X

Publikohet Exit Poll: Zgjedhjet në Britani i fitojnë thellë Konservatorët

Televizioni publik BBC, ka publikuar Exit Poll-in e kryer nga Ipsos MORI, pas përfundimit të votimeve në zgjedhjet e parakohshme të mbajtura ditën e sotme në Mbretërinë e Bashkuar.

Sipas këtij Exit Poll, Konservatorët e Boris Johnson do të marrin 368 deputetë, ndërsa Laburistët e Jeremy Corbyn vetëm  191, duke i dhënë kështu Konservatorëve një shumicë prej 86 mandatesh në parlament.

Kjo sugjeron se Boris Johnson do të formojë qeverinë. Nëse këto rezultate konfirmohen, duket se humbja për Laburistët do të jetë vërtetë dramatike.


Përse kanë rëndësi këto zgjedhje? 

Këto janë zgjedhjet e treta të përgjithshme që u mbajtën në harkun kohor të katër viteve dhe analistët i kanë konsideruar si zgjedhjet më të rëndësishme të dekadës. Kjo për faktin, se ato do të përcaktojnë fatin e mëtejshëm të Brexit, por edhe çështje me rëndësi themelore për vendin, siç janë investimet në sistemin shëndetësor, taksat dhe imigrimi.

Boris Johnson ka një premtim të qartë për votuesit, nëse Konservatorët fitojë një mazhorancë që mund të kalojë në parlament marrëveshjen e tij me BE-në, Mbretëria e Bashkuar do të dalë nga Bashkimi Europian në 31 Janar 2020.

Ndërsa Laburistët e Jeremy Corbyn, propozojnë një referendum të dytë, ku qytetarët të mund të votojnë për termat e një marrëveshje mes MB-së dhe BE-së (e ri-negociuar nga laburistët), por duke përfshirë edhe opisionin për të qëndruar në Bashkimin Europian.

Kreu i Laburistë, Jeremy Corbyn, e ka sulmuar vazhdimisht kryeministrin Johnson, sa i përket sistemit shëndetësor në Britani, duke thënë se ky i fundit kërkon t’ja shesë NHS-në (që garanton shërbime shëndetësore falas për të gjithë qytetarët) Donald Trump-it dhe amerikanëve, sapo Mbretëria e Bashkuar të lërë Bashkimin Europian.

Johnson i ka mohuar këto akuza duke i quajtur teori konspirative. Sistemi shëndetësor dhe qasja e partive ndaj tij, ka qenë një nga temat kryesore që ka dominuar debatin në fushatën elektorale.

Premtimet thelbësore të Laburistëve. 

– 400 miliardë paund fond transformimi kombëtar, ku përfshihen 250 miliardë paund për energjinë, transportin dhe mjedisin dhe 150 miliardë paund, për shkollat, spitalet dhe banesat.

– 75 miliardë paund për ndërtimin e 100 mijë banesave sociale çdo vit deri në vitin 2024 dhe 50,000 shtëpi me kosto të përballueshme nëpërmjet Housing Associations.

– Internet falas me fibra optike në çdo shtëpi dhe biznes në Mbretërinë e Bashkuar, e përfunduar deri në vitin 2030.

– Pagë minimale 10 paund në orë për të gjithë punonjësit.

– Referendum i ri për Brexit.

Premtimet thelbësore të Konservatorëve. 

– Rikthimin e Projektligjit për daljen e MB-së nga BE në parlament, përpara Krishtlindjeve, në mënyrë që Brexit të realizohet deri në fund të Janarit 2020.

– 20.5 miliardë paund investime për sistemin shëndetësor (NHS) në Britani, deri në vitin 2023-2024. 50 milionë takime më shumë me mjekët dhe 50,000 infermiere më shumë për këtë shërbim.

– 20,000 oficerë policie më shumë brenda tre viteve të ardhshme në Angli dhe Wales.

– Asnjë rritje në taksimin mbi pagën, Kontributet Kombëtare dhe TVSH-në.

– Krijimi i një sistemi imigracioni të pikëzuar, si në Australi, i cili i trajton të gjithë qytetarët në mënyrë të barabartë, pavarësisht se nga cili vend vijnë.

/TPZ.al/

* Për më shume bashkohuni në grupin tonë: https://www.facebook.com/groups/tpz.al/
More in BOTA, LAJME
Festivali i RTSH, Redon Makashi tregon prapaskenat: Vera Grabocka na përzuri nga festivali me urdhër nga lart

Në debatin për Festivalin e RTSH-së është përfshirë sot dhe Redon Makashi, duke thënë se e kanë përzënë me urdhër...

Close