj po i vjen fundi.

Në fund të ditës, rregullat e lojës në Europë i vendos akoma Gjermania – dhe më saktësisht kancelarja Angela Merkel. Problemi është se Gjermania është shumë e vogël për ta udhëhequr Europën e vetme, e megjithatë tepër e madhe për të mos e bërë këtë. Kjo është arsyeja pse Macron do të vazhdonte para me zgjedhjen e tij të kandidatit për kreun e Komisionit Europian vetëm kur gjeti një gjerman. Gjermania nuk mund të impononte kandidatin e saj, kështu që u desh të pranonte gjermanen e Marcon për atë post (të cilin tani e mban Ursula von der Leyen, një ish-ministre e mbrojtjes).

Megjithatë, sjellja e fundit e Macron i ka bërë gjërat më të vështira për gjermanët, të cilët dëshirojnë ndryshime shtesë dhe jo revolucion. Paralajmërimet e tij për NATO-n nënkuptojnë se Gjermanisë do t’i duhet të zgjerojë aftësitë e saj mbrojtëse, për të cilat ka pak mbështetje midis votuesve gjermanë. Nëse Macron është tepër këmbëngulës, ai mund të provokojë zemërimin dhe rezistencën gjermane.

Por Macron, si shumë të tjerë në Europë, ka pasur mjaftueshëm njëanshmëri nga ana e Gjermanisë në çështje të tilla si pranimi i refugjatëve nga Siria dhe Iraku, apo nëse të ndalojë eksportet e armëve në Arabinë Saudite. Ai me shumë gjasa dëshiron të bëjë një marrëveshje me pasardhësen e Merkel – qoftë kjo ministrja gjermane e mbrojtjes Annegret Kramp-Karrenbauer apo dikush tjetër – mbi buxhetin e BE-së, çështjen e zgjerimit dhe rolin e firmave franceze në ndërtimin e mbrojtjes së Gjermanisë.

Historikisht, diplomacia franceze shkëlqen në pazare të mëdha. Por nën drejtimin e Merkel, Gjermania ka shmangur marrëveshje të tilla, duke preferuar status quo-në ose ndryshime shtesë, sepse zakonisht përfundon duke paguar ekstra. Nga ana e tij, diplomacia hiperaktive e Macron ekspozon një kompleks inferioriteti post-perandorak, simptomat e të cilit – qoftë Brexiti apo Putinizmi – po pengojnë normalizimin e Europës dhe po pengojnë mobilizimin e BE-së për të ekuilibruar Kinën dhe Shtetet e Bashkuara. Retorika e Macron sugjeron se ai dëshiron t’i luftojë këto simptoma, por veprimet e tij të fundit duket se po i shtojnë ato.

Project Syndicate./birn

* Për më shume bashkohuni në grupin tonë: https://www.facebook.com/groups/tpz.al/
More in BLOG
Kamerat mbas By…. si neveri humaniste

Nga Ilir Demalia/ Ky tërmetet nxorri lakuriq jo vetëm shtetin por edhe fallsitetin e një shoqërie. Që ditën që ra...

Close