X

Tërmeti i 26 nëntorit/ Basha-Ramës: Dhjetëra familje në kushte mizerabël, të nisë financimi


Kreu i PD-së Lulzim Basha ka reaguar për banorët e prekur nga tërmeti tragjik i 26 nëntorit pasi ka bërë një inspektim në Manzë të Durrësit.

Nëpërmjet një njoftimi në Facebook ai ka deklaruar se duhet urgjentisht që banorët që janë në kampin e llucës të strehohen në konteinerë ose në shtëpi me qira.

Basha ka shtuar më tej se qeveria duhet menjëherë të përcaktojë fondet dhe të nisë financimi i nevojave të mijëra familjeve të mbërthyera në këtë emergjencë që sa më shumë zgjatet aq më shumë thellohet.

Postimi i plotë:

Me dhjetëra familje, fëmijë të mitur, të sëmurë e të moshuar jetojnë në kushte mizerabël në një kamp çadrash të mbytura në baltë në Manzë. Banesat e tyre u dëmtuan rëndë nga tërmeti duke i lënë në qiell të hapur. Shumë prej tyre u zhvendosën në çadra që nuk pengojnë dot shiun dhe të ftohtin.

Përveçse në kushte të rënda, ata ndihen të fyer dhe të diskriminuar. Sipas tyre disa familje janë strehuar në kontenierë, ndërsa të tjerë me fëmijë disa muajsh dhe të sëmurë janë lënë në çadra, ku shiu dhe balta ka përmbytur dhe ato pak gjëra që kanë.

Përveç braktisjes, këta banorë po përballen çdo ditë edhe me trajtim të diferencuar. Është kriminale të bësh dallime të tilla mes njerëzve të goditur njësoj e pa dallim nga tragjedia. Duhet urgjentisht që banorët që janë në kampin e llucës të strehohen në konteinerë ose në shtëpi me qera.

Zgjidhja është vlerësimi i shpejtë dhe real i dëmit të shkaktuar dhe lëvrimi i parave tek qytetarët për rikonstruksion apo rindërtimin e shtëpive. Është kriminale që qytetarët të kalojnë ditët dhe netët në shi, baltë, të ftohtë, pa ushqime, pa ngrohje, ndërsa 10 oligarkë të marrin 150 milion dollarë nga paratë e tyre.

Dështimi për të vepruar nga ana e shtetit po shton dhimbjet dhe vuajtjet. Duhet menjëherë të përcaktohen fondet dhe të nisë financimi i nevojave të mijëra familjeve të mbërthyera në këtë emergjencë që sa më shumë zgjatet aq më shumë thellohet.

Një ditë më parë kryeministri Edi Rama për tërmetin e 26 nëntorit, iu drejtua sërish kreut të PD-së, Lulzim Basha, duke i propozuar të takohen.

Rama u shpreh se plani për rimëkëmbjen e biznesit të propozuar nga Basha, në një pjesë të sugjerimeve përkon me propozimet e hartuara nga Komiteti i Rindërtimit.

Ndërkohë, PD në një përgjigje zyrtare për ftesën e Ramës për dialog, shprehet se shqiptarët nuk kanë nevojë për pasurimin e albumit fotografik të kryeministrit me Bashën në një tryezë, por ata duan ndihmë.

* Për më shume bashkohuni në grupin tonë: https://www.facebook.com/groups/tpz.al/
More in AKTUALITET, LAJME
“Djalin tim e gjetën të përqafuar me gruan,” Bujar Cuka tregon tragjedinë e tërmetit: Bërtisja emrat e fëmijëve

Tërmeti tragjik që tronditi Shqipërinë mëngjesin e 26 nëntorit u mori jetën 51 personave dhe plagosi mbi 900 të tjerë,...

Close