X

Rreziku nga depozitat e ujit në tarracat e pallateve, Inxhinieri: Të merren masa


Tërmeti i tmerrshëm i 26 nëntorit, përveç 51 jetëve që mori, qindra personave që la të plagosur dhe dëmet kolosale në ekonominë shqiptare, ka sjellë në vëmendje edhe një sërë problemesh që kanë ndërtimet në vendin tonë.

Në disa zona vjetërsia e objekteve, në disa të tjera moszbatimi i kritereve të ndërtimit, kanë bërë që dëmi, sidomos në Durrës, të shkojë në shifra gati të papërballueshme për buxhetin e shtetit shqiptar.

Por inxhinieri Erion Softa, ish-drejtor i IKMT-së (Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit) në një prononcim për gazetën “Panorama” ka folur dhe për dy probleme shumë të mëdha, që përbëjnë një rrezik të madh për qindra e mijëra pallate në Tiranë dhe qytete të tjera të mëdha të vendit tonë.

Depozitat e ujit në tarracat e pallateve të vjetra, të ndërtuara gjatë sistemit komunist dhe ndërhyrjet në katetet e para, sipas Softës janë një problem që në të ardhmen do duhet të shikohen më me seriozitet nga autoritetet shtetërore.

(Inxhinieri Erion Softa)

Sipas tij, pallatet e ndërtuara nuk janë llogaritur për të mbajtur pesha të tilla në tarracat e tyre dhe në rast të një lëkundjeje sizmike, rreziku do të ishte i shumëfishtë për këto ndërtesa. Për Softën, do duhet të bëhet një rillogaritje e peshës mbajtëse e këtyre godinave, duke marrë për bazë eurokodet.

“Vendosja e depozitave të ujit mbi tarraca është shumë e dëmshme për qëndrueshmërinë e banesës.

Tarracat janë llogaritur për mbingarkesë 75 kg për metër katror, kurse pesha e një depozite varion nga 250 në 500 kg.

I veçantë është edhe fakti që janë masa të përqendruara dhe e rrisin shumë forcën sizmike në katet e para. Objektet me kate shtesë duhet të rillogariten me eurokodet për të vlerësuar aftësinë mbajtëse dhe riparimet e nevojshme”, shprehet Erion Softa.

KATET E PARA

Ndërsa për ndërhyrjet që janë bërë në katet e para të ndërtesave të para viteve 90’, Softa shprehet më i shqetësuar. Sipas tij, do duhet të fillojë sa më shpejt një proces kontrolli dhe verifikimi i të gjitha strukturave mbajtëse të këtyre godinave.

Duke filluar që nga muret mbajtëse, kolonat, apo edhe themelet, sipas tij duhet të kalojnë përmes një procesi shumë të imët kontrolli nga ekspertë të fushës.

“Duhet të kontrollohen katet e para që janë kthyer në dyqane dhe janë prishur strukturat mbajtëse, si themele, mure apo kolona.

Të gjitha faktet, si shtesa katesh, vendosje depozitash apo prishje muresh janë të rrezikshme, pa i krahasuar njëra me tjetrën. Kur shihet një fasadë që pëlqehet si arkitekturë se është e bukur dhe e hapur, plot ajër dhe plot dritare, në fakt në aspektin konstruktiv është një strukture që e pëlqen tërmeti ta dëmtojë”, tha ish-drejtori i IKMT-së.

KONTROLLI I DËMEVE

Më tej, inxhinieri Erion Softa flet edhe për hapat që do duhet të ndiqen në kontrollin e banesave, pasi ka ndodhur një lëkundje e fortë sizmike si ajo e mëngjesit të 26 nëntorit.

Sipas tij, dëmet në godina mund të jenë në pjesët mbajtëse të ndërtesës, që përgjithësisht janë serioze, por edhe në pjesë jombajtëse që kryesisht janë më lehtë të rikuperueshme. Sipas tij, dëme në ndërtesa mund të shkaktohen edhe nga paslëkundjet, pasi siç ndodhi pas datës 26 nëntor, ato mund të jenë të forta dhe të thellojnë dëmet që janë bërë nga lëkundja kryesore.

“Tërmetet mund të shkaktojnë më shumë dëme edhe nga pasgoditjet. Pas një tërmeti sado të vogël duhet të kontrollohet banesa, për t’u siguruar që çdo gjë është në rregull. Fatkeqësisht, tërmetet ndodhin dhe në fakt i kemi të shpeshta.

Çdo banor mund të kontrollojë banesën e tij nëse ka dëmtime të dukshme. Ky kontroll vizual mund t’i zbulojë këto dukuri: Plasaritje në tokën përreth vendit ku ndodhet banesa. Shkëputje ndërmjet mureve, kolonave ose themelit.

Çarje të mëdha diagonale për më shumë se 3 mm në elementet prej betoni. Dërrmime të betonit dhe shkëputje nga armatura e hekurit. Dëmet mund të jenë në elementet mbajtëse ose jombajtëse.

Ndërtimi është i pabanueshëm nëse është prishur struktura mbajtëse. Në objekte me shumë kate, ku struktura mbajtëse është me kolona trarë, muratura është jombajtëse.

Nëse elementet prej betoni nuk kanë plasaritje të mëdha, prishja e muraturës është për mungesë të brezave antisizmikë, por është plotësisht e riparueshme dhe objekti kthehet në gjendjen e parë”, thekson inxhinieri Softa.

GRUPET E INSPEKTIMIT

Për procesin që ka nisur prej disa ditësh në Tiranë, Durrës, Krujë dhe Lezhë për inspektimin e ndërtesave të prekura nga tërmeti, Softa thekson se pjesë të grupeve duhet të jenë edhe projektuesit apo supervizorët për ato godina, që janë ndërtuar në 30 vitet e fundit.

Në këtë pikë, më e vështirë bëhet për ato godina që janë ndërtuar gjatë sistemit komunist, për të cilat është më e vështirë gjetja e inxhinierëve projektues, ose në rastin më të keq, ata mund të mos jetojnë më. Sipas tij, kjo gjë duhet t’i paraprijë procesit të shembjes së godinave të dëmtuara nga tërmeti i 26 nëntorit.

“Një profesor në Buffolo vë në dukje se një ndërtesë gjatë një lëkundjeje është si një person, që qëndron mbi një dërrasë të mbështetur mbi një rul. Nëse dikush lëviz rulin, personi bie. Pas një tërmeti, inxhinierët duhet të diagnostikojnë gjendjen e ndërtesës, si një mjek që duhet të diagnostikojë një pacient, pa ditur historinë mjekësore të pacientit.

Është e nevojshme që pranë grupeve të inspektimit të jenë edhe projektuesit dhe supervizorët, pasi ata e njohin mirë grafinë e objektit. Skemat e dëmtimit të strukturave nga tërmeti u japin mundësi ndërtuesve për të rritur njohuritë e tyre për sjelljen e ndërtesës nga lëkundjet sizmike. Prandaj është e rëndësishme edhe para prishjes së objekteve, të evidentohen dhe të përshkruhen me skica dëmtimet e strukturave, që në të ardhmen të studiohen për të reflektuar në kushtet teknike të projektimit dhe zbatimit”, shprehet Erion Softa.

Qytetarët kërkojnë zgjidhje alternative për vendosjen e tyre
Depozitat e ujit në tarracat e pallateve të ndërtuara kryesisht gjatë sistemit komunist kanë zgjuar shqetësimin e banorëve të Tiranës.

Në disa lagje ka pasur iniciativa të banorëve për t’i hequr depozitat e ujit nga tarracat.

Një variant që po shikohet si më i mundshmi është ai i vendosjes së depozitave të ujit në fund të pallateve, por kjo është një çështje që duhet parë rast pas rasti, pasi jo në çdo pallat ka hapësira të lira për vendosjen e tyre.

Fenomeni i vendosjes së depozitave të ujit në tarracat e pallateve u përhap gjerësisht në 30 vitet e fundit, për shkak të mungesës së furnizimit me ujë të pijshëm 24 orë në pjesën më të madhe të qyteteve të mëdha në vend.

Për pallatet dhe komplekset e ndërtuara në vitet e fundit, ky problem është zgjidhur me depozita të mëdha të përbashkëta në katet e para të ndërtesave.

* Për më shume bashkohuni në grupin tonë: https://www.facebook.com/groups/tpz.al/
More in AKTUALITET, LAJME
Dorëhiqet kreu i AKEP, Ilir Zela: S’kam lejuar që interesat publike të nëpërkëmben nga presioni monopolist

Kreu i Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare, Ilir Zela ka dhënë dorëheqjen nga drejtimi i këtij institucioni. Rreth dy...

Close