X

KPA e shkarkoi edhe si gjyqtar, Besnik Muçi letër Gjykatës Kushtetuese: Po pres…



Besnik Muçi i është drejtuar ditën e sotme me një letër Gjykatës Kushtetuese nga e cila thotë se po pret të shprehet nëse ai vazhdon apo jo te jetë anëtar i saj, pasi KPA dje e shkarkoi jo vetëm si prokurori por edhe si gjyqtar të Kushtetueses.

Në letrën e tij, Muçi shkruan: “Shtrirja e efekteve të vendimit të Kolegjit automatikisht mbi funksionin e Anëtarit të Gjykatës Kushtetuese, duke vendosur shkarkimin, është jo vetëm i paargumentuar dhe pa referencë ligjore por është në kundërshtim me nenin 127/2 të Kushtetutës”.

LETRA E PLOTE E BESNIK MUCIT PER GJYKATEN KUSHTETUESE

Më datën 21.11.2019 më është njoftuar vendimi, me arsyetim të përmbledhur vendimi Nr. 32, datë 21.11.2019 i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit me objekt shqyrtimin e vendimit nr. 58, datë 01.08.2018 të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit. Ky vendim është dërguar zyrtarisht dhe në Gjykatën Kushtetuese.

Në pjesën urdhëruese Kolegji është shprehur:

“Ndryshimin e vendimit nr. 58, datë 01.08.2019 të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe
shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit Besnik Muçi, Prokuror në momentin e fillimit të procesit të rivlerësimit, gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese, në momentin e shpalljes së këtij vendimi.

Ky vendim është përfundimtar dhe ka efekt të menjëhershëm”.

Konstatoj që pjesa urdhëruese e këtij vendimi lidhur me shkarkimit nga detyra si anëtar i Gjykatës Kushtetuese nuk është e mbështetur në asnjë referencë ligjore ose kushtetuese.

Nga viti 2008 deri më datë 18 tetor 2019 kam mbajtur detyrën e Prokurorit pranë Gjykatës së Shkallës për Krimet e Rënda.

Më datë 15.11.2019 jam dekretuar Gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese dhe kam bërë betimin para Presidentit të Republikës më datë 18.11.2019.

Bazuar në nenin 130 të Kushtetutës, i cili parashikon se:“Qenia si gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese nuk pajtohet me asnjë veprimtari tjetër…shtetërore…” , dhe në nenin 64/b të Ligjit Nr. 96/2016 “Për statusin e Gjyqtarëve dhe Prokurorëve në Republikën e Shqipërisë” përcaktohet se: “Statusi i magjistratit mbaron në rastet kur: b) vërtetohen kushtet e pazgjedhshmërisë dhe të papajtueshmërisë në ushtrimin e funksionit…” statusi im i Prokurorit rezulton se ka përfunduar që prej datës 18 tetor 2019, moment ky kur unë kam filluar të ushtroj detyrën e gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese.

Emërimi im në Gjykatën Kushtetuese është bërë në 15 tetor 2019, pra 3-vjet pas hyrjes në fuqi të ligjit nr. 76 të vitit 2016 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 8417 datë 21/10/2008, Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë” i ndryshuar”.

Për pasojë sipas nenit 179/b, pika 3 të Kushtetutës unë nuk përfshihem si subjekt i rivlerësimit exofficio për shkak të funksionit të Gjyqtarit në Gjykatën Kushtetuese, pasi këtë funksion unë nuk e kam pasur në momentin e hyrjes në fuqi të Ligjit nr. 76 të vitit 2016.

Procesi i rivlerësimit tim ka filluar ex officio për shkak të funksionit të Prokurorit që unë kam mbajtur deri më datë 18 tetor 2019. Me përfundimin e këtij statusi, sikurse parashtrova më sipër, objekti për të cilin ka filluar procedura e rivlerësimit apo qëllimi i këtij procesi është bërë i pamundur.

2
Në këto kushte procesi i rivlerësimit i nisur ex-officio në statusin dhe për funksionin e Prokurorit, nuk mund të vazhdonte dhe vendimi i Kolegjit të Apelimit nuk mund të ketë efekt ndaj funksionit dhe mandatit aktual të Gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese.

Shtrirja e efekteve të vendimit të Kolegjit automatikisht mbi funksionin e Anëtarit të Gjykatës Kushtetuese, duke vendosur shkarkimin, është jo vetëm i paargumentuar dhe pa referencë ligjore por është në kundërshtim me nenin 127/2 të Kushtetutës.

Po ashtu nuk rezulton që në ngarkimin tim të ketë ndonjë proces disiplinor për të cilin sipas nenit 128 e 179/7 të Kushtetutës Kolegji i Posaçëm i Apelimit ka juridiksion.
Në këto kushte i kam kërkuar Kryetares së Gjykatës Kushtetuese, që në bazë të nenit 127 të Kushtetutës dhe nenit 9.2 të ligjit nr. 8577, datë 10.02.2000 “ Për organizimin dhe
funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë” të inicioni procedurën e
verifikimit të mbarimit të mandatit tim si anëtar i Gjykatës Kushtetuese dhe marrjen e
këtij vendimi nga Gjykata Kushtetuese në zbatim të nenit 127.2 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë nëse verifikohen nga ana e Gjykatës Kushtetuese kushtet e mbarimit të mandatit tim si gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese të parashikuara në nenin 127 të Kushtetutës dhe nenin 9 të ligjit Nr. 8577, datë 10.02.2000 “ “ Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”.

Pavarësisht sa më sipër, me qëllim për të ruajtur integritetin tim dhe të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë, lidhur me çështjen administrative të ushtrimit të detyrës, jam në pritje të njoftimit të vendimit të Gjykatës Kushtetuese për deklarimin ose jo të mbarimit të mandatit tim si Gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese në përmbushje të detyrimeve të nenit 127 të Kushtetutës dhe nenit 9 të ligjit Nr. 8577, datë 10.02.2000 në një afat sa më të shpejtë të mundur.

Deri në marrjen e këtij vendimi, ju njoftoj se do të përmbush të gjitha detyrimet e mia kushtetuese dhe ligjore.

Ju faleminderit.
Tiranë më 22/11/2019
Besnik Muçi
Anëtar i Gjykatës Kushtetuese

* Për më shume bashkohuni në grupin tonë: https://www.facebook.com/groups/tpz.al/
More in AKTUALITET, LAJME
Padia e Presidentit Meta për Ardian Dvoranin, ç’po ndodh në tre Prokurori

Padia e Presidentit të Republikës Ilir Meta për kreun e Këshillittë Emërimeve në Drejtësi Ardian Dvorani është dërguar në tre...

Close