X

Përgjithmonë Xhulia


Nga Luçiano Boçi/

Pak më parë askush nuk e njihte Xhulian besnike të besimit të vet dhe të fjalës së vet. E mirëedukur me postulatin nistor biblik “e para është fjala”, ajo transmetoi hapur një shqetësim njerëzor, në një situatë ku të gjithë ishin të pushtuar nga paniku. Por regjimet në thelbin e vet, sikurse dhe ky i yni janë antinjerëzore dhe goditja e çdo vlere të tillë është në rendin e ditës së tyre.

Gjuetia ndaj njerëzve të zakonshëm është sporti i preferuar i regjimit. Ndërsa mbytja e fjalës së lirë dhe mendimit të lirë mbetet qëllimi final.

Arrestimi spektakolar i Xhulias me forca antiterror nuk duhet të na befasojë.

Terrori më i madh për një qeveri të varur në trekëndëshin e paaftësisë, kriminalizimit e korrupsionit, është përmendja e litarit alias e së vërtetës. Dhe përmendja e litarit sjell reagimin e makinerisë absurde policore-politike.

E Xhulia këtu në këtë histori nuk është e vetme. Ajo thjesht u bë shembulli i ndëshkimit të regjimit, në kohëra ndëshkuese nga natyra, por dhe simboli i burgosjes së mendimit, sepse fjala në Shqipëri ka kohë që është mbytur me mijëra marifete. Me burg e pa burg. Me interesa dhe penalizime. Me hapje dhe mbyllje. Me ligje e pa ligje.

Gabimi i vetëm i Xhulias ishte se ajo në opinionin e saj u shfaq si një gazetare hipotetike. Si të thuash, ndikoi në opinion. E një gazetar qoftë hipotetik është për regjimin “i rrezikshëm”. Mbi të u derdh histeria e makinerisë goditëse e një pushteti absurd, i cili tërmetin në këmbët e veta, sikurse mijtë e parandjen dhe merr masa për ngrehinën e vet.

Dhe për ngrehinën e vet regjimi i Ramës nuk heziton, nuk kursen, nuk është i çorganizuar, nuk vonon, por qëllon e ndëshkon.

Merr përpara këdo. Nuk ka rëndësi në është individ apo media.

Në është i dlirë apo mëkatar. Në është vajzë apo burrë.

Xhulia nuk është e vetme.

Para saj shumë mbartës e transmetues të fjalës e mendimit të lirë, gazetarë janë goditur, janë kërcënuar, janë joshur, janë devijuar.

Para saj shumë media janë blerë, mbyllur, penalizuar, flirtuar.

Para saj mediat kudërshtuese të regjimit janë ndëshkuar.

Para burgosjes së saj regjimi “burgosi” media të tëra.

U nis me mbylljen e Kryeministri. al, me arsyetimin se tallte regjentin e krimit në qeverisje, vazhdoi me “kadrinjtë” që nuk viheshin në rresht, arriti kulmin me Syrin dhe po mbytet nën jargët e veta të mediafobisë ndaj JOQ. Prandaj vendimi i gjykatës sot nuk ka peshë.

Sido të jetë ai, regjimi me aktin e tij ndaj Xhulias ka sanksionuar kryqëzimin e mendimit të lirë, thënë më saktë, të vetë lirisë. Vetë Xhulia e ka mundur regjimin.

I vetëm deri më tani ka qenë reagimi ndaj mbytjes e burgosjes së fjalës së lirië , i cili megjithatë ndonëse me vonesë, po zgjohet nën gërmadhat e apokalipsit natyror që na mbiu në derë.

Ai që duhet shembur sot nga njerëzit është regjimi.

Gjithçka e shkatërruar duhet ndërtuar nga e para e njerëzit duhet të shijojnë jetën nën paqe, siguri e liri. Ta nisim me fjalën….

* Për më shume bashkohuni në grupin tonë: https://www.facebook.com/groups/tpz.al/
More in BLOG
Kundër shurdhërisë në kohë katastrofash!

Nga Artan Fuga Duhej një ditë zie për viktimat e tërmetit! Flamurët në gjysëm shtizë, as muzikë të gëzueshme, as...

Close